Meta letër Trump: SHBA-të, një mësim se sa të shtrenjta janë sot demokracia dhe pluralizmi

Shqipëria

Meta letër Trump: SHBA-të, një mësim se sa të shtrenjta janë sot demokracia dhe pluralizmi

Më: 4 korrik 2019 Në ora: 09:48
Ilir Meta, Donald Trump dhe Melania Trump

Presidenti, Ilir Meta, ka uruar homologun e tij amerikan Donald Trump për 243-vjetorin e Ditës së Pavarësisë.

Në letrën e urimit, Meta shkruan se Shtetet e Bashkuara të Amerikës kanë qenë, në vitet e vështira të sundimit të diktaturës dhe të partisë-shtet, shembull i madh frymëzimi dhe mbështetje për ta përmbysur atë 30 vjet më parë dhe për të vendosur në Shqipëri, pluralizmin, demokracinë, shtetin e së drejtës dhe ekonominë e lirë të tregut.

Presidenti nënvizon se sot  lidershipi i Trump është frymëzim dhe mbështetje e pazëvendësueshme për popullin shqiptar dhe mësim se sa të shtrenjta janë liritë themelore të njeriut, demokracia dhe pluralizmi sot përballë përpjekjeve dhe qëllimeve sfiduese anti-vlerë të aktorëve lokalë, rajonalë dhe globalë.

Si President i vendit, Meta siguron Trump për angazhimin e palëkundur në forcimin e kësaj aleance bazuar mbi parimet e përbashkëta demokratike, që mbajnë të lidhura fort Shtetet e Bashkuara Amerikës dhe Shqipërinë.

Më poshtë letra e plotë e Metës

I nderuar Zoti President,

Me rastin e 243-vjetorit të Ditës së Pavarësisë dëshiroj t’Ju përcjell në emrin tim dhe të popullit shqiptar, urimet më të sinqerta e të përzemërta. Në këtë festë kuptimplote Ju dëshirojmë Juve personalisht dhe të gjithë amerikanëve kudo që ndodhen, suksese, paqe dhe begati.

Çdo shqiptar beson fort në aleancën solide që qëndron mes dy vendeve tona, bazuar mbi themelet historike të bashkëpunimit dhe miqësisë së vërtetë. Shtetet e Bashkuara të Amerikës kanë qenë, në vitet e vështira të sundimit të diktaturës dhe të partisë-shtet, shembull i madh frymëzimi dhe mbështetje për ta përmbysur atë 30 vjet më parë dhe për të vendosur në Shqipëri, pluralizmin, demokracinë, shtetin e së drejtës dhe ekonominë e lirë të tregut.

Shtetet e Bashkuara të Amerikës, e veçanërisht lidershipi Juaj, Zoti President, vazhdojnë të jenë frymëzim dhe mbështetje e pazëvendësueshme për popullin shqiptar dhe mësim se sa të shtrenjta janë liritë themelore të njeriut, demokracia dhe pluralizmi sot përballë përpjekjeve dhe qëllimeve sfiduese anti-vlerë të aktorëve lokalë, rajonalë dhe globalë.

Si President i vendit, Ju siguroj për angazhimin e palëkundur në forcimin e kësaj aleance bazuar mbi parimet e përbashkëta demokratike, që mbajnë të lidhura fort Shtetet e Bashkuara Amerikës dhe Shqipërinë.

Duke Ju falënderuar, Zoti President, për mbështetjen e vazhdueshme ndaj vendit tim, në shërbim të vlerave demokratike, të drejtave themelore të njeriut dhe zhvillimit ekonomik, dua të theksoj rëndësinë që ka rritja e pranisë së SHBA-së në Shqipëri dhe rajonin e Ballkanit Perëndimor, si faktor kyç për paqen, stabilitetin dhe sigurinë.

Ne jemi të gatshëm për forcimin e mëtejshëm të Partneritetit dypalësh Strategjik në fushën e sigurisë dhe në NATO dhe besoj se, nën drejtimin Tuaj, ne do t’i forcojmë këto lidhje dhe zgjerojmë më tej bashkëpunimin. Shqipëria do të qëndrojë në solidaritet të plotë me SHBA-në, dhe vendosmërisht do t’i bashkohet përpjekjeve Tuaja në forumet shumëpalëshe në dobi të paqes e prosperitetit në mbarë botën.

Me kënaqësi të veçantë dua të uroj nëpërmjet Jush, komunitetin shqiptaro-amerikan që jeton në SHBA, i cili përfaqëson një nyje historike të shkëlqyer dhe na lidh drejt një të ardhmeje më premtuese për kombet tona.

Urime edhe një herë në Ditën e Pavarësisë së SHBA-së dhe përshëndetjet më të mira për ju, familjen tuaj dhe kombin e madh amerikan!

Ju lutem pranoni, i nderuar Zoti President, shprehjen e konsideratës sime më të lartë!

Sinqerisht

Ilir Meta

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat