Kundërshtitë në bashkitë e opozitës, reagon KQZ: Dekreti i Presidentit, inekzistent

Shqipëria

Kundërshtitë në bashkitë e opozitës, reagon KQZ: Dekreti i Presidentit, inekzistent

Më: 18 qershor 2019 Në ora: 15:25
Foto

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve me anë të një deklarate për mediat bën me dije se dekreti i presidentit Ilir Meta është inekzistent. KQZ shprehet se kërkesa e disa kryebashkiakëve për lirim të KZAZ-ve është në tejkalim të kompetencave. KQZ në deklaratë shprehet se të gjithë ata që bëjnë veprime të dhunshme në zgjedhje dënohen sipas Kodit Penal.

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve i ka kërkuar bashkive të djathta që të shmangin dëmtimin e procesit zgjedhor dhe se janë duke tejkaluar ligjin.

Deklarata e plotë e KQZ
Komisioni Qendror i Zgjedhjeve,bazuar në Kushtetutën e Republikës së Shqipërisë, urdhërimet e Kodit Zgjedhor, në parimet dhe përcaktimet e kuadrit ligjor që rregullon veprimtarinë e organeve administrative, në përmbushje të misionit, detyrave dhe përgjegjësive, vijon punën për administrimin e procesit zgjedhor, të datë 30 qershor 2019.

Disa kryetarë bashkie me shkresa drejtuar KZAZ-ve kanë kërkuar, lirimin e mënjëhershëm të ambienteve ku janë vendosur Vendet e Numërimit të Votave të Zonave të administrimit Zgjedhor, të caktuara me vendime nga KQZ, si edhe ndërprerjen e veprimeve për afishimin e listave të zgjedhësve në institucionet arsimore parashkollore dhe parauniversitare (çerdhe, kopshte, shkolla), në administrim dhe pronësi nga këto bashki.

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve, vlerëson se këto kërkesa janë në tejkalim të kompetencave, të drejtave dhe detyrave të njohura nga Ligji 139/2015 “Për vetëqeverisjen vendore”.

Në vijim të deklaratës së datës 14.06.2019, KQZ ripërsërit kërkesën për të reflektuar dhe shmangur veprime që pengojnë administrimin e procesit zgjedhor të datës 30 qershor 2019, veprime të cilat cënojnë kompetencat dhe të drejtën e KQZ-së dhe KZAZ-ve,pjesëë administratës së saj, në ushtrimin e funksioneve administrative publike të parashikuar nga Kodi Zgjedhor dhe legjislacioni në fuqi në Republikën e Shqipërisë.

Kuvendi i Shqipërisë përmes Rezolutës, datë 10.06.2018:
– ka shprehur mbështetjen për qëndrimin e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve për vijimin e procesit zgjedhor duke inkurajuar KQZ të mbrojë pacënueshmërinë si dhe të garantojë vazhdimësinë e procesit zgjedhor për zgjedhjet vendore, të datës 30 qershor 2019, në zbatim të dekretit të Presidentit nr. 10 928, datë 5.11.2018 “Për caktimin e datës së zgjedhjeve për organet e qeverisjes vendore”;

 i bën thirrje të gjitha organeve publike, që ngarkon ligji me detyra në kuadër të mbarëvajtjes dhe organizimit të zgjedhjeve vendorë të datës 30 qershor 2019, të konsiderojnë si inekzistent aktin e Presidentit, datë 10.06.2019, për shfuqizimin e Dekretit nr. 10928, datë 5.11.2019, dhe të vijojnë përmbushjen e detyrave të tyre sipas përcaktimeve në legjislacionin përkatës për të garantuar të drejtën kushtetuese të shtetasve shqiptarë për të zgjedhur përfaqësuesit e tyre në pushtetin vendor.

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve, çdo kërkesë apo veprim për të cilat, Ligji 139/2015, nuk i parashikon në kompetencë Organeve tëQeverisjes Vendore, të cilat shkelin në thelb Kodin Zgjedhor të Republikës së Shqipërisë dhe parimet e përgjithshme parashikuar në nenin 3 të tij,i konsideron cënim të veprimtarisë institucionale, marrëdhënieve juridike të vendosura me ligj, mospërmbushje të regullt të detyrës nga ana e tyre, me pasoja të rënda për interesat e zgjedhësve dhe mbarëvajtjen e procesit zgjedhor, të datës 30 qershor 2019, dhe do t’i drejtohet organeve kompetente për të garantuar zbatimin e ligjit.

Ju kujtojmë se, veprime të tilla përbëjnë vepër penale sipas nenit 248 “Shpërdorim i detyrës”, nenit 325 “Pengimi i subjekteve zgjedhore” dhe nenit 326/a “Dëmtimi me dashje i materialit zgjedhor”, të Kodit Penal të Republikës së Shqipërisë. Penalizimi për këto vepra, është edhe shkak për moszgjedhje/mosemërim në funksionet publike, sipas ligjit nr.138/2015 “Për garantimin e integritetit të personave që zgjidhen, emërohen ose ushtrojnë funksione publike” (dekriminalizimi).

Duke kërkuar mos ndërhyrjen për çështje që janë kompetencë e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, shprehim besimin për angazhimin në përputhje me misionin e vetëqeverisjes vendore për të siguruar qeverisje të efektshme, efikase dhe në një nivel sa më afër qytetarëve nëpërmjet respektimit të të drejtave dhe lirive themelore të shtetasve, të sanksionuara në Kushtetutë dhe ligje të tjera.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat