Në burg për helmimin e vjehrrës! Zbardhet dëshmia e nuses: Gjatë rrëfimit te hoxha kam qenë në gjumë

Shqipëria

Në burg për helmimin e vjehrrës! Zbardhet dëshmia e nuses: Gjatë rrëfimit te hoxha kam qenë në gjumë

Më: 29 qershor 2019 Në ora: 18:18
Marjana dhe Erjon Çmeta

Për rreth 1 orë, Marjana Çmeta, në dukje e qetë, dha versionin e saj për vrasjen e vjehrrës, Lirije Lami, duke mohuar autorësinë.

Prokuroria për Krime të Rënda e akuzon të renë se ka helmuar vjehrrën e saj me fostoksinë, ndërsa provën më të fortë ka një video të vetë Marjanës, e cila përballë një hoxhe pranon krimin dhe tregon detaje për mënyrën e vrasjes.

Sa i takon këtij rrëfimi në videon që zgjat 78 minuta dhe që Prokuroria e ka dorëzuar para Gjykatës, Çmeta tha se nuk mbante mend asgjë të tillë dhe se hoxhë Hysen Shehu, i marrë i pandehur për këtë ngjarje, por për moskallëzim krimi, i kishte dhënë asaj një hudhër kur kishte shkuar dhe atë mund ta kishte zënë gjumi.

Image
Marjana Çmeta

“Duket sikur po dëgjoj historinë e dikujt tjetër”, tha ajo kur u pyet nëse e kishte parë videon. Gjatë seancës së djeshme, Prokuroria lexoi edhe provat shkresore, ndërsa procesi është tashmë në fazën e marrjes së provave të mbrojtjes.

Deshmia

Në rrëfimin e saj para Gjykatës, Marjana Çmeta tregoi se në ditën e ngjarjes ishte zgjuar herët dhe kishte shkuar në shtëpinë e ish-burrit për të bërë punët e shtëpisë dhe përgatitur atë për në punë.

Çmeta tha se në momentin që Lirije Lami kishte shkuar në shtëpi, e kishte pyetur se si ishte dhe nuk kishin bërë bisedë të gjatë. Sipas të pandehurës, viktima i kishte shprehur shqetësim për sjelljen e vajzës së vet.

“Në datën 30 maj jam zgjuar herët për të shkuar te shtëpia e ish-bashkëshortit tim, pasi ishte në banesën e prindërve të mi. Shkova herët që t’i bëja gati këmishat për punë Oltonit dhe të bëja punët e shtëpisë. Kam përcjell për në punë ish-bashkëshortin dhe u ktheva në banesë. Pak më vonë ka ardhur Lirije Lami, e cila sillte gjithmonë qumësht dhe atë ditë do të mbillte dhe disa fidan domate. Kur erdhi, i fola, e pyeta se si ishte dhe më tha se i dhembte pak koka, ndërkohë po kërkonte fidanët që do të mbillte. U largua për ca minuta dhe unë vazhdova në shtëpi, kur u kthye ishte e shqetësuar dhe më tha se vajza e saj ishte larguar nga fshati me nerva. Më tha se e shqetësonte sjellja e saj. Unë i thashë që edhe Olti është i acaruar këto kohë dhe zgjohet me nerva”, tha Marjana Çmeta.

Image

Diskutimi

Biseda lidhur me nervozizmin e kunatës së saj dhe Oltionit, sipas Marjanës, kishte shkuar në një debat sa i takon përdorimit të magjisë dhe shkuarjes te hoxha për të zgjidhur situatën. E pandehura tha se i kishte thënë Lirije Lamit se jo për çdo gjë duhet të shkonin në një hoxhë për zgjidhje të problemeve, pasi mund ta zgjidhnin problemin duke biseduar me njëritjetrin.

“Në lidhje me largimin e vajzës së saj të mërzitur, pasi kishte probleme edhe me burrin, më tha se nuk kishte se çfarë të na bënte më ne, pasi na kishte çuar në disa hoxha që të na rregullonte. Ne kemi pasur debate për shumë gjëra, por si çdo çift. Ndërkohë, një nga rastet e sherreve mes meje dhe Oltionit është për faktin se lekët që ishin për shkollën time, ai i merrte dhe i harxhonte për kafe e cigare. Unë ndonjëherë nuk shkoja në shkollë, pasi ato lekë shpenzoheshin. Debatuam në lidhje me shkuarjen te hoxha dhe më tha se nuk e bënte për keq, por për të zgjidhur zënkat dhe çfarë na ndodhte. E di që nuk na ke çuar për keq, i thashë, por nuk është zgjidhje që gjithmonë të shkojmë atje. Ndërkohë, për të më treguar për shkuarjet te hoxha me tha se do shkonte ta diskutonte edhe me një të afërme tonën, por unë i kërkova të mos shkonte, pasi nuk më pëlqente që të diskutonim për gjërat e familjes me të gjithë. Lirija këmbënguli dhe donte të shkonte, por unë i mbylla derën me çelës që ta pengoja. Jemi konfliktuar te dera me të shtyra, ku unë u rrëzova dhe ndjeva dhimbje se isha 5-muajshe shtatzënë. Në këtë moment, i kam thënë se nëse humbisja fëmijën, do ishte për fajin e saj. Jemi ndarë dhe unë shkova në dhomën time, gjatë kësaj kohe kam dëgjuar zhurmë në shtëpi, por nuk kam parë se çfarë ndodhi. Dola pak më vonë dhe pashë që ishte shtrirë në krevatin e saj, u futa sërish në dhomën time dhe kur po shkonte ora 12, m’u duk e çuditshme që nuk kishte ikur, pasi në atë orë largohej gjithmonë.

Dola të kontrolloja dhe pashë që ishte përtokë në krah të krevatit. I kam thirrur, nuk m’u përgjigj dhe më pas kam lajmëruar familjarët e ish-burrit dhe e kemi marrë për ta çuar në spital. Atë ditë unë jam vizituar te gjinekologu, pasi nuk isha mirë dhe shkova me Oltionin. Ai më tha se duhet të shtrohesha në spital, por nuk pranuam pasi kishim rastin e vdekjes”, tha e pandehura.

Prokuroria

Sipas Prokurorisë, provohet tej çdo dyshimi se shtetasja Marjana Çmeta në datën 30 prill 2017 gjatë kohës që ka qenë në banesën e saj së bashku me vjehrrën, viktimën Lirije Lami, i ka ofruar të pijë një lëng frutash në të cilën kishte hedhur një tabletë fostoksinë dhe se këtë helm e kishte marrë që më parë dhe e kishte ruajtur për të realizuar këtë vepër dhe për ta bërë që të dukej si vetëhelmim.

Më pas, duke parë që viktima nuk po ndërronte jetë, ajo ka kryer dhe veprime fizike duke e mbytur me shall dhe, pas reagimeve të viktimës, e ka kafshuar në fytyrë dhe pjesë të tjera të trupit. Më pas, ka njoftuar vëllain e burrit të viktimës, banesa e të cilit ka qenë pranë dhe e kanë transportuar për në spital, duke e paraqitur si të vetëhelmuar.

Edhe në deklarimet e para, kjo shtetase ka mohuar që të ketë kryer krimin, duke dhënë alibinë se viktima gjatë kohës që ka qenë në banesë ka qëndruar për rreth një orë në një dhomë tjetër dhe kur ka shkuar, e ka parë shtrirë dhe në gjendje të rëndë, ka njoftuar të afërmit dhe e kanë dërguar në spital.

Çmeta: Më duket si histori e dikujt tjetër, jo imja

Në dëshminë e saj, Marjana Çmeta tregoi se për herë të parë hoxhë Hysenin e kishte takuar tri ditë pas vdekjes së Lirije Lamit. Ai ishte te shtëpia e ish-burrit, ndërsa, sapo e kishte parë, i kishte thënë Marjanës se e dallonte që ishte e shqetësuar. E pandehura pretendoi gjithashtu, se hoxha i kishte ofenduar familjarët e ish-burrit të saj dhe se nuk e kuptonte pse. Për momentin e videos, Çmeta pretendoi se nuk mbante mend asgjë dhe tha se me shumë gjasë, atë e ka zënë gjumi.

Duke mohuar të ketë qenë koshiente për ato që ka thënë në atë video, e pandehura shtoi se kur dëgjon për këtë histori, i duket sikur dëgjon për dikë tjetër dhe jo për veten. “Tri ditë pas vdekjes në shtëpi ka ardhur hoxhë Hyseni, ai ishte duke folur me motrën e Oltionit. Aty është kontakti im i parë me të dhe më tha se më shikonte të shqetësuar dhe se unë kisha një hall të madh. I kam thënë se nuk kam asnjë hall, por ai këmbënguli që mund të më dallonte dhe psikologjiste që isha e shqetësuar. Ai më ka sharë edhe ish-burrin dhe familjarët e tij, më thoshte gjëra që nuk kishte pse, dhe unë nuk e kuptoj pse e ka bërë.

Disa ditë më pas, familjarët e ish-burrit i kërkuan vëllait tim që të më çonte të hoxhë Hyseni dhe ai më ka çuar. Kur isha aty, jam futur vetëm, pasi hoxha ia kërkoi vëllait këtë. Mbaj mend vetëm që më tha ‘Marjana më shiko në sy, më shiko në sy. Fol, fol’ dhe pas kësaj nuk mbaj mend asgjë. Mendoj se më ka zënë gjumi dhe nuk mbaj mend asgjë. Kur kam hapur sytë, kërkova vetëm ujë. Për videon, unë nuk e kam parë, por më kanë thënë që mban detaje për vrasje. Duket sikur po dëgjoj historinë e dikujt tjetër. S’e di si më ka bërë që të them ato gjëra”, tha Çmeta.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat