Lubonja thirrje Metës: Braktis presidencën, organizo LSI-në

Shqipëria

Lubonja thirrje Metës: Braktis presidencën, organizo LSI-në

Më: 24 qershor 2019 Në ora: 23:48
Ilir Meta dhe Fatos Lubonja

Fatos Lubonja është i mendimit se Ilir Meta nuk duhet të bëjë më ekuilibruesin, por duhet të dorëhiqet nga posti i presidentit.

Duke komentuar në “News 24”, vendimin e fundit të Kolegjit Zgjedhor që e hodhi poshtë dekretin presidencial për anulimit e 30 qershorit, Lubonja theksoi se nuk ka mjet tjetër përpos forcës fizike për të kundërshtuar logjikën e shtetit të forcës që nuk pranon arsye, shkruan lapsi.al, transmeton Klan Kosova.

“Presidentin është ‘duke e ngrënë ujku’, si të gjithë neve dhe është mirë që ai të mos bëjë sikur nuk e kupton këtë. Më mirë Meta ta lërë Presidencën dhe të dalë në krye të LSI-së dhe të organizojë njerëzit. Për mua nuk ka rrugë tjetër, me këtë qëndrim që po mban Edi Rama”.

“Duhet ballafaqim për t’u treguar këtyre që mendojnë se kanë forcë për t’u thënë prit një herë se edhe këtej ka forcë, pasi rastet e fundit tregojnë se në këtë vend nuk ka forcë ligji. Ku ka forcë ligji dhe të gjithë janë nën ligjin që e siguron drejtësia, Gjykata Kushtetuese. Kur s’ka forcë ligji, është forca fizike, ose forca e popullit që reagon”.

Sipas analistit “Dibra ishte shumë e qartë si provë e pa ekuivok se këtu kemi gjithë aktorët kryesor të përfshirë në një grabitje të votës së qytetarëve” prandaj ky regjim që po instalohet duhet përballuar vetëm me rrugën e forcës.

Përdorimi i kësaj force justifikon çdo kënd që nuk i ka mbetur më asnjë shpresë: “Kur ti ke kapur policinë, ku shefat e tu të policisë, siç ishte ai i Dibrës, janë njëkohësisht edhe trafikantë droge që mbjellin hashash dhe shpërndajnë, kur ti ke kapur drejtësinë që mbyll sytë përpara këtyre gjërave, kur ke ministër rendi Sandër Lleshin, një njeri që nuk ka pikën e koshiencës intelektuale” njeriu nuk ka rrugë tjetër tha ai.

Në emër të kësaj logjike sipas Lubonjës edhe presidenti Meta duhet të heqë dorë nga roli i arbitrit institucional, për rrëzimin e Ramës, që duhet të ketë “fundin e sigurt të një diktatori të neveritshëm”.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat