Atentati ndaj kunatit të Lul Berishës, ja çfarë po hetohet

Shqipëria

Atentati ndaj kunatit të Lul Berishës, ja çfarë po hetohet

Më: 22 qershor 2019 Në ora: 15:26
Makina, me të cilën udhëtonin Plaurent Dervishaj dhe miku i tij Juljan Meçe

“Hakmarrja” dhe “larja e hesapeve” janë dy pista, në të cilat i ka shtrirë hetimet Policia për zbardhjen e atentatit të ndodhur mesditën e së enjtes në Durrës, ku mbetën të plagosur Plaurent Dervishaj dhe Juljan Meçe.

Burime nga grupi hetimor thanë se po punohet me intensitet të lartë në disa drejtime për të zbardhur dhe identifikuar autorët e atentatit që qëlluan mbi mjetin, në të cilin ndodheshin Dervishaj dhe Meçe. Por, më tepër rëndësi u është kushtuar specifikisht dy pistave, hakmarrje dhe larje hesapesh.

Sipas burimeve nga grupi hetimor, do të jetë shumë e vështirë identifikimi i autorëve, pasi edhe të plagosurit nuk është se kanë bashkëpunuar në këtë drejtim. Mësohet se gjatë dëshmisë së tij, Dervishaj ka pohuar se nuk ka arritur t’i dallojë apo identifikojë autorët që sulmuan me breshëri mjetin, me të cilin lëviznin ai dhe miku i tij.

Ndërsa pyetja e Juljan Meçes do bëhet në një moment të dytë, pasi të stabilizohet gjendja e tij shëndetësore. Ai ka marrë tre plumba, në kokë, këmbë dhe shpatull dhe nuk është në gjendje të dëshmojë për hetuesit e caktuar për këtë ngjarje.

Hetimi

Mbi 45 plumba kallashnikovi janë lëshuar në drejtim të makinës së tyre. Sulmi është kryer në befasi, teksa autorët i kanë ndjekur. Mes pistave po verifikohen edhe lidhet me fajdet në Durrës, trafikun e drogës dhe hasmëritë e vjetra me një grup në Vlorë dhe Fier.

“Për shkak të së kaluarës së tyre, kemi ngritur disa pista hetimi dhe po i verifikojmë një e nga një. Në pistat ku jemi fokusuar më tepër janë hakmarrja dhe larja e hesapeve. Kemi shumë pak informacion, pasi Dervishaj dhe Meçe kanë një të kaluar problematike dhe kanë shumë konflikte. Nga ana tjetër, edhe vetë të plagosurit nuk na kanë dhënë detaje rreth autorëve, duke deklaruar se nuk kanë mundur t’i identifikojnë. Kjo na e bën edhe më të vështirë punën për identifikimin e autorëve”, thanë burime nga Policia, duke theksuar se janë shoqëruar rreth 15 persona që kanë dijeni për ngjarjen.

Te plagosurit

Dy të plagosurit në atentatin e ndodhur mesditën e së enjtes në zonën e ishKënetës në hyrje të qytetit bregdetar, shumë pranë autostradës Tiranë-Durrës, janë dy emra të njohur për autoritetet tona. Plaurent Dervishaj dhe Julian Meçaj janë akuzuar për disa ngjarje të rënda kriminale nga drejtësia shqiptare. Plaurent Dervishaj, i cili është kunati i Lulzim Berishës, për më shumë se një dekadë ka qenë një nga personat më të kërkuar nga Interpoli. Ai ishte dënuar në mungesë nga Gjykata për Krime të Rënda për disa krime të rënda në qytetin e burgut, vendim ky i cili u prish nga Gjykata e Lartë. Prej vitesh ai dyshohet se u fsheh në Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Dervishaj ka qenë i dënuar me burg përjetë në mungesë për vrasjen e Arsel Sotirit, Ilir Nelajt, Agim Rexhepit, Dritan Sallakut dhe Dritan Dishës, por ky dënim u rrëzua në Gjykatën e Lartë dhe rigjykimi në Apelin e Krimeve të Rënda i dha atij pafajësi.

Nga ajo kohë, Plaurent Dervishaj është në liri, ndërsa të enjten ka rënë pre e një atentati me armë zjarri duke marrë një plumb në këmbë. Edhe i plagosuri tjetër Juljan Meça është një emër i lakuar edhe më parë në raportimet e kronikës së zezë. Ai ka qenë pjesë e “Bandës së Durrësit”, që drejtohej për 10 vjet nga Lulzim Berisha. Meçja rezulton të jetë një emër i njohur për Policinë. Ai është pjesëtar i grupit të Lulzim Berishës, i njohur për një sërë krimesh në Durrës dhe më gjerë.

Nisur na dëshmitë që Coli ka dhënë në Gjykatë si i penduari i bandës së Lul Berishës, Julian Meçe ishte dyshi i grupit dhe kishte rol të rëndësishëm në planifikimin dhe kryerjen e veprimeve të tyre. Meçe iu bashkua më vonë grupit pasi ai ishte ndarë në dy me rivalët e Indrit Dokles. 36-vjeçari u dënua nga Gjykata e Krimeve të Rënda në atë kohë vetëm për grup të strukturuar kriminal, pasi nuk u gjetën prova në përfshirjen e tij në krimet e zbardhura nga dëshmitari i drejtësisë, Adriatik Coli.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat