Qëllon me thikë gruan dhe më pas arratiset, zbulohet çfarë ndodhi në familjen shqiptare

Shqipëria

Qëllon me thikë gruan dhe më pas arratiset, zbulohet çfarë ndodhi në familjen shqiptare

Më: 22 qershor 2019 Në ora: 09:41
Fushë-Krujë

Detaje te reja pas ngjarjes se rende brenda familjes ku gruaja mbeti e plagosur, pasi është goditur me thikë nga bashkëshorti. 

Mësohet se ngjarja ka ndodhur pas një debati, ndërsa Policia ka shpallur në kërkim autorin e dyshuar të ngjarjes, një 43-vjeçar nga Kruja. Policia e Krujës tha dje se i shpallur në kërkim është shtetasi me inicialet G.Gj, 43 vjeç, i cili dyshohet të jetë personi që ka plagosur me thikë, bashkëshorten e tij 37-vjeçare.

Ngjarja ka ndodhur mëngjesin e së premtes për motive të dobëta, ndërsa mësohet se gruaja 37- vjeçare ndodhet në spital nën kujdesin e mjekëve, fatmirësisht jashtë rrezikut për jetën.

Burime nga grupi hetimor thanë për gazetën Panorama se fillimisht çifti është përplasur verbalisht, ndërsa më pas situata degradoi deri në dhunë fizike e madje në përdorimin e armëve të ftohta. Sipas burimeve, shkak për debatin dhe më pas konfliktin fizik është bërë situata familjare dhe hallet e përditshme në familje.

Në këto kushte, Policia e shpalli në kërkim bashkëshortin dhunues për veprat penale “Dhunë në familje”, “Plagosje e rëndë me dashje” dhe “Mbajtja pa leje e armëve të ftohta”.

“Specialistët për Hetimin dhe Parandalimin e Krimeve në Komisariatin e Policisë Krujë shpallën në kërkim dhe po punojnë për kapjen e shtetasit G.Gj., 43 vjeç, pasi dyshohet se në orët e para të mëngjesit, ky shtetas, për motive të dobëta, ka goditur me mjet prerës (thikë), bashkëshorten e tij, shtetasen A.Gj.,37 vjeçe, banuese në Fushë-Krujë, e cila u transportua në spital dhe ndodhet nën kujdesin e mjekëve”, sqaroi Policia nëpërmjet një njoftimi për shtyp.

Materialet hetimore i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Krujë për veprime të mëtejshme, ndërsa vazhdojnë kërkimet për arrestimin e 43-vjeçarit.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat