Armë e kanabis, kush është mbështetësi i PS dhe fans i Edi Ramës i arrestuar

Shqipëria

Armë e kanabis, kush është mbështetësi i PS dhe fans i Edi Ramës i arrestuar

Më: 5 korrik 2019 Në ora: 20:10
Jetnor Lutaj

Kultivonin kanabis, Policia u gjen edhe armë. Gjatë një aksioni në fshatin Lapardha të Selenicës, forcat e Policisë kanë asgjësuar mbi 200 rrënjë narkotike.

Po gjatë këtij aksioni janë sekuestruar dy armë zjarri dhe municione luftarake.

Operacioni i Policisë së Vlorës është kryer në kuadër të kontrollit për parandalimin dhe evidentimin e goditjen e veprimtarive kriminale për kultivimin dhe trafikimin e lëndëve narkotike.

Pas informacioneve të siguruara në rrugë operative, Policia ka evidentuar mbi 200 rrënjë kanabis sativa në një zonë ku është shumë e vështirë ndërhyrja. Ndërkohë, pas asgjësimit të bimëve, forcat e Policisë ushtruan kontrolle në zonën përreth, duke zbuluar edhe armë pa leje.

Bëhet fjalë për një automatik model 56 dhe një pistoletë model 54, si dhe municion luftarak.

Nga hetimet e kryera dhe verifikimet e policisë është arrestuar në flagrancë Jetnor Lutaj, 29 vjeç, banues në Lapardha, i cili dyshohet se është poseduesi i lëndës narkotike. I riu njihet si mbështetës i Partisë Socialiste dhe këtë e dëshmon dhe nga shpërndarjet e postimeve që bën Kryeministri Edi Rama në rrjetet sociale, shkruan Panorama.

Gjithashtu, nga Policia janë shpallur në kërkim dhe dy shtetas të tjerë, pikërisht R.L., 28 vjeç, dhe M.L., 28 vjeç, edhe këta banorë të fshatit Lapardha në Selenicë, të cilët dyshohet se janë bashkëpunëtorë të implikuar me ngjarjen në fjalë, ndërsa po hetohet edhe se kujt i përkisnin armët e municioni luftarak.

Ndërkohë, një tjetër person është proceduar në gjendje të lirë, pasi dyshohet se kishte dijeni për ngjarjen. Bëhet fjalë për një pensionist të zonës, i cili ndonëse nuk ka asnjë përgjegjësi në këtë histori, sipas Policisë duhet ta kishte denoncuar rastin.

Gjatë viteve të fundit, Qarku i Vlorës ka qenë më problematiku sa i takon fenomenit të kultivimit të bimëve narkotike.

Por jo vetëm kaq, vija bregdetare e këtij qarku përdoret kryesisht nga trafikantët për dërgimin e lëndës narkotike në vendet fqinje si Italia apo Greqia.

Gjatë operacioneve të kryera për këtë vit, pavarësisht zotimit të Policisë së Shtetit për t’i dhënë fund kultivimit të bimëve të lëndëve narkotike, duket se një gjë e tillë nuk ka ndodhur.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat