Rudina Hajdari flet si Edi Rama: Opozita nuk pranoi 30 qershorin, po pengon hapjen e negociatave. Protestat e dhunshme dëmtuan…

Shqipëria

Rudina Hajdari flet si Edi Rama: Opozita nuk pranoi 30 qershorin, po pengon hapjen e negociatave. Protestat e dhunshme dëmtuan…

Më: 28 qershor 2019 Në ora: 18:15
Rudina Hajdari

Rudina Hajdari kryetarja e Grupit Demokrat në Parlament u ka bërë thirrje qytetarëve që të distancohen nga aktet e dhunshme, të cilat sipas saj nxiten nga interesat e politikanëve.

Hajdari tha sot se Kushtetuta e vendit është e shenjtë dhe nuk dhunohet. Në deklaratën e saj, Hajdari fajëson opozitën jashtë parlamentit që refuzoi të marrë pjesë në zgjedhjet e 30 qershorit dhe kjo solli pasoja shkatërruese ndaj popullit shqiptar.

Ajo ka shkuar më tej, teksa thotë se vendimi i opozitës pengoi rrugën drejtë hapjes së negociatave.

“Nga njëra anë opozita jashtëparlamentare, e cila dogji mandatet e deputetit dhe nuk pranoi të hynte në zgjedhjet e 30 qershorit, pasojat e së cilës janë regresive dhe shkatërruese ndaj popullit shqiptar, po pengon rrugën drejt zhvillimit dhe hapjes së negociatave drejt Integrimit Europian, duke zhvilluar protesta të dhunshme që dëmtuan qytetarin e thjeshtë dhe imazhin e Shqipërisë nëpër tërë botën”, thekson deputetja.

Hajdari në një konferencë nga Kryesia e Kuvendit tha se mungesa e demokracisë brenda partive politike ka çuar në përçarje të elektoratit dhe spektrit politik.

“Duhet të shikojmë me vëmendje se nga vijnë burimet financiare të çdo partie, që tashme duket sikur janë kthyer në korporata që janë në shërbim të kryetarëve të tyre. Mungesa e demokracisë brenda tyre ka sjellë një përçarje të elektoratit dhe spektrit politik.

Kushtetuta është e shenjtë dhe nuk dhunohet. Ne duhet të mbrojmë vullnetin e atyre që luftuan për ta bërë Shqipërinë një anëtare të NATO-s dhe të vazhdojmë të ndërtojmë një shtet që ka të gjitha premisat për t’u futur në Bashkimin Evropian. Politika nuk duhet të bëhet pengesë e integrimit të Shqipërisë dhe të rëndojë mbi jetën e qytetarëve.

Ndaj bëj thirrje për distancim nga nxitja e dhunës nga të gjitha palët për hir të interesit të Shqipërisë. Nuk mund të lejojmë që nga lufta midis politikanëve që shohin vetëm interesat e tyre të ngushtë, të shkatërrohet Shqipëria.

Distancohuni nga dhuna, e mos u bëni pjesë e lojërave të tyre politike që nuk i shërbejnë as ju dhe as vendit.  Të dashur qytetarë, ka ardhur koha që të distancohemi nga këta politikanë që po e thellojnë krizën përditë e më shumë, e të vazhdojmë rrugën europiane për një anëtarësim sa më të shpejtë në BE!”, thekson ajo.

Deklarata e plotë

Jemi përpara një situate të tensionuar politike. Nga njëra anë opozita jashtëparlamentare, e cila dogji mandatet e deputetit dhe nuk pranoi të hynte në zgjedhjet e 30 qershorit, pasojat e së cilës janë regresive dhe shkatërruese ndaj popullit shqiptar, po pengon rrugën drejt zhvillimit dhe hapjes së negociatave drejt Integrimit Europian, duke zhvilluar protesta të dhunshme që dëmtuan qytetarin e thjeshtë dhe imazhin e Shqipërisë nëpër tërë botën.

Nga ana tjetër, qeveria Rama, ka dështuar këto 6 vite të rimëkëmbë ekonominë, të mbjellë shpresë dhe të forcojë institucionet dhe shtetin e së drejtës duke e lënë Shqipërinë shumë mbrapa krahasuar me vendet e rajonit.

Korrupsioni i lartë është burimi i çdo të keqe në këtë vend që nga zbrazja e Shqipërisë e deri te mosndëshkimi i atyre që janë mbi ligjin sot dhe nuk mbajnë përgjegjësi, përkundrazi mbrohen nga drejtësia e kalbur.

Maxhoranca e ka zvarritur zbatimin e reformës në Drejtësi. Reforma në Drejtësi dhe Lufta kundër Korrupsionit deri më sot ka mbetur vetëm në letër. Ky konstatim vërehet qartazi sepse nuk ka Gjykatë Kushtetuese, nuk ka Gjykatë të Lartë, nuk ka procedime dhe gjykime për zyrtarë të lartë shtetëror.

Është e qartë tashmë se cili është mendimi i Ndërkombëtarëve në lidhje me korrupsionin në Shqipëri dhe situatën politike në vend.

Ata ndjekin hap pas hapi ngjarjet në Shqipëri dhe e kuptojnë që çdo gjë që bëjnë politikanët tanë bëhet në ‘saj të manipulimit të opinionit publik dhe në shërbim të mbrojtjes së interesit të tyre, me qëllim zgjatjen e pushtetit me cdo kusht.

E vërteta është se vendet e Bashkimit Evropian duan të shohin fakte dhe rezultate konkrete të Reformës në Drejtësi dhe të luftës kundër korrupsionit e kriminalilitetit në rangjet më të larta sepse është e vetmja mënyrë që ne mund t’i shërbejmë qytetarëve Shqiptare, si vend aspirant për në BE.

Pa patur zgjedhje të lira dhe paqësore, ne nuk jemi asgjëkundi. Ndryshimi i sistemit zgjedhor është një nevojë imediate për popullin shqiptar. Ne duhet të implementojmë sa më shpejt rekomandimet e OSBE/ODHIR-it dhe të luftojmë fenomenin e shitblerjes së votës.

Duhet të shikojmë me vëmendje se nga vijnë burimet financiare të çdo partie, që tashme duket sikur janë kthyer në korporata që janë në shërbim të kryetarëve të tyre. Mungesa e demokracisë brenda tyre ka sjellë një përçarje të elektoratit dhe spektrit politik.

Kushtetuta është e shenjtë dhe nuk dhunohet. Ne duhet të mbrojmë vullnetin e atyre që luftuan për ta bërë Shqipërinë një anëtare të NATO-s dhe të vazhdojmë të ndërtojmë një shtet që ka të gjitha premisat për t’u futur në Bashkimin Evropian. Politika nuk duhet të bëhet pengesë e integrimit të Shqipërisë dhe të rëndojë mbi jetën e qytetarëve.

Ndaj bëj thirrje për distancim nga nxitja e dhunës nga të gjitha palët për hir të interesit të Shqipërisë. Nuk mund të lejojmë që nga lufta midis politikanëve që shohin vetëm interesat e tyre të ngushtë, të shkatërrohet Shqipëria.

Distancohuni nga dhuna, e mos u bëni pjesë e lojërave të tyre politike që nuk i shërbejnë as ju dhe as vendit.  Të dashur qytetarë, ka ardhur koha që të distancohemi nga këta politikanë që po e thellojnë krizën përditë e më shumë, e të vazhdojmë rrugën europiane për një anëtarësim sa më të shpejtë në BE!

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat