Vonesa për hapjen e negociatave, shkelje e marrëveshjes nga BE

Shqipëria

Vonesa për hapjen e negociatave, shkelje e marrëveshjes nga BE

Më: 20 qershor 2019 Në ora: 21:04
Ditmir Bushati

Ish-ministri i Jashtëm Ditmir Bushati, në një intervistë për EuroNews tha se, vonesa në çeljen e negociatave ishte një shkelje e marrëveshjeve të mëparshme, ndërsa nënvizoi se “ne duhet të kapërcejmë ndasitë politike dhe të sigurojmë një mjedis të favorshëm politik për procesin e anëtarësimit të Shqipërisë”.

“Unë shpreh zhgënjimin tim ndaj vendeve anëtare të BE-së, të cilat nuk iu përmbajtën konkluzioneve të qershorit të vitit 2018, ku u përcaktua rruga për Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut. Në bazë të këtyre konkluzioneve, qershori i vitit 2019 do të ishte momenti kur do të vendosej data për çeljen e negociatave të anëtarësimit në BE. Është e qartë që pozicioni i disa vendeve anëtare po bëhet më i ftohtë, për të mos thënë armiqësor, për arsye të tyre të brendshme, në lidhje me poltikën e zgjerimit”, tha ai.

Nga ana tjetër, Bushati shprehu besimin se “ne në Shqipëri do të vijojmë me reformat, nuk do të humbasim durimin dhe sidomos do të fokusohemi te reformat në lidhje me sundimin e së drejtës, luftën kundër krimit të organizuar, vijimin e reformës në drejtësi”.

Bushati nënvizoi se “nuk po flasim për datën e anëtarësimit, por për fillimin e procesit të anëtarësimit, i cili do të jetë sfidues, i gjatë dhe i dhimbshëm për vende si Shqipëria”.

“Është e vërtetë që cilësia e demokracisë dhe sundimi i ligjit në Shqipëri dhe në vende të tjera aspirante për në BE, është larg standardit të BE-së, por nga ana tjetër bisedimet e anëtarësimit janë e vetmja rrugë dhe i vetmi instrument nëpërmjet së cilës ne përmirësojmë standardet tona. Ndaj, besoj që në këtë proces, të dy qëndrimet, ai i Francës dhe i Shqipërisë mund të pajtohen”, tha Bushati.

Duke u ndalur te protestat e opozitës dhe ndikimin që kanë ato në këtë proces, Bushati tha se “protestat janë shprehje e demokracisë, por nga ana tjetër, dhuna është dënuar dhe ka nevojë të dënohet”.

“Mbi të gjitha, nga ata politikanë e forca politike që e kanë mbështetur atë si instrument. Mendoj se ka rëndësi të madhe që të gjitha forcat politike të tregojnë përgjegjshmëri, sepse kur flasim për procesin e anëtarësimit të Shqipërisë në BE, kjo është një çështje kombëtare dhe prioritet kombëtar. Vetëm duke siguruar një mjedis politik mirëkuptues ne do të jemi të aftë të arrijmë, me shpresë, brenda vjeshtës, këtë qëllim madhor”, tha ai.

Fatkeqësisht, tha ai, “klima politike e ka penguar mundësinë e Shqipërisë për të lëvizur më shpejt drejt BE-së”.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat