Edi Rama në krizë të thellë politike, ka një thirrje publike për Lulzim Bashën

Shqipëria

Edi Rama në krizë të thellë politike, ka një thirrje publike për Lulzim Bashën

Më: 30 qershor 2019 Në ora: 07:29

(E plotësuar) - Duke folur për të nesërmen që vjen pas 30 qershorit, kryeministri Edi Rama u mbulua në djersë në konferencën për shtyp.  Ai u shpreh i bindur se bashkitë që ka marrë, PS do ti drejtojë për 4 vitet e ardhshme, ndërsa shtriu dorën për dialog.

“Nëse duan paqe politike, paqe do të kenë. Dhe paqja mund të fillojë vetëm duke u tërhequr nga sulmet kundër Shqipërisë në gjuhë të huaj. Nëse duan marrëveshje për Shqipërinë, marrëveshje do të kenë. Marrëveshja do të ndërtohet me dialog, pa kushte, të angazhohemi të gjithë bashkërisht për të ndihmuar çeljen e negociatave. Mund të bëjmë më shumë në favor të çeljes në negociatave”, ka thënë Rama pas zgjedhjeve.

Ai ka shtuar se reformat zgjedhore mbetet sfidë e përbashkët me opozitën.

“Dora ime është e shtrirë. Reforma zgjedhore mbetet një sfidë e përbashkët me opozitën parlamentare dhe atë jo parlamentare. Kjo e fundit ka një karrige bosh dhe mirëpritet. Reforma në drejtësi nuk negociohet, por vetëm mbështetje. Nuk jam për pazar politik, për të penguar drejtësinë për të vazhduar punën majtas apo djathtas”, tha Rama duke paralajmëruar dhe të vetët se askush nuk do të tolerohet, apo do të mbrohet.

***

Ashtu siç u lajmërua kryeministri Edi Rama ka dalë në një deklaratë për shtyp.

Rama e ka quajtur ditën e sotme një moment historik dhe ditën kur fitoi shteti e ardhmja, qytetaria, shpresa.

“Moment historik, sot ishte 30 qershori i një Shqipërie që për shumë muaj përjetoi përcarje të rendë politike, për të ndaluar ecjen tonë para dhe integrimit të popullit shqiptar në BE.

Sot ishte dita e zgjedhjeve që u kthye muaj pas muaj në ditën kulmore të një përplasje historike mes të shkuarës dhe të ardhmes, mes anti shtetit dhe shtetit, mes pandëshkueshmërisë dhe drejtësisë, mes Shqipërisë së vjetër, të fantazmave te historisë dhe Shqipërisë së drejtë.

Sot fitoi shteti e ardhmja, qytetaria, shpresa.

***

Kryetari i Partisë Socialiste dhe kryeministri i Shqipërisë Edi Rama pritet që në orën 21 të dalë para gazetarëve në një konferencë për media.

Rama pas votimit në fshatin Surrel ka qëndruar tërë ditën në selinë  e PS-së ndërsa pas mbylljes së vendvotimeve ka dal nga selia për t’u kthyer në orën 21:00.

Në orën 19:00 janë mbyllur të gjitha vendvotimet që ishin hapur në orën 7 të mëngjesit.

E veçanta e këtyre zgjedhjeve është se u zhvilluan pa opozitën e madhe, e cila procesin e sotëm e kundërshtoi edhe me protesta.

Zgjedhjet lokale u monitoruan nga 150 vëzhgues të OSBE, gjithashtu nga misionet e ambasadave të huaja në Shqipëri.

Policia e Shtetit ka angazhuar 7779 efektivë, prej të cilëve 5876 punonjës po angazhohen për ruajtjen e objekteve dhe 1450 të tjerë janë në gatishmëri të procesit zgjedhor. Gjatë ditës në Tiranë dhe qytete të tjera janë mbajtur protesta nga opozita, duke thënë se këto zgjedhje janë vetëm votime, dhe se të njëjtat po bëhen sikur në kohën e diktaturës. Ndërsa kryeministri Edi Rama pasi hodhi votën e tij tha se dita e sotme konfirmon që me popullin nuk luhet dhe se kush tenton të ia marrë sovranitetin popullit, fundin e ka me dështim.

***

Orari zyrtar i votimeve të 30 qershorit ka përfunduar. Në përgjithësi procesi ka kaluar pa incidente.

Kështu në  Korçë kanë mbërritur kutitë e para në KZAZ 72. Në bashkinë Kolonjë kishte një pjesëmarrje prej 31.3%. Bashkia Maliq – 14547 ose 29.7%.

Bashkia Pustec – 2417 ose 57.5%. Bashkia Kolonje – 5013 ose 31.3%.

Po ashtu është mbyllur procesi i votimit në Skrapar. 31 përqind e votuesve kanë marrë pjesë.

Ka nisur mbyllja e qendrave të votimit në Lushnjë, ku të pranishëm kanë qenë edhe vëzhgues të OSCE-së dhe ku nuk janë regjistruar probleme.

Edhe në Lezhë ka nisur procesi i mbledhjes së kutive. E njëjta gjë edhe në Vlorë dhe Elbasan.

Janë mbyllur zyrtarisht votimet edhe në Bulqizë deri tani nuk është shënuar asnjë incident. Priten ardhja dhe dorëzimi i kutive të votimit pranë KZAZ nr 18.

Edhe në Shkodër nisi mbyllja e qendrave të votimit në Shkodër.

Në Memaliaj pjesëmarrja është regjistruar me 25% , në Dropull 2552 vota nga 20 mijë votues, pra 12,7%.

Mbyllet zyrtarisht procesi i votimit në Shqipëri

Ka përfunduar tashmë orari zyrtar i votimit për zgjedhjet e 30 qershorit, një proces i kontestuar fort nga ana e opozitës e cila ka deklaruar se nuk do ta njohë rezultatin.

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve pritet të japë shifrat zyrtare në lidhje me përqindjen e qytetarëve që kanë shkuar në kutitë e votimit. Nga raportimi i fundit, numri i votuesve ishte 15.5% e qytetarëve me të drejtë vote, numër i cili në total kap një shifër prej mëse 3.5 milionë shqiptarësh.

Nga ana e saj, opozita e ka hedhur poshtë këtë shifër, duke u shprehur se në votime kanë shkuar rreth 10% e popullsisë me të drejtë vote.

Në tërësi procesi i votimit ka kaluar pa incidente serioze. Nga ana e opozitës dhe medias ka patur një sërë denoncimesh me foto dhe video në lidhje me një sërë parregullsish, ndërsa në disa zona të Shqipërisë në votim nuk kanë shkuar fare qytetarë, siç që rasti i fshatit Ngraçie në Mallkastër, ku kishte votuar vetëm një person.

Zgjedhjet në Shqipëri: Gjithçka që duhet të dini rreth votimit të së dielës (Drejtpërdrejt)

Qytetarët në Tiranë thonë se presin të bëhet më mirë nga zgjedhjet e sotme. Ata që kanë dalë të ushtrojnë të drejtën e tyre për votim, thonë se duan paqe dhe ecje përpara për qytetin dhe gjithë Shqipërinë.

Skender Shahini, për KosovaPress thotë se  këto zgjedhje janë shuplakë për Partinë Demokratike, duke vlerësuar se këto zgjedhje kanë shkuar ashtu siç duhet.

Shahini: Këto zgjedhje janë shuplakë për Partinë Demokratike

“Më të mirat, këto zgjedhje janë shuplakë për Partinë Demokratike, sepse pretendonte që gjoja që po bëheshin shkelje, por ja që zgjedhjet u bënë, kanë thënë se do të bëhet katastrofë, do të bëhet kështu-ashtu. U bë votim i qetë, normal, njerëzit po votojnë, pjesëmarrja ka qenë shumë e mirë edhe vazhdojnë të vijnë”, thotë ai.

E Marjeta Resuli thotë se ka ardhur në pushime vetëm që të votojë,  në mënyrë që të ushtrojë të drejtën e saj të votës.

Resuli: Ne presim qetësi dhe paqe në mes forcave politike

“Nga këto zgjedhje presim qetësi, paqe mes forcave politike dhe njëkohësisht populli të jetë i qetë, e të gjej zgjidhje, të gjej përkushtimin e forcave politike për popullin. E të dijnë që ka ligj, të administrojë ligjet dhe jo ide të secilit”, thotë Resuli.

Xhevrie Pisha, thotë se ka ardhur nga puna direkt për të votuar, për çka thotë se pret më të mirën për të gjithë.

Pisha: Nuk duam shkatërrim, duam të ecim përpara

“Me shpejtësinë më të madhe, nga puna direkt... Ne presim gjithmonë më të mirën, nuk presim që të shkojmë poshtë, do të rregullohet çdo gjë sepse nuk rregullohet me një të rënë të lapsit, avash avash rregullohen gjërat. Jo duke bërtit, jo duke gërthit, duke u zënë, duke hedhur bomba, nuk janë gjëra të mira për neve, ne nuk duam më të shkatërrohemi, duhet të ecim përpara”, thotë Pisha.

Që nga ora 7 e mëngjesit qytetarët e Shqipërisë kanë mundësi të votojnë për të zgjedhur 61 kryetarët e bashkive. Qendrat e votimit do të jenë të hapura deri në orën 19:00.  Zgjedhjet lokale po monitorohen nga 150 vëzhgues të OSBE, gjithashtu nga misionet e ambasadave të huaja në Shqipëri.

Policia e Shtetit ka angazhuar 7779 efektivë, prej të cilëve 5876 punonjës po angazhohen për ruajtjen e objekteve dhe 1450 të tjerë janë në gatishmëri të procesit zgjedhor.

Këto zgjedhje që po mbahen pa pjesëmarrjen e opozitës së madhe.

Gjatë ditës në Tiranë dhe qytete të tjera janë mbajtur protesta nga opozita, duke thënë se këto zgjedhje janë vetëm votime, dhe se të njëjtat po bëhen sikur në kohën e diktaturës.

Eskalon situata: Raportohet për të lënduar në një qendër votimi në Shqipëri

Një incident ka ndodhur në një nga qendrat e votimit në Skrapar ku raportohet dhe për të lënduar.

Konkretisht në qendrën 3554, ku i dëmtuar ka mbetur Astrit Nurellari i LSI i cili ndodhet në spital.

Ndërsa mësohet se konflikti ka qenë pasi doktori i spitalit Astrit Dyrmishi nga PS ka qenë doktor, ku dikur ka hequr nga puna Nurellarin.

Konflikti ka nisur para Qendrës së votimit.

Skandaloze, KQZ e Shqipërisë publikon rezultatet teksa ende po votohet

Kryetari i Komunës së Drenasit, Ramiz Lladrovci ka udhëtuar sot për në Shqipëri.

Atje Lladrovci ka shkuar që të votoj në zgjedhjet lokale që po mbahen.

Nga Tirana, kryetari i Drenasit ka postuar disa fotografi me familjen e tij.

“Çdo herë Tirana të ofron qëndrim të këndshëm. Ashtu ishte edhe sot kur me familje, takuam miqtë tanë.” 

“Gjatë kësaj vizite, munguan vetëm dy futbollistët që ndodhen në grumbullimin për garat në Ligën e Kampionëve.”

“Tirana ka marrë pamje të metropolit të mirëfilltë për këtë pjesë të Evropës. Përgëzime Z.Veliaj.”, ka shkruar Lladrovci në postimin e tij.

Vlen të kujtojmë që Ramiz Lladrovci në të kaluarën ka qenë Ambasador i Kosovës në Shqipëri.

Image

***

Ndërkohë, Partia Demokratike, Dega Shkodër ka dalë në një deklaratë për shtyp, ku ka zbuluar arsyen e këtij vendimi, teksa ka dënuar ashpër vendimin për të nisur procedimin penal për kryetaren aktuale të Bashkisë Shkodër, Voltana Ademi.

Deklaratë për shtyp nga Partia Demokratike Dega Shkodër

"Janë të vetëm kur votojnë dhe të vetëm kur i numërojnë. Siç shihet edhe në ekzekutimin e dhunshëm të kësaj farse të zhvillimeve, gjoja të qeta të këtyre votimeve për autoritetet lokale, pa asnjë lloj transparenca dhe në fshehtësi të plotë, të cilat Institucioni mjaft i fuqishëm Ndërkombëtar, Kongresi Europian i autoriteve lokale pranë Këshillit të Europës i braktisi disa ditë më parë. 

"Edhe qytetarët e Shkodrës kanë vendosur ta braktisin procesin, duke shprehur njëherazi mospajtimin me këto forma që sjellin sundimin Parti-Shtet. Ai sjellë vetëm zhvillime në jetën politiko-shoqërore të një qyteti dhe të një vendi, forcon demokracinë dhe social-ekonomik. Krejt kundër është kjo situatë dramatiko-komike që po luajnë autorët e partisë-shtet me votime anti-kushtetuese që do të thotë se do të kontrollojnë në detaje jetën e çdo qytetari, si dhe mbijetesën e tij, duke ushtruar presion policor sot në këto ditë, e imagjino se çfarë do të jetë e ardhmja e tyre me këtë mendje krejtësisht të spazuara. A kemi të drejtë të mos besojmë? 

"Po. Sepse besojmë te përbuzja që populli i Shkodrës po i bën këtyre votimeve, ndaj po punojmë që të mos lejojmë që këto votime, vetë të votojnë dhe vetë të numërojnë. Të mos arrijmë që të abuzojnë, duke rritur fiktivisht numrat e votueseve. Në këto momente ka vetëm shifra dëshpëruese për Edi Ramën. Përqindje që numërohen me gishtat e dorës. Nuk është Shkodra asnjëherë kaq e vogël, por e vogël mbetet gjithmonë vetëm imagjinata e tyre për këtë qytet. Ndërsa për pjesën e dytë, atë të kino-komedisë, votimet 2019 shtojmë: Partia Demokratike, Dega Shkodër denoncon me forcë aktin e turpshëm të procedimit penal të bërë nga policia e shtetit në adresë të zonjës, Voltana Ademi, kryetare e Bashkisë Shkodër, me veprën penale "Pengim i zgjedhësit". 

"Kjo është një formë flagrante dhe presioni që ushtrohet jo vetëm ndaj Autoriteteve Legjitime më të larta të qeverisjes vendore në Shkodër, por edhe kundrejt gjithë qytetarëve të saj. Së pari, kryetarja e Bashkisë së Shkodrës, ka nxjerr një akt plotësisht të bazuar në ligj, duke qënë në përputhje të plotë me aktin e titullarit të pronësisë, ligji mbi vetëqeverisjen vendore. Së dyti, bazuar në dekretet e Presidentit të Republikës, Autoriteti i vetëm kushtetues cakton datën e zgjedhjeve, koha e ditës së zgjedhjeve është spostuar në një datë tjetër. Partia Demokratike, Dega Shkodër i bën thirrje Policisë së shtetit që të marrë përgjegjësitë ligjore për ruajtjen e rendit dhe të qetësisë, sidomos të identifikojë dhe të dërgoj para ligjit autorët e akteve të dhunshme që kanë ndodhur kohët e fundit, me pasojë dëmtimin e pronës publike, si me Pallatin e Sportit, gjithashtu dhe objekte në pronësi të Bashkisë Shkodër. S'na mbetet tjetër vetëm të themi: Le ta kuptojnë braktisjen tonë qytetare, në vetminë e letrave të tyre të Realizmit Rilindas."

***

Është shoqëruar në polici një ish efektiv nga fshati Barc.

Nuk dihen ende arsyet e shoqërimit të Resul Ravollit, 55 vjeç.

Por raportohet se dyshohet se shoqërimi i tij është bërë për pengimin e procesit zgjedhor.

***

Sot në këtë ditë zgjedhjesh, të drejtën për të votuar e kanë edhe të dënuarit. Konkretisht në Qendrën e Votimit 938/2, e instaluar në Burgun e Burrelit, deri në orën 13.00, kane votuar 50 %  të personave, përfshi këtu të dënuar dhe të paraburgosur, që kanë të drejtë vote. Në total në këtë burg 113 persona kanë të drejtë votë.

Ndërkohë në ZAZ nr.16, në  Burrel, deri në  orën 13.00 kanë votuar 5612 persona nga 29.542 votues, e përkthyer ndryshe në 19 % e votuesve. Nga kjo shifër, 46 % e votuesve janë femra. Në ZAZ nr17,  në Klos, deri në orën 13, kanë votuar 2.160 persona nga 15.628 votues, e përkthyer ndryshe në 13.8 %.

***

Kryetari i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve në Shqipëri, Klement Zguri ka thënë se rezultatet e prezantuara në orën 11:00 nuk janë zyrtare dhe se shifrat e njëjta kanë ardhur vetëm përmes komunikimeve telefonike me KZAZ-të.

Zguri në një deklarim për media, ka thënë se shifrat e prezantuara kanë ardhur përmes komunikimeve telefonike të specialistëve të KQZ-së me KZAZ-të dhe janë marrë përmes komunikimeve telefonike me sekretarët e qendrave të votimit.

Zguri: Nuk janë rezultate zyrtare

"Duke ditur të themi edhe mbarëvajtjen aktuale të të gjithë administratës zgjedhore, unë besoj që këto shifra minimalisht nuk janë të besueshme pa u konfirmuar zyrtarisht nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve. Kjo është ajo qe unë mund të them tani, e them edhe njëherë nuk janë zyrtare, janë paraprake dhe vijnë vetëm përmes komunikimit telefonik”, tha ai.

Image

Zguri nuk komentoi për veprimet e tij ku në çdo mbledhje vota e tij është kundër, ndërkohë bëri të ditur se ende nuk ka votuar.

Skandal, KQZ publikon rezultatet teksa ende po votohet

Gjashtë orë përpara përfundimit të afatit të votimit, Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka filluar njoftimin e rezultateve të votimit, duke ngjallur dyshime serioze për manipulim të parapërgatitur zgjedhor.

Përmes grafikëve të botuar në faqen e KQZ rreth orës 11 të peradites së sotme, njoftohet se janë numëruar 18 kuti, nga 21 në total, për Bashkinë Mirditë.

Nga ky rezultat “paraprak”, KQZ njofton se kandidati socialist në Mirditë, Ndrec Dedaj është në avantazh me 60 për qind të votave ndaj kandidatit të pavarur Gjon Ndoj me 40 për qind të votave.

Ky rezultat “paraprak” është korrigjuar menjëherë nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve i cili ka rifreskuar informacionin në faqen zyrtare për rezultatet e votimeve në Mirditë.

Exit.al bëri një regjistrim live të faqes së KQZ-së teksa “korrigjon” rezultatet e dhëna pak më parë.

Image

Në video shihet (sipas sekondazhit) se si:

0’00”: KQZ raporton rezultatet për Mirditën

0’11”: Rifreskohet informacioni

1’09”: Faqja e “korrigjuar”

Ndërkohë KQZ reagoi lidhur me akuzat duke i përgënjeshtruar me argumentin se po testonte faqen gjatë kohës së procesit të votimit.

Cakaj voton, “detyrim qytetar dhe kombëtar”

Ministri në Detyrë për Evropën dhe Punët e Jashtme Gent Cakaj ka votuar sot në Tiranë.

Pas një prononcimi për mediat, Cakaj shkruan edhe në Facebook se përse këto zgjedhje janë të rëndësishme për Shqipërinë.

“Nga njëra anë, manifestimi i vullnetit të lirë me të drejtën e votës për të zgjedhur strukturat e pushtetit vendor dhe, nga ana tjetër, dhënia e një shembulli historik se qëndrueshmëria e institucioneve dhe kalendari kushtetues i Shqipërisë është përmbi llogaritë e ngushta të çfarëdo partie politike,” thekson Cakaj. Mbarëvajtja e zgjedhjeve vendore është pothuajse aq e rëndësishme sa mbajtja e tyre kësaj radhe, thotë Ministri në Detyrë. “Nuk duhet të ketë asnjë pengesë në të drejtën e qytetarëve për të zgjedhur dhe për t’u zgjedhur. Sjellja e përgjegjshme, paqësore dhe e qetë e gjithsecilit është detyrim qytetar dhe detyrim kombëtar,” shkruan Minstri në Detyrë për Evropën dhe Punët e Jashtme.

Image

Cakaj inkurajon për pjesëmarrje sa më masive të gjithë shqiptarët “për ta bërë Shqipërinë më të mirë.”

***

 Demokrati Ervin Salianji në një lidhje direkte për Top Channel me Eni Vasilin ka folur për situatën e deritanishme në qarkun e Korçës, ku ai edhe ndodhej.

Sipas tij pjesëmarrja ka qenë e ulët ndryshe nga çfarë KQZ sipas tij ka treguar.

“Në gjithë qarkun e Korçës ka pjesëmarrje të ulët rreth 3 përqind. 5600 votues, në Devoll edhe më pak. Këto janë një palë zgjedhje të brendshme të PS, shpërdorim të parave të shtetit për votime farse, KQZ ka dhënë shifra false.

Qendrat e votimit kanë qenë pothuajse bosh, edhe Voskopi. Për Shqipërinë dhe demokracinë kjo është një ditë e zezë, sepse qytetarët nuk kanë mundësi të zgjedhin, pasi s’ka zgjedhje, por votime.

Kjo është një humbje e madhe për Shqipërinë, PS dhe për ne. Për mua është fillimi i një betejë tjetër për PD për të mos lejuar një diktaturë”, tha ai.

***

Një incident është shënuar në Durrës pak minuta më parë, ku një i mitur është dhunuar.

Ngjarja ka ndodhur në Katundin e Ri, ku burime bëjnë me dije se një fëmijë që bërtiste “Rama ik!” është dhunuar nga administratori i njësisë, përfaqësues i PS-së.

Mësohet se në Katundin e Ri tensionet kanë qenë të shumta, dhe është thyer dhe kutia e votimit.

Image

***

Një tjetër skandal është shënuar në Dërmenas, Qarku Fier.

Administratori i kësaj njësie kapet duke shpërndarë pako me ushqime ditën e votimeve.

Dilaver Shyti, administratori i caktuar nga PS, ka marrë përsipër që të rrisë numrin e votuesve duke blerë votën me ushqime, si miell, oriz, vaj.

Image

Skandal në Shkodër, qytetarët filmohen teksa votojnë -

Edhe pse opozita nuk merr pjesë në zgjedhje, sërish vota e qytetarëve që shkojnë e ushtrojnë këtë të drejtë duhet të jetë e fshehtë.

Por duket se nuk mendon kështu një televizion lokal në Shkodër, që ka transmetuar “live” momentet e votimit nga dhoma e fshehtë të qytetarëve.

Image

Në Shkodër garon i vetëm kandidati i Partisë Socialiste, Valdrin Pjetri.

Ndërsa prej ditësh ka pasur përplasje mes kryebashkiakes së djathtë Voltana Ademi dhe policisë për të mos lejuar zgjedhjet në ambientet e shkollave.

Skandal/ Votim familjar në Tiranë, burri “urdhëron” gruan kë të votojë

Që prej orës 07:00 të mëngjesit të sotëm në të gjithë vendin janë hapur qendrat e votimit. Raportohet se deri më tani kanë votuar 12 për qind e qytetarëve dhe pritet që të tjerë të drejtohen në qendrat e votimit.

Por, nuk kanë munguar as incidentet dhe parregullsitë në këtë ditë zgjedhjesh.

Në shkollën “Kushtrimi i Lirisë” në Tiranë është regjistruar një rast i votimit familjarë. Burrë dhe grua janë futur së bashku për të votuar, edhe pse kjo është në shkelje të ligjit.

Mallakastër, në kutitë e votimit vetëm një votë

Deri në mesditën e sotme në kutitë e votimit për kryetar bashkie dhe të këshillit bashkiakë, në fshatin Grancie, të Mallakastrës ka psaur vetëm një votë.

Banorët kishin vendosur të bojkotonim votimet duke i quajtur si zgjedhje komuniste. 

Në orën 12:00 një banorë e zonës shkoi të votonte dhe në një intervistë për RTV Ora u shpreh se askush nuk e ndalonte të ushtronte të drejtën e saj të votimit.

Gjithsej në këtë Qendër Votimi janë regjistruar si persona me të drejtë vote 243 votues

***

Një person ka tentuar të thyejë kutitë e votimit në Kamzë.

Mësohet se policia ka ndërhyrë menjëherë duke shoqëruar personin që tentoi të thyejë kutitë. Nuk dihet ende identiteti i të ndaluarit, por burime bëjnë me dije se ai është një militant i PD-së.

Më herët, kryebashkiaku i Kamzës, Xhelal Mziu deklaroi se nuk do të ketë dhunë.

3% votimi në KZAZ nr.36 Kombinat, kryetarja: Ditë plazhi, presim më shumë

Deri rreth orës 12:15, pjesëmarrja në votime në KZAZ-në numër 36 në Kombinat në Tiranë, është shënuar rreth 3%.

Kryetarja e kësaj KZAZ-je, tha për mikrofonin e ABC News se numri i votuesve në këtë zonë është 680 persona. Sipas saj, pritet që orët në vijim të ketë një numër më të lartë votuesish, për shkak se qytetarët mund të jenë në plazh.

“Deri tani ka shkuar shumë mirë pa incidente. Pjesëmarrja ka qenë maksimale. Te zona ime janë diku te 680, tek KZAZ 36 zona qëndrore 18/73/2. Deri tani kemi arritur 3%. Duke qenë se edhe si ditë e dielë, ditë plazhi, presim akoma më shumë gjatë orëve në vazhdim”, tha kryetarja e KZAZ nr.36 në Kombinat.

Votoi rivalin e tij apo opozitën? Gazetatarët ngacmojnë Saimir Tahirin 

Ish-ministri i Brendshëm Saimri Tahiri ka zgjedhur që të marrë pjesë në zgjedhjet e sotme lokale. Në një prononcim për mediat, Tahiri është shfaqur i qeshur para gazetarëve, ndërsa theksoi se ai kishte dhënë tashmë votën e tij.

Teksa u pyet nga gazetarja Klodiana Lala në lidhje me faktin se si do të ndihej nëse do të ishte përballë Erion Veliajt si kandidat për Bashkinë e Tiranës, për faktin se emri i tij ishte lakuar shpesh, ai tha se nuk ka lidhje.

“Mbase ajo nuk është opozita që duam. Unë kam ardhur për të votuar, është një e drejte e imja kushtetuese dhe e çdo qytetari. Do të thoja që kjo mos të kishte ndodhur. Debati të është për taksa më pak dhe qeverisje më të mirë. Shpresoj që kryetarët e bashkive që do të zgjidhen me mandat 4 vjecar të punojnë për qytetarët. Ka shumë kohe deri atëherë, unë sot votova (13 tetor). Ka kohë deri atëherë. Unë bëra zgjedhjen time te kutia. I bie të tregoj votën. Uroj që të shkojë gjithçka mirë, edhe pa probleme nuk ma do mendja që njerëzit meritojnë të shohin në televizor këto tmerre. Këto janë zgjedhje si t’i administratojmë më mirë qytetetet”, tha ai.

Plas grushti, çfarë po ndodh në qendrat e votimit në Durrës

Ka nisur me konflikte procesi i votimit në Katund të Ri të Durrësit, një bastion i së djathtës.

Mësohet se në një qendër votimi është thyer një kuti votimi dhe se policia ka arrestuar autorin.

Image

Ndërkohë në fshatin Qerret ka pasur një tjetër konflikt mes simpatizantëve të PS dhe kryetarit të njësisë Shaban Tafa.

Sipas simpatizantëve, Tafa ka dhunuar një 12 vjeçar që thërriste “Rama ik”.

Por vetë Shaban Tafa tha në lidhje telefonike me gazetaren se kanë qënë 2 fëmijë që do i vinin zjarrin qendrës së votimit. Në momentin që ka larguar fëmijët disa simpatizantë të e PD kanë goditur me grushta.

Tafa tha se qëllimi i tij është të largonte fëmijët nga qëndra e votimit.

Rivali i Veliajt, apel qytetarëve: Vota juaj të jetë mbështetëse dhe jo ndëshkuese

Rivali i Erjon Veliajt për Bashkinë e Tiranës, Arben Skënderi është paraqitur në Qendrën e Votimit pranë shkollës ‘Dëshmorët e Lirisë”, për të votuar.

Arben Skënderi, nga Bindja Demokratike,  ka qenë i shoqëruar nga bashkëshortja i tij. Gjatë një interviste të dhënë për mediet, Skënderi iu bëri thirrje qytetarëve që të votojnë.

Sipas tij, vota e tyre të jetë një votë mbështetëse dhe jo ndëshkuese.

KQZ: Deri tani pjesëmarrja në votime është 12%

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve informon opinion publik se janë  hapur të gjithë qendrat e votimit në të gjithë vendin, duke përjashtuar 7 Qendra Votimi në Postrribë të qarkut Shkodër. Nga këto, 6 qendra votimi nuk ka filluar ende votimi, ndërsa për 1 qendër votimi janë djegur materialet zgjedhore.

Vlen të theksohet se, 53 qendrat e votimit e KZAZ-së nr. 6 Vau i Dejës pavarësisht vonesave të shpërndarjes së materialeve zgjedhore, për arsye tashmë të njohura publikisht, janë hapur dhe procesi i votimit ka filluar normalisht.

Deri tani pjesëmarrja në votime është 12%. Kjo është një e dhënë paraprake, e cila ndryshon në bazuar në informacionin që Qendrat e Votimit kanë përcjellë në qendrën  e të dhënave në KQZ.

Image

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve i’u bën apel të gjithë qytetarëve që tu drejtohen kutive të votimit dhe të shprehin vullnetin e tyre me votë, pasi zgjidhjet në demokraci mund dhe duhet të dalin vetëm nga vota.

Votojnë Dardan Molliqaj e Besa Shahini

Deputeti i Kuvendit të Kosovës Dardan Molliqaj dhe bashkëshortja e tij Besa Shahini, Ministre e Arsimit në Shqipëri, kanë hedhur votën e tyre.

Shahini postoi fotografi nga qendra e votimit bashkë me Molliqajn me përshkrimin: “Votues për herë të parë”.

Image

Procedohet penalisht kryebashkiakja e Shkodrës

Është proceduar penalisht në gjendje të lirë kryebashkiakja e Shkodrës, Voltana Ademi, pasi ka urdhëruar me shkrim mbylljen e disa qendrave të votimit.

Në Shkodër e cila udhëhiqet prej PD-së, KQZ ka ndryshuar vendin e 6 qendrave të votimit.

***

Një person ka hyrë me kallashnikov në një qendër të votimit në Durrës.

Njoftimi i policisë:

Hyn me armë në qendër të votimit, kërcënon komisionerët, thyen kutinë e votimit, por arrestohet në flagrancë nga Policia.

Policia i sekuestron edhe një armë zjarri kallashnikov.

Image

Në datë 30.06.2019, rreth orës 08:55, në Katund Sukth, Durrës, shtetasi Ramiz Bakanaçi 53 vjeç, banues në Katund Sukth, është futur me armë zjarri në QV nr. 1521, dhe pasi ka kërcënuar komisionerët, ka marrë kutinë e votimit duke e nxjerrë jashtë ambienteve të QV dhe ka hedhur materialet zgjedhore.

Reagimi në kohë i Policisë bëri të mundur kapjen e këtij personi. Gjatë kontrollit të ushtruar, Policia i gjeti dhe sekuestroi armën e zjarrit automatik model 56, me të cilën autori hyri në qendër votimi .

Materialet hetimore i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së parë Durrës për veprat penale “Mbajtja pa leje e armëve luftarake dhe municionit “, “Pengimi i subjekteve zgjedhore” dhe “Dëmtimi me dashje i materialit zgjedhor”.

Policia e Shtetit është e vendosur për të garantuar mbarëvajtjen e procesit zgjedhor si dhe për të mbrojtur liritë dhe të drejtat themelore të qytetarëve. Cilido që do të kryejë veprime që cenojnë procesin e votimit dhe liritë e të drejtat e qytetarëve, do të përgjigjet para ligjit.

***

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka dhënë autorizimin për ndryshimin e vendndodhjeve të disa qendra të votimit për zgjedhjet e sotme.

Shkak për këtë janë bërë incidentet e ndodhura një natë më parë. Ndërkohë e njëjta gjë ka ndodhur edhe me dy qendrat e votimit në Bashkinë e Beratit.

KQZ vendosi dhënien e autorizimin për ndryshimin e vendndodhjeve të 6 qendrave të votimit në Qarkun Shkodër dhe 2 qendrave të votimit në Qarkun Berat.

KQZ ndryshon 8 qendra votimi në Shkodër e Berat

Partia Demokratike në Shkodër i ka bërë thirrje  qytetarëve opër bojkot masiv të procesit të votimit.

Kreu i PD-së, Xhevdet Amuli tha se shkodranët nuk do të lejojnë që në Shqipëri të rikthehet komunizmi.

“Ditën e djeshme të gjithë qytetarët shkodranë kanë qenë pjesë e një skenari dhune dhe të paprecedentë, të urdhëruar nga Ed Rama dhe zbatuar nga drejtues të PS së Shkodrës nën mbrotjen e Lleshajt dhe ushtrisë.

Të gjithë kemi parë se si kanë shpërthyer dyert e shkollave me pinca speciale dhe gurë fresibël në shkelje të ligjit. Rama, Lleshaj dhe banda e tyre janë përgjegjës për këtë dhunë të paprecedentë. Dita e sotme është grahma e fundit e pushtetit të tyre keiminal, të cilët po mundohen ta trukojnë. Ne e dimë se këto janë votime muniste, antikushtetuese, joligjore dhe të pavlefshme. Shkodra i ka thënë jo njëherë komunizmit dhe nuk do të lejojë që prjekti i Edi Ramës dhe kriminelëve që e rrethojnë të shëndërrohet në realitet.

Të dashur bashkëqytetarë ju bëjmë thirrje që të bojkotoni masivisht farsën zgjedhore të Edi Ramës në ditën më të fundit të pushtetit të tij kriminal. Mos votoni sot. Braktiseni, injorojeni dhe përbuzeni këtë farsë antievropiane që askush nuk ka të drejtë t’ia imponojë popullit”, -deklaroi ndër të tjera Amuli.

PD: Rama e Veliaj po vijojnë blerjen e votave

Nënkryetari i Partisë Demokratike të Shqipërisë, Edi Paloka, ka denoncuar sipas tij blerjen e votës që po vijon të bëjë Partia Socialiste dhe Bashkia e Tiranës.

“Edhe kur është i vetëm në votime, edhe kur kontrollon çdo hallkë të zinxhirit që ka lidhje me votën, Edi Ramës sërish i duhet të blejë votues, i duhet të vjedhë, i duhet të manipulojë rezultatin. Këtë herë Edi Ramës i duhet pjesëmarrja për të fshehur braktisjen masive të shqiptarëve. Për këtë arsye, ai ka vënë sërish në funksionim skemën kriminale të blerjes së votuesve”, tha ai.

Sipas tij, Partia Demokratike ka marrë me mijëra denoncime që demaskojnë këtë skemë, duke shfaqur edhe një video.

“Është një skuadër kriminale, me njerëz të Partisë Socialiste dhe të punësuar të Bashkisë së Tiranës, që kryejnë krimin penal të blerjes së votës dhe krimin moral të korruptimit të shpirtit të një vajze të re. Për fat të keq, vajza duket që e ka për herë të parë një operacion të tillë kriminal”, vijoi Paloka.

Paloka tha se kanë mundur të identifikojnë deri tani se njëri nga personat i përfshirë është Edmond Hajro, komisioner i PS tek njësia nr 9 Tiranë, pranë kopshtit numër 3. Ai është administrator i një pallati, i emëruar nga Bashkia e Tiranës. 

“Mbajeni mend mirë këtë video. Kjo është fytyra kriminale e Edi Ramës dhe e Erion Veliajt, që blejnë votues për pushtetin e tyre personal me para të krimit, me para të korrupsionit që ua kanë vjedhur ju dhe fëmijëve tuaj! Prandaj, gjëja më e mirë që mund të bëni sot është ta bojkotoni Edi Ramën. Bëni rezistencë. Bashkoheni me protestat e qytetarëve të tjerë kundër votimeve kriminale, të paligjshme, kundër blerjes së të rinjve, në vend të shkollimit apo punësimit të tyre dinjtoz”, përfundoi Paloka.

Image

Rama: Kush tenton t’ia marrë popullit sovranitetin, ka një fund të dështuar dhe me turp

Kryeministri Edi Rama rreth orës 09:18 ka shkuar për të votuar në Qendrën e Votimi që ndodhet pranë shtëpisë së tij në Surrel. Shefi i qeverisë ka qenë i shoqëruar nga bashkëshortja e tij, Linda Rama.

Pasi daljes nga Qendra e Votimit, kryeministri Edi Rama tha se këto zgjedhje janë për Shqipërinë që duam dhe e rëndësishme që  çdo qytetarë por të respektojë të drejtën e kujtdo për të votuar ose për të mos votuar.

“Sot është shumë e rëndësishme Shqipëria dhe mësimi historik që kjo ditë do të ju japë të gjithëve se sa vota për njërin apo për tjetrin që është e fshehtë. Besoj se kjo ditë konfirmon njëherë përgjithmonë se me popullin nuk  luhet. Sovraniteti i popullit nuk është një fjalë boshe dhe  kush tenton t’ia marrë popullit sovranitetin, nuk ka asnjë fund tjetër përveç se fundit me dështim dhe me turp.

E rëndësishme që çdo qytetarë të votojë ose të mos votojë, por të respektojë të drejtën e kujtdo për të votuar ose për të mos votuar. Historia e solli që këto zgjedhje, janë zgjedhje për Shqipërinë që duam për të gjithë fëmijët tanë. Jam i bindur se sot në Shqipëri po ndodh diçka historike dhe kurrë më interesat e një palë apo hesapet e politikës nuk do të mund të bien ndesh me interesin kombëtar”, tha Rama.

Voton Lleshaj: Zgjedhjet po zhvillohen të lira dhe të qeta

Ministri i Brendshëm Sandër Lleshaj është paraqitur në qendrën e votimit për të votuar.

Për mediat, Lleshaj u shpreh se zgjedhjet po zhvillohen të lira dhe të qeta.

Lleshaj: Është një ditë e rëndësishme për shqiptarët. Pas një periudhe të ndërlikuar përgatitje, sot mund të themi se zgjedhjet po zhvillohen të lira dhe të qeta.

Gjici thirrje kuksianëve: Dilni nga shtëpitë dhe votoni

Kandiati nën siglën e PS-së, në Kukës, Safet Gjici ka votuar.

Në një prononcim për mediat, Gjici i bëri thirrje qytetarëve që të dalin nga shtëpitë dhe të shkojnë të votojnë.

Ai shprehu bindjen dhe besimin se pjesëmarrja do të jetë e kënaqshme.

Safet Gjici: Sot është ditë e qetë, festive dhe e bukur. I bëj thirrje të gjithë qytetarëve kuksianë, ashtu sicç kanë treguar qytetari dhe besoj do ta tregojnë deri në përfundimin e këtyre zgjedhjeve të rëndësishme. I bëj thirrje të marrin sa më shumë pjesë. Kuksianët nuk i ndalon kush të votojnë për veten e vet. Pjesëmarrja besoj do të jetë e kënaqshme. 

Ju bëj thirrje të gjithë atyre që do të rrinë në shtëpi sot të dalin se është ditë e bukur, të dalin dhe të votojnë.

***

Dy orë që nga nisja zyrtare e procesit të votimit, në Lazarat asnjë votues nuk është paraqitur ende për të votuar.

Në bashkinë Gjirokastër për zgjedhjet vendore 2019 garon vetëm një kandidat, Flamur Golemi nga Partia Socialiste e Shqipërisë.

Në njësinë administrative në Lazarat qytetarët do të votojnë në 5 qendra votimi.

Image

2734 votues kanë të drejtë vote në këtë Njesi Administrative, e cila njihet edhe si bastion i djathtë.

Voton Malaj

Kandidati për kryebashkiak i Partisë Socialiste në Mat, Agron Malaj është paraqitur në qendrat e votimit së bashku me familjen e tij për të votuar.

Malaj kandidon për një mandat tjetër sot. Ai është në garë i vetëm.

Ndërkohë procesi i votimit vazhdon i qetë në të gjitha bashkitë e vendit

Shqipëria voton: Në Shkodër e Pogradec nuk hapen disa QV

Në Shqipëri mbahen zgjedhjet vendore të cilat janë bojkotuar nga Opozita.  Qendrat e votimit janë hapur zyrtarisht në orën 07:00. Mediat shqiptare informojnë se gjëndja paraqitet e qetë.

Për herë të parë në 31 bashki ka vetëm një kandidat për kryetar bashkie, ai i maxhorancës.  Ndërkombëtarët kanë bërë thirrje për qetësi dhe për të shmangur dhunën.

Voton Erion Veliaj: Zgjedhjet janë për Tiranën, jo për të larë hesapet e kaluara

Kandidati për një mandat të dytë në krye të bashkisë së Tiranës Erion Veliaj i shoqëruar nga bashkëshortja e tij votuan në QV e ngritur tek Parku Olimpik në Tiranë. 

Në një prononcim për median Veliaj bëri thirrje qytetarëve të shkojnë të votojnë.

Image

Gjithashtu kishte dhe një apel për të lënë mënjanë politikën: "Mirëmëngjesi të gjithve, në këtë ditë të bukur dhe me diel për Tiranën tonë. Jam shumë i emocionuar sot, teksa vendosim se si do të vazhdojë qyteti. Dua ti bëj thirrje të gjithë qytetarëve sot të dalin dhe të votojnë. E di që ka parti që kanë bindje politike, që kanë inate të vjetëra dhe pazare të pambyllura, por këto zgjedhje janë për qytetin tonë. Këto zgjedhje janë për qytetin, për kopshtet, cerdhet, për mënyrën se si si pastrohet qyteti. Ndaj dhe mbipolitizimi dhe përdorimi i zgjedhjeve për të larë hesapet që dikush ka me të kaluarën nuk më bën sens. Jam i lumtuar të shikoj që në të gjithë qytetin ka radhë për të votuar.

 Veliaj falenderoi edhe kandidatin kundërshtar Arben Skënderi të Bindjes Demokratike 

"Dua ta falenderoj garuesin tjetër është një çun Tirane, që pavarësisht bindje që ne kemi të ndryshme, një gjë na bashkon. Si ai, si unë çunat kemi vendosur t'i rrisim këtu. Këtë qytet ta kemi shtëpinë tonë, të hedhim rrënjë këtu.  Këto zgjedhje janë për atë që na bashkojnë dhe për mbarëvajtjen e punëve në qytet. Sot është një ditë e nxehtë ndaj do doja ti ftoja qytetarët që të shikonin vijueshmërinë e procesit të gjenin një moment të përshtatshëm."

Image

 

***

Këto zgjedhje lokale janë të parat pas 30 vitesh, ku forcat politike kryesore opozitare në vend, kanë bojkotuar procesin zgjedhor. Si pasojë e këtij bojkoti në 30 bashki ka vetëm një kandidat, nga Partia Socialiste dhe koalicioni i saj, ndërsa në 31 bashkitë e tjera në vend, ka nga dy dhe në pesë, në bashkinë e Këlcyrës, Devollit, Lezhës, Selenicës dhe Beratit, ka më shumë se 2 kandidatë.

Në zgjedhjet e sotme lokale vetëm në vetëm 1 bashki të vendit atë të Devollit në qarkun e Korçës, ku garojnë 4 kandidatë 3 nga 3 forca të ndryshme politike dhe 1 i pavarur.

Ndërsa në 4 bashki ato të Beratit, Lezhës, Këlcyrës, dhe Selenicës garojnë nga tre kandidatë. Në 25 bashki në garë janë dy subjekte politike ndërsa në 27 bashkikë e tjera të mbetura , PS garon e vetme pa asnjë rilalë.

Kjo panoramë e këtyre zgjedhje të paprecedenta, është prodhuar si pasojë e bojkotit të partive opozitare të këtyre zgjedhjeve.

Për të zgjedhur se kush do t’i qeverisë shqiptarët në nivel lokal në 4 vitet e ardhshme, atyre do t’i duhet të zgjedhin mes kandidatëve të Partisë Socialiste, Bindjes Demokratike, Partisë Shpresa për Ndryshim, Frymës së Re Demokratike dhe kandidatëve të pavarur.

MEGA partia e minoritetit grek, garon vetëm në bashkinë e Finiqit.

Socialistët rikandidojnë disa kryetar bashkish që sipas tyre kanë prodhuar rezultate dhe e meritojnë vijimin e punës së nisur.

Për një mandate të dytë në Tiranë rikandidon Erion Veliaj, i cili gjatë fushatës elektorale premtoi shumfishimin e punëve në bashkinë më të madhe të vendit.

Vijimin e shërimit të shumë plagëve sociale e urbane të Vlorës, socialistët ia kanë besuar doktor Dritan Lelit, për një mandate të dytë.

Në Fier socialistët janë komod me Armando Subashin sikurse në Korçë me Sotiraq Filon, tashmë një menaxher i sprovuar i shumë punëve të mira në këtë qytet.

Transformimin e mëtejshëm të Librazhdit i është besuar përsëri Kastriot Gurrës.

Tërmet Peci mbetet i paprekshëm në Tepelenë sikurse Fredi Kokoneshi në Divjakë dhe Fatos Tushe në Lushnjë e Luiza Mandi në Libohovë.

Si zgjidhje për Himarën një bashki problematike me pronat e minoritetit grek, socialistët përsëri rikandidojnë Jorgo Goros.

Në Poliçan për një mandat të katërt është Adriatik Zotkaj ndërsa Gëzim Topciu do ta vijojë mbretërimin e Maliqit nisur që prej vitit 2000 për një mandate të gjashtë duke thyer çdo rekord elektoral.

Jashtë garës me arsyetimin se ata kishin shumë mandate dhe kërkohej një ritëm i ri socialistët, nuk garojnë sot në Elbasan me Qazim Sejdinin.

Të njëjtin fat pati edhe Vangjush Dako i konsideruar hambar votash në Durrës por përgjimet me Avdylajt duket se është kostoja e moskandidimit.

Ilir Xhakolli la mandatin e deputetit për tiu përkushtuar qeverisjes së Pogradecit sikurse Pjerin Ndreu për Lezhën e qeverisur herë nga PD dhe herë nga LSI.

Socialistët kanë zgjedhur disa figura të reja dhe pa një background të fort politik si në Durrës ku pasardhssja e Dakos është Valbona Sako dhe në Elbasan Gledian Llatja i vetëm në fletën e votimit pa rivalë.

E njëjta histori edhe në Shkodër një bastion i demokratëve ku socialistët kanë zgjedhur Valdrin Pjetrin ish-drejtor i përgjithshëm i hipotekës.

Dy prurje të reja të socialistëve janë edhe kandidatët e Gjirokastrës dhe Sarandës Flamur Golemi me Adrian Gruma.

Safet Gjici i suksesshëm në futboll si president i Kukësit premton për të njëjtin sukses në menaxhimin e këtij qyteti bastion i PD.

Ndërsa në Kamzën blu, socialistët kandidojnë Ragip Sulin i cili la mandatin e deputetit.

Megjithsë Bindja Demokratike e Astrit Patozit u krijua vetëm pak ditë përpara skadimit të afatit të regjistrimit të kandidatëve nga KQZ, mundi të futet në garën e sotme elektorale në disa qytete.

Në Tiranë, nën siglën e Bindjes garon Arben Skënderaj, në Durrës Valbona Sokollari, në Vlorë Valbona Mezini, në Korçë Leonard Olli.

Bindja Demokratike këtë debutim të parë elektoral e zhvillon në 21 bashki të vendit.

Image

Elbasani pa probleme

Pa probleme ka nisur edhe procesi i votimit edhe në Bashkinë e Burrelit, ku raportohet se janë hapur të gjitha Qendrat e Votimit.

Shkodër, proces i qetë dhe pa incidente

Shkodra, një nga qarqet më problematike, ku kryebashkiakja Voltana Ademi ka bllokuar disa qendra votimi të organizuara në ambiente në administrim të Bashkisë, këtë të dielë ka nisur qetësisht procesin e votimit për zgjedhjet vendore të 30 qershorit. Në qytet janë hapur qendrat e votimit dhe kanë mbërritur qytetarët e parë për të votuar.

Ndërkohë, disa qendra votimi janë zhvendosur në ambiente të tjera, siç është rasti i Teatrit “Migjeni” dhe bibliotekës, që nuk u liruan nga kryebashkikja Ademi.

Në këto kushte, votimet po bëhen në “Radio Shkodra”, ku materialet zgjedhore kanë mbërritur prej mbrëmjes së djeshme pa shënuar incidente.

Në Shkodër votimet kryhen për Valdrin Pjetrin, kandidat për kryebashkiak nga Partia Socialiste.

Qarku i Korçës, garë mes Filos së PS dhe Ollit të BD

Nderkaq edhe në gjithë qarkun e Korçës, qendrat e votimit janë hapur pa probleme. Në Bashkitë Maliq,  Korçë,  Devoll e Pustec, deri më tani nuk është shënuar asnjë incident. Prej orës 07:00 të mëngjesit kanë mbërritur qytetarët e parë për të votuar. Per Bashkinë e Korçës garojnë Sotiraq Filo, kryebashkiak aktual i PS-së, dhe Leonard Olli nga Bindja Demokratike.

Në Vaun e Dejës, vetëm një qendër votimi e pahapur

Bashkia e Vaut të Dejës ka pasur ndoshta përplasjet më të mëdha për mos lejimin e zgjedhjeve më 30 qershor, por kjo e diel i gjen thuajse të gjitha qendrat e votimit të hapura.

Përjashtim ka bërë vetëm qendra e votimit numër 162 në Vaun e Dejës, në fshatin Stajkë, ku materiali zgjedhor nuk është futur ende.

Kujtojmë se kryeministri Edi Rama ka firmosur edhe shkarkimin e kreut të Bashkisë së Vaut të Dejës, për djegien e KZAZ-së, e një ditë më parë ky i fundit u shoqëruar në polici.

Voton zv.kryeministri Erion Brace

Zëvendëskryeministri i Shqipërisë, Erion Braçe ka qenë një nga figurat e para të rëndësishme politike i cili e ka ushtruar të drejtën e tij qytetare për të votuar.

Ai e bëri këtë në një nga qendrat e votimit në Tiranë disa minuta pasi u hapen në ora 07:00.

Braçe deklaroi se kishte zgjedhur të votonte herët për shkak të angazhimeve të tij gjatë ditës ku i duhej të udhëtonte në zona të tjera të vendit, por edhe se ishte freskët.

Image

Ai ftoi të gjithë komisionarët dhe të tjerët që janë përfshirë në këto zgjedhje të respektojnë ligjin.

Zyrtarisht hapen qendrat e votimit në Shqipëri

Ka nisur zyrtarisht procesi i votimit në të gjitha qendrat në Republikën e Shqipërisë për të zgjedhur 61 kryetarët e ardhshëm të bashkive në vend.

Në këto zgjedhje garojnë 36 parti të cilat kanë regjistruar gjithsej 97 kandidatë për kryetarë bashkie si dhe 544 lista kandidatësh për anëtarë këshillash bashkiakë.

Në të gjithë vendin janë ngritur 90 komisione zonale të administrimit zgjedhor dhe 5,417 qendra votimi. Por specifika e ketyre zgjedhjeve eshte se opozita kryesore nuk merr pjesë në këtë proces.

Janë 14 parti të opozitës, ndër më kryesoret PD dhe LSI te cilat kanë vendosur të bojkotojnë zgjedhjet lokale.

Si rezultat në 31 bashki të vendit nuk ka garë pasi kandidat ka përcaktuar vetëm Partia Socialiste.

Qytetarët e bashkive të mëdha si Shkodra, Elbasani, Fieri, Gjirokastra do të kenë në fletën e votimit vetëm kandidatin e Partisë Socialiste.

Në disa bashki të mëdha si Tirana, Korça, Durrësi, Vlora përballë PS janë vendosur kandidatët e partisë më të re të Astrit Patozit, Bindja Demokratike.

Kjo është hera e parë që fituesi nuk ka rëndësi dhe e vetmja pikëpyetje është mbarëvatja e procesit. Kutite e votimit dë të mbyllen në orën 19:00.

***

Sot në Shqipëri mbahen zgjedhjet lokale, nën hijen e përçarjeve më të mëdha politike në Shqipërinë pluraliste.

Votuesit do të kenë mundësi që të drejtohen të kutitë e votimit nga ora 07:00 deri në ora 19:00, kur mbyllen qendrat e votimit.

Partia Socialiste është e vendosur që këto zgjedhje të mbahen sot, ndërsa opozita e udhëhequr nga Paria Demokratike dhe Lëvizja Socialiste për Integrim, i kanë braktisur zgjedhjet.

Opozita e bashkuar u ka bërë në vazhdimësi thirrje qytetarëve që të mos marrin pjesë në zgjedhje, pasi pretendon se së pari duhet të dënohen vjedhësit e votave, për të cilën e akuzojnë kryeministrin Edi Rama.

Pas shumë protestave të mbajtura nga opozita, presidenti Ilir Meta ka shfuqizuar dekretin e zgjedhjeve të 30 qershorin, por këtë vendim nuk e njeh kryeministri Edi Rama.

Meta po ashtu ka caktuar 13 tetorin si datë të zgjedhjeve lokale, por sërish këtë datë nuk e njeh Edi Rama.

Bashkësia ndërkombëtare ka bërë thirrje që zgjedhjet të zhvillohen të qeta dhe kanë paralajmëruar se nuk do të tolerohet dhuna.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat