Punësimi i mësuesve, ministrja Shahini: Si do plotësohen vendet e lira

Shqipëria

Punësimi i mësuesve, ministrja Shahini: Si do plotësohen vendet e lira

Më: 16 qershor 2019 Në ora: 15:45
Shahini

Ndryshimi i mënyrës se si do të konkurrojnë mësuesit e papunë për vendet e lira që do të hapen në sistemin parauniversitar ka detyruar ministren e Arsimit, Besa Shahini, t’i dëgjojë e sqarojë ata për çdo pikëpyetje.

Në një bisedë me mësues të rinj, aplikantë në portalin “Mësues për Shqipërinë”, numri një i MAS ka dhënë detaje mbi procedurën e konkurrimit përmes dy fazave, peshën që kanë, risitë e këtij viti e deri te mënyra se si do të rekrutohen më të mirët në arsim.

DOSJA DHE TESTIMI

Mësuesit që mendojnë se kanë grumbulluar mjaftueshëm pikë dhe nuk duan t’i nënshtrohen një testimi të ri, mund t’i ruajnë ato. Por, pikët e marra, si në dosje dhe testim, do të përshtaten sipas udhëzimit të ri. Këtë e bën të qartë ministrja. “Pikët do të përkthehen sipas vlerësimit të ri. Do të merret e gjithë dosja e do të vlerësohet sipas pikëzimit të ri. Pra, pikët mund të ruhen, por do të transformohen”. E njëjta gjë do të ndodhë edhe me pikët e testit, që në udhëzimin e ri ky tregues ka 80% të peshës totale të pikëve, dhe jo 70%.

“Testimi i informatizuar nuk ka ndryshuar në përmbajtje. Ata që duan t’i ruajnë pikët mund t’i ruajnë, por edhe kjo do të përkthehet sipas peshës së re që është më e madhe. Këtu nuk kemi dilema, pasi janë thjesht programe kompjuterike që bëjnë kalkulime”, sqaron ministrja. Testi i informatizuar është i ndarë në dy grupe pyetjesh, që kanë të bëjnë me çështje didaktike dhe tjetra me lëndën që jep mësuesi. Testi është i njëjtë për të gjithë. Nga fondi me mijëra pyetje, është kompjuteri ai që gjeneron testin, nga i cili rezultati del menjëherë.

VENDET VAKANTE

Një vend pune mund të refuzohet pafundësisht nëse mësuesit që i ofrohet puna, nuk i përshtatet. Nga tri herë, “JO-ja” për një mësues të renditur në krye të listës nuk do të ketë limit, sipas udhëzimit të Ministrisë. Sa i takon punësimeve, nuk do të jenë më drejtoritë arsimore ato që do të bëjnë njoftimet e mësuesve, që jo rrallëherë janë kthyer edhe në pazare, por do të jetë portali ai që sinjalizon direkt mësuesin në e-mail për hapjen e vendit vakant.

“Shpallja e vendeve vakante do të ndodhë në të gjitha website-t e zyrave të reja arsimore në drejtoritë rajonale. Oferta për një vend të lirë pune i jepet automatikisht nga portali. Pra, nuk do të kemi më nevojë të bëjmë telefonata, të pyesim nëse mësuesi është aty. Tani është e automatizuar. Do të jetë një e-mail adresë që mësuesi e jep në sistem, nga ku merr njoftimin automatik. Nëse nuk i pëlqen vendi i punës, për çfarëdo arsye, mund ta refuzojë pafundësisht derisa të arrijë në një pikë që i pëlqen oferta që i vjen nga portali”.

PUNËSIMI

Nuk do të ketë më një vit provë e më pas kontratë të mirëfilltë punësimi. Filtrat që kalon një nxënës qëkur është maturant, me kriterin e notës mesatare e deri në daljen e tij si mësues, me praktikë pune, provim licence e provim punësimi, sigurojnë që më i miri është renditur i pari dhe duhet shpërblyer me një vend pune me kontratë afatgjatë. “Punësimi ndodh menjëherë.

Portali ‘Mësues për Shqipërinë’ është bërë pjesë e ligjit për arsimin parauniversitar, çka do të thotë se ne jemi të sigurt se portali po funksionon dhe kemi vendosur në ligj që të mos cedojmë fare. Pra, portali na siguron që më të mirët janë të parët në listë dhe bëhen menjëherë mësues me kontratë afatgjatë, pa periudhë prove”, bën me dije Shahini.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat