Dash Shehi: Presidenti pritet të vendosë datë të re për zgjedhjet

Shqipëria

Dash Shehi: Presidenti pritet të vendosë datë të re për zgjedhjet

Më: 27 qershor 2019 Në ora: 14:04
Dashamir Shehi

Kreu i LZHK-së, Dashamir Shehi, në emër të Grupimit të Qendrës së Djathtë, deklaroi pas takimit në Presidencë se beson se Ilir Meta do të nxjerrë një dekret për datën e re të zgjedhjeve lokale dhe pritet që vendimi të merret sot. Aleatët e PD-së kanë qenë të parët që kanë kërkuar shtyrjen e zgjedhjeve lokale, edhe përpara se presidenti të nxirrte dekretin për shfuqizimin e 30 qershorit.

“Presidenti ka një ide të tillë që zgjedhjet ligjërisht më 30 qershor nuk do të bëhen. Besoj se do të bëjë një dekret tjetër për zgjedhjet. Mendoj se do të merret gjatë ditës”, u shpreh Shehi.

Sipas Shehit, pritet që me datën e re, zgjedhjet lokale të zhvillohen përpara muajit tetor, kur edhe Bashkimi Evropian do të marrë vendim për hapjen ose jo të negociatave me Shqipërinë.

Aleatët e PD-së, PR, LZHK, PDK, PBDNJ dhe PAA kanë qenë të parët që kanë kërkuar shtyrjen e zgjedhjeve lokale, edhe përpara se presidenti të nxirrte dekretin për shfuqizimin e 30 qershorit.

Aktualisht në Presidencë ndodhen Paskal Milo nga PDS dhe Shpëtim Idrizi nga PDIU, të cilët po diskutojnë me Metën mbi krizën politike.

Më herët gjatë ditës, Meta është takuar me kreun e PD-së, Lulzim Basha dhe nënkryetarin e LSI, Petrit Vasili. Me drejtuesit e opozitës, presidenti ka biseduar mbi krizën politike në Shqipëri.

Ftesa për bisedë iu dërgua nga presidenti dhe edhe kryeministrit Edi Rama, por ky i fundit e konsideroi një “lojë me letra”, duke theksuar se zgjedhjet lokale do të zhvillohen më 30 qershor.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat