Cakaj: Opozita, pengesë shtesë për çeljen e negociatave

Shqipëria

Cakaj: Opozita, pengesë shtesë për çeljen e negociatave

Më: 19 qershor 2019 Në ora: 20:23
Gent Cakaj

Ministri në detyrë për Europën dhe Punët e Jashtme, Gent Cakaj, e cilësoi si një fitore të Shqipërisë që në raportin e Komisionit të Europës, nuk është marrë parasysh situata aktuale në Shqipëri.

Në një intervistë televizive, ai tha se në tetor, BE do të shkojë drejt një vendimi pozitiv për çeljen e negociatave me Shqipërinë, por sjellja e opozitës është një pengesë tjetër që do çojnë drejt këtij vendimi.

“Vendet anëtare të BE dënojnë sjelljen e grupimeve politike në Shqipëri, por nuk thonë se kjo sjellje do ta deprivojë Shqipërinë nga mundësia për hapjen e negociatave. Por natyrisht që klima aktuale politike në Shqipëri, nuk i kontribuon gjasave pozitive për hapjen e negociatave në tetor”, – theksoi Cakaj.

I pyetur nëse mund të na kthehet në penalizim situata aktuale politike në Shqipëri, Cakaj tha se “nuk mund të përjashtohet. Me rëndësi që vendet anëtare të jenë të ndërgjegjshme që agjenda progresive e qeverisë së Shqipërisë do të vijojë pavarësisht situatës së brendshme dhe sabotimit politik të opozitës. Nëse kjo do të manifestohet është një gjë që do ta shohim”.

“Aktualisht dua të theksoj tre elementë se përse sjellja e opozitës nuk është në favorin e axhendës europiane të Shqipërisë: E para, kjo sjellje nuk i kontribuon imazhit ndërkombëtar të Shqipërisë. E dyta, kjo sjellje ndikon, reflekton drejtpërdrejt në dinamikën e reformave që Shqipëria duhet të realizojë. E treta, nuk është kontribuese për gjasat e shtuara për hapjen e negociatave në tetor. Mënyra se si po zhvillohet situata politike në Shqipëri, jo vetëm që është sulm ndaj qeverisë dhe rendit kushtetues, është në fakt edhe një sulm i axhendës europiane të Shqipërisë”, – tha Cakaj.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat