Rrëzimi i kërkesës së Holandës për vizat, Braçe: Mendja e poshtër e disa politikanëve nuk ia doli as në KE

Shqipëria

Rrëzimi i kërkesës së Holandës për vizat, Braçe: Mendja e poshtër e disa politikanëve nuk ia doli as në KE

Më: 3 korrik 2019 Në ora: 20:27
Ilustrim

Zv.kryeministri Erion Braçe deklaroi sot se “mendja e poshtër e ca politikanëve nuk ia doli as në Komisionin Europian që rrëzoi kërkesën e Holandës sot”.

Duke reaguar lidhur me rrëzimin e kërkesës së Holandës për pezullimin e lëvizjes së lirë të qytetarëve shqiptarë në zonën Shengen nga Komisioni Europian, Braçe tha se “ky vend, Shqipëria është vendi më i tradhtuar në këtë cep të Europës. Nga shqiptarët vetë, politikanët me pushtet ose jo, së pari. Lobimi pranë një grupi ekstrem në parlamentin e Holandës, pavarësisht qëndrimit korrekt e të bazuar në fakte të qeverisë së Holandës, ishte punë e ca shqiptarëve të poshtër”.

“Si përherë, i njëjti takëm historik; si përherë, për interesa mirëfilli politike, interesa personale pushteti! Ju pata thënë mendja e poshtër e këtyre politikanëve, bëri çështje “rikthimin e vizave”, me qëllimin elektoral të ndëshkimit të Partisë Socialiste në mitingjet e dhunës, zgjedhje gjithashtu”, nënvizon Braçe.

Zv/kryeministri Braçe shprehet se “ia dolën duke lobuar pranë një grupi të vogël ekstremist në parlamentin e Holandës. Nuk ia dolën duke vënë në gojën e komisionerit Avramopulos gënjeshtra banale për këtë çështje, madje u përgënjeshtruan publikisht”.

“Nuk ia dolën as në Komisionin Europian që rrëzoi kërkesën e Holandës sot. Pa diskutim, ne duhet të vazhdojmë punën në të gjitha aspektet që lidhen me regjimin e lëvizjes pa viza, të trajtojmë edhe çështjet që u përdoren si arsye për këtë histori, të konsolidojmë arritjet e ti bëjmë ato të qëndrueshme”, tha Braçe.

Por, vijoi ai, këta shqiptarët e poshtër që përdorën Shqipërinë, luajtën mbi kurriz të shqiptarëve të tjerë të zakonshëm, kaq kollaj duhet ta kalojnë?

“Unë mendoj jo. Minimalisht duhet të turpërohen publikisht! Që të mos guxojnë më! Betejat politike ky takëm le ti bëjë me ne, me dhe në kurriz të shqiptarëve, mos të guxojnë më”, përfundoi Braçe.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat