PD për përgjimet e "Bild": Organizata kriminale drejtohej nga Kryeministri

Shqipëria

PD për përgjimet e "Bild": Organizata kriminale drejtohej nga Kryeministri

Më: 18 qershor 2019 Në ora: 16:32
Foto

Partia Demokratike thotë se përgjimet e publikuara nga "Bild" për Durrësin dhe Dibrën, janë dëshmi e qartë se kryeministri Edi Rama jo vetëm ka përdorur krimin për të ardhur në pushtet, por vazhdon bashkëpunimin me të. Sekretari i Përgjithshëm, Gazmend Bardhi, tha se kryeministri dhe vartësit e tij duhet të ishin në burg, ndërsa ish-deputeti Alibeaj tha se vepra penale që ai ka kryer në bazë të kodit penal dënohet nga 1 deri në 3 vite burg. Sekretari për Çështjet Ligjore tha se mbi personat e dalë në përgjimet e "Bild", duhet të rëndojë akuza për organizatë kriminale.  

Sekretari i Përgjithshëm i Partisë Demokratike, Gazmend Bardhi, në një dalje për mediat bashkë më ish-deputetin Enkelejd Alibeaj dhe Sekretarin Ligjor, Çlirim Gjata, tha se Durrësi dhe Dibra vërtetuan se Edi Rama bashkëpunon ngushtë me krimin për të blerë vota e shantazhuar qytetarët.

Zyrtari i lartë demokrat tha se këto dy qarqe  nuk janë raste të izoluara.

Bardhi: Edi Rama, qeveria dhe PS kanë vepruar si një grup i strukturuar kriminal për të marrë dhe mbajtur pushtet në mënyrë të paligjshme.

Ndërsa Alibeaj citoi kodin penal  per t’iu treguar qytetarëve shkeljet e ligjit nga zyrtarët socialistë, të cilët ishin protagonistë në përgjimet e publikuara nga gazeta gjermane "Bild".

Alibeaj: Kodi penal në nenin 328/a parashikon këtë hipotezë: Përdorimi nga një punonjës që kryen detyrë shtetërore dhe ai që kryen këtë detyrë shtetërore dhe e përdor është vetë kryeministri i vendit, funksionari më i lartë që përdor burimet njerëzore me qëllim favorizimin e një partie politike ose kandidati në zgjedhje. Kjo përbën shkelje ligji dhe dënohet me burg nga 1-3 vjet.

Ndërsa këshilltari ligjor, Çlirim Gjata, tha se akuza që duhet të rëndojë ndaj zyrtarëve socialistë të dalë në përgjime, është grup i strukturuar kriminal.

Gjata: Këtu kemi të bëjmë me grup të strukturuar kriminal? Unë mendoj se po. Kush janë këta çunat që vinë me furgon, ata shkokan te shtabi i këtij Keshit.

Partia Demokratike thotë se vetëm këto përgjime të bëra publike dëshmojnë pse kryeministri Edi Rama, ka bërë gjithçka të kapë drejtësinë.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat