Mitingu i PS-së mbyllet me përplasje polici-protestues

Shqipëria

Mitingu i PS-së mbyllet me përplasje polici-protestues

Më: 20 qershor 2019 Në ora: 18:28
Pamje nga përleshja qytetarë-polici

(E plotësuar) - Është mbyllur mitingu i Partisë Socialiste në Shkodër, ashtu si edhe protesta e opozitës. Policia ka mbajtur për disa minuta, pas mbarimit të fjalimit të Edi Ramës, kordonin që ndante protestuesit me mbështetësit e Qeverisë.

Gazetarja e Top Channel, Anila Hoxha ndoqi nga afër tërheqjen e policisë, moment që u shoqërua me përplasje të herë pas hershme me protestuesit. Efektivët shoqëruan edhe një prej kolegëve që ishte lënduar gjatë përplasjes.

Aktualisht situata paraqitet e qetë në Shkodër.

***

 

Vazhdon të jetë e tensionuar situata në Shkodër, aty ku mbështetësit e opozitës dhe kryebashkiakja Voltana Ademi po kundërshtojnë takimin elektoral të kryeministrit Edi Rama.

Protestuesit kanë tentuar të çajnë kordonin e policisë dhe të marshojnë drejt sheshit ku është planifikuar të zhvillohet takimi i Ramës.

Përpjekjes së protestuesve për të çarë kordonin, policia i është kundërpërgjigjur me gaz lotsjellës ndërsa ndaj efektivëve janë hedhur gurë dhe sende të tjera.

Image
Image

***

Vazhdon të precipitojë situata në Shkodër, ku për shkak të përdorimit të gazit lotsjellës nga Policia, shumë njerëz janë lënduar.

Një ambulancë është pranë zonës ku ka ndodhur përplasja, ndërkohë që një persona është parë të shoqërohet në Spitalin Rajonal për ndihmë të parë mjekësore pasi ka pasur humbje të ndjenjave.

Forcat e Policisë vazhdojnë ti bllokojnë rrugën qytetarëve, duke mos i lejuar ata të shkojnë më tej.

Ndërkohë që kryeministri nuk po shfaqet në Shkodër, edhe pse kishte lënë takim në orën 18.30 me elektoratin e tij.

Image

Voltana Ademi: Më 1 korrik ose të gjithë në burg, ose të gjithë në arrati

Në një prononcim për mediat, kryetarja e bashkisë i ka kërkuar edhe një herë forcave të policisë të ndalë dhunën ndaj qytetarëve,

"Ne jemi këtu për të thënë që banda kriminale na ka vjedhur shpirtin. Nëse i lejojmë më 1 korrik ose jemi në burg, si Bardh Spahia, ose të marrim arratinë. Të kemi një eksod të dytë. Ne nuk jemi këtu as me gaz lotsjellës, as me helm. Jemi me duar të hapura. Ne kemi dalë për tu thënë të vërtetën qytetarëve. Të gjithë shqiptarëve kudo që ndodhen, të gjithë ndërkombëtarëve, ne jemi në emergjencë kombëtare. Nuk kemi ndërmend të lemë shtëpitë tona, të lemë qytetin tonë. Nuk mund të lejojmë një klikë kriminale të na marrë shpirtin", u shpreh Ademi.

***

Situatë e tensionuar paraqitet aktualisht në qytetin e Shkodrës ku pritet të nisë takimi elektoral i kryeministrit të Shqipërisë Edi Rama.

Protestuesit e opozitës janë përplasur me forcat e policisë, duke kundërshtuar praninë e Ramës.

Policia ka përdorur edhe gazin lotsjellës, për të bërë të mundur shpërndarjen e protestuesve. 

Për momentin janë duke u hedhur gurë dhe sende të tjera drejt efektivëve, por nuk ka përplasje fizike.

Mbështetësit e opozitës vijojnë të qëndrojnë pranë sheshit ku do të mbahet mitingu elektoral i Partisë Socialiste.

“Rama ik” është thirrja më e shpeshtë që dëgjohet nga protestuesit.

Voltana Ademi i bashkohet protestës: Nuk lejojmë kriminelin Rama të uzurpojë qytetin

Kryebashkiakja Voltana Ademi ka zbritur në shesh për t’ju bashkuar protestës së opozitës që kundërshton praninë e kryeministrit Edi Rama në Shkodër. Ademi nuk firmosi lejen për organizimin e takimit elektoral të Ramës duke theksuar se 30 qershori është shfuqizuar si datë për zgjedhjet lokale, por PS vendosi të vijojë me planin e saj.

Image

Ademi u shpreh pak minuta më parë se shkodranët nuk do të lejojë uzurpimin e qytetit nga një kriminel si Edi Rama.

“Nuk mund të lejojmë që një bandë kriminale të uzurpojë qytetin. Shkodra ka demonstrua të gjithë jetën e vetë që nuk mund të lejojë uzurpatorin dhe kriminelin e Edi Rama dhe të tjerë përpara tij. E drejta jonë për të protestuar dhe për të thirrur ‘Rama ik’, është e drejta jonë legjitime”, u shpreh kryebashkiakja demokrate.

Ajo deklaroi gjithashtu se “nuk ka asnjë arsye që Policia e Shtetit të gjuajë mbi njerëzit, qoftë me gaz, qoftë me helme.”

Menjëherë sapo Voltana Ademi është afruar pranë kordonit të policisë, ndaj saj u hodh gaz lotsjellës. PD e konsideroi veprimin e policisë ndaj kryebashkiakes si një akt të paprecedent.

Mbështetësit e opozitës vijojnë të qëndrojnë pranë sheshit ku do të mbahet mitingu elektoral i Partisë Socialiste. “Rama ik” është thirrja më e shpeshtë që dëgjohet nga protestuesit. Për momentin janë duke u hedhur gurë dhe sende të tjera drejt efektivëve, por nuk ka përplasje fizike.

Blindohet Shkodra, pozitë dhe opozitë miting në të njëjtën kohë 

Pak minuta para fillimit të mitingut elektoral të Partisë Socialiste dhe të protestës së paralajmëruar nga dega lokale e Partisë Demokratike të Shkodrës, forca të shumta policie kanë rrethuar sheshin kryesor të qytetit. Sipas burimeve për A2 CNN mbi 200 efektivë policie dhe forca të FNSH janë angazhuar për të kontrolluar situatën dhe shmangur përplasjet mes palëve.

Herët gjatë ditës së enjte, Bashkia e Shkodrës kishte refuzuar, kërkesën e Partisë Socialiste për të mbajtur takimin elektoral për zgjedhjet e 30 qershorit me arsyetimin se po zbaton dekretin e Presidentit.

Ky vendim i Bashkisë së Shkodrës u komentua dhe nga kryeministri Rama gjatë fjalës së tij në Kuvend duke i krahasuar me antimitingjet që zhvilloheshin nga Partia Komuniste në vitin 1991.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat