Repishti: Kriza në Shqipëri, artificiale; dhunës t’i thuhet “jo”

Shqipëria

Repishti: Kriza në Shqipëri, artificiale; dhunës t’i thuhet “jo”

Më: 28 qershor 2019 Në ora: 18:39
Sami Repishti

Sami Repishti, një ndër veprimtarët e njohur të komunitetit shqiptaro amerikan dhe ish-i dënuar politik, i tha me telefon Zërit të Amerikës se kriza e tanishme politike në Shqipëri ka natyrë artificiale. Ai tha në një intervistë se dhunës i duhet thënë jo, sepse ajo nuk ka vend në një shoqëri të qytetëruar. Zoti Repishti shprehu gjithashtu pikëpamjen se data e zgjedhjeve vendore të 30 qershorit mund të ishte shtyrë. Me zotin Repishti bisedoi kolegu ynë Ilir Ikonomi:

Dr. Repishti, si erdhi Shqipëria në këtë udhëkryq?

Dr. Sami Repishti: Kjo krizë ka karakter artificial. Për mendimin tim është rezultat i konfrontimeve të vazhdueshme ndërpartiake në betejën e tyre për pushtet. Në filozofinë politike shqiptare, pushtet do të thotë pushtet absolut, nuk ka gjë tjetër. Atëherë cila është dilema? Partia Socialiste është trashëgimtare e Partisë së Punës së Shqipërisë dhe kërkon pushtetin që e humbi në vitin 1990. Partia Demokratike, që është viktimë e Partisë së Punës të Shqipërisë, kërkon pushtetin që i takon si kundërshtarë të komunizmit. Ky problem do të ishte zgjidhur me kohë, me zgjedhje të lira, por kjo nuk ngjau. Zgjedhjet u akuzuan si të vjedhura, vendi u zhyt në arbitraritet, në korrupsion, parlamenti u kthye në agjenci të ekzekutivit, gjykatat u korruptuan. Sot kemi Gjykatën Kushtetuese vetëm me një anëtar, kur duhet të ishin 11.

Shumë njerëz janë të hutuar, nuk e dinë se si do të jetë e ardhmja, të tjerë e shohin zgjidhjen te dhuna. Çfarë mesazhi keni ju për këta njerëz?

Dr. Sami Repishti: Me thënë të drejtën edhe unë jam i hutuar. Nuk e kuptoj pse po krijohen këto situata. Por e para gjë që kam për të thënë është: Jo dhunë. Unë kam shumë frikë nga dhuna. Dhuna nuk ka vend në një shoqëri të qytetëruar. Pikë!

Zoti Repishti, ç’mendoni për qëndrimet dhe komentet e ndërkombëtarëve lidhur me këtë krizë?

Dr. Sami Repishti: Janë shumë me rëndësi. Dhe kjo është një e metë e madhe që po përsëritet në Shqipëri. Është krijuar mentaliteti në kohën e komunizmit se ne nuk kemi nevojë për botën e jashtme se ne i bëjmë të gjitha. S’është e vërtetë! Përsa i përket ndërhyrjes së tashme të qeverisë amerikane, unë me keqardhje them, por nuk e aprovoj. Nuk besoj se është çështja aq e thjeshtë sa të merret një vendim që të mbahen votimet më 30 qershor sepse kështu ka thënë Kryeministri. Kërkesa për ndryshimin e datës së votimeve që ka bërë Presidenti i Republikës, për mendimin tim është logjike dhe nuk do t’i kushtonte asgjë Partisë Socialiste sikur ta ndryshonte këtë datë./VOA

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat