Mocioni kundër presidentit, këshilltari i Metës: “Çunat e Shijakut” duan instalimin e “narko-Republikës”

Shqipëria

Mocioni kundër presidentit, këshilltari i Metës: “Çunat e Shijakut” duan instalimin e “narko-Republikës”

Më: 15 qershor 2019 Në ora: 17:13
Ilir Meta

Këshilltari për Mediat i Presidentit, Tedi Blushi ka reaguar kundër mocionit të mazhorancës për Ilir Metën. Blushi thekson se Meta është zgjedhur president nga një Parlament plotësisht legjitim, ndryshe nga ky i sotmi, i dalë pas zgjedhjeve të vitit 2017-të.

Duke iu referuar edhe dosjes ‘339’, Tedi Blushi thotë se mocioni i “çunave të Shijakut” që kërkon të instalojë “Narko-Republikën” e bandave dhe oligarkëve do të marrë përgjigjen e merituar nga qytetarët e Shqipërisë.

“Ilir Meta është zgjedhur President nga një Parlament plotësisht legjitim, jo nga ky i sotmi. Nga momenti që ai është betuar me dorën mbi Kushtetutë i përket vetëm Republikës. Mocioni i “çunave të Shijakut” që kërkon të instalojë “Narko-Republikën” e bandave dhe oligarkëve do të marrë përgjigjen e merituar nga qytetarët e Republikës së Shqipërisë. Shqipëria e para! Shqipëria si gjithë Europa”, shkruan Blushi.

Të enjten e kësaj jave u miratua në Parlament me 100 vota një rezolutë kundër vendimit të Metës për shfuqizimin e 30 qershorit si datë për zgjedhjet lokale. Ndërkohë, Top Channel ka raportuar gjatë javës se Partia Socialiste i ka mbledhur 55 firma për kërkesën për shkarkimin e Metës, e cila pritet t’i dorëzohet Parlamentit.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat