Nikolla kundër zgjedhjeve të parakohshme, akuza presidentit: Palë me opozitën

Shqipëria

Nikolla kundër zgjedhjeve të parakohshme, akuza presidentit: Palë me opozitën

Më: 9 korrik 2019 Në ora: 19:26
Lindita Nikolla

Deputetja e Partisë Socialiste, Lindita Nikolla, e konsideron të drejtë procedurën që po ndjek parlamenti për shkarkimin e presidentit Ilir Meta. Ajo tha se Kreu i Shtetit është bërë palë me opozitën, duke shkelur Kushtetutën.

Ish-ministrja e Arsimit, Lindita Nikolla, e cilësoi të pashembullt retorikën e Presidentit Meta përdorur ndaj mazhorancës.

 E ftuar në hapësirën e intervistës në Televizionin Ora, Nikolla tha se Kreu i Shtetit nuk përfaqëson më unitetin kombëtar, pasi është bërë palë me opozitën joparlamentare.

Nikolla: Parlamenti është në të drejtën e vet kushtetuese për ti vënë fre kësaj shfaqje të shëmtuar që një përfaqësues i unitetit kombëtar e shkel gjithë ditën në mënyrën më të pastër dhe më flagrante. Ndaj parlamenti nuk mund të lërë pa bërë detyrën e tij, sigurisht pa nxitime që të bien ndesh me ligjin.

Nikolla bëri të ditur se brenda Partisë Socialiste ka nisur analiza për rezultatet e votimit të 30 qershorit, por e konsideroi të drejtë vendosmërinë e mazhorancës për të mos braktisur procesin zgjedhor.

Nikolla: Do të ishte dhe më e rëndë nëse mazhoranca do të tërhiqej duke krijuar kështu një precent të rrezikshëm, atë të mosbërjes së zgjedhjeve apo realizimit të zgjedhjeve jo në mënyrën kushtetuese periodike siç Kushtetuta e përcakton, por në varësi të orekseve të njërës apo tjetrës parti.

Për Nikollën vendi nuk duhet të shkojë në zgjedhje të parakohshme pasi opozita e kishte mundësinë për të marrë pjesë në garë, por e humbi atë me djegien e mandateve në muajin shkurt.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat