Berisha e akuzoi për një sulm me bombë në banesën e tij, përgjigjet ish- kreu i Shërbimit Informativ

Shqipëria

Berisha e akuzoi për një sulm me bombë në banesën e tij, përgjigjet ish- kreu i Shërbimit Informativ

Më: 9 korrik 2019 Në ora: 20:29
Berisha dhe Klosi

Ish-kreu i SHISH-it, Fatos Klosi, i quan absurde akuzat e ish-Kryeministrit Berisha, sipas të cilit, ai ka dashur përmes një personi t’i hedhë bombë në apartamentin e tij.

Në një intervistë për gazetën Panorama shprehet se nuk mban mend që Sali Berishës t’i ketë ndodhë ndonjë incident i tillë, ku dikush të jetë përpjekur t’i hedhë bombë në apartament apo diku tjetër. Ai kujton një rast gjatë fushatës zgjedhore të 1996-s, kur si President i vendit Berisha është sulmuar gjatë mitingut në Sukth të Durrësit, por bomba nuk është aktivizuar.

Si ish-nënkryetar i KQZ-së më 1997, Klosi tregon se ndaj kryetarit të KQZ-së në atë kohë, Kristaq Kume, janë bërë dy herë atentate me përplasje me makina të mëdha për shkak të qëndrimit që ai mbante në krye të institucionit. Në atë kohë, Kume, sipas Fatos Klosit, kërkoi pasaporta diplomatike për familjarët e tij për shkak se ndihej i kërcënuar me jetë. Ai ka qenë prezent kur kanë shkuar te Bashkim Fino për t’i kërkuar pajisjen e familjarëve të Kumes me pasaporta diplomatike.

Duke komentuar kërcënimet e ditëve të fundit edhe ndaj analistit dhe shkrimtarit Fatos Lubonja, Klosi shprehet se situata e tensionuar politike stimulon persona të çekuilibruar që të veprojnë për të bërë protagonizmin e tyre në publik.

“Nga deklaratat e opozitës, të Lulzim Bashës, ka njerëz që janë fryrë se do ndodhin gjëra të mëdha dhe kur shohin se nuk ndodh gjë, ata vendosin ta bëjnë vetë drejtësinë, sipas asaj që ata mendojnë. Por situata politike stimulon sjellje të tilla të pakontrolluara dhe të çekuilibruara”, shprehet Klosi për Panorama. Klosi shprehet se Fatos Lubonja duhet të kërkojë mbrojtje nga Policia dhe kjo mbrojtje duhet t’i jepet për shkak të statusit të tij publik.

Zoti Klosi, ish-Kryeministri Berisha ka sjellë në vëmendje sot një rast kur sipas tij, ju kishit urdhëruar hedhjen e një bombe në shtëpinë e tij, por që për fat të mirë të Berishës dhe për fat të keq të personit që do ta hidhte, ajo i shpërtheu në dorë dhe ai humbi jetën…

(qesh) Ky njeri nuk heq dorë nga çmenduritë e tij. Nuk meriton asnjë përgjigje, janë absurde këto që nxjerr nga goja.

Çfarë ka ndodhur në atë kohë me Sali Berishën, që ai e sjell si rast kërcënimi ndaj familjes së tij?

Asgjë nuk ka ndodhur. Nuk mbaj mend t’i ketë ndodhur Berishës ndonjë episod i tillë. Unë mund t’i them atij se dy herë i kanë bërë atentat Kristaq Kumes, si kryetar i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, gjatë zgjedhjeve të 1997-s, e kanë përplasur dy herë me makinë. Më pas Kristaqi u detyrua të kërkojë pasaportë diplomatike për fëmijët dhe familjen. Unë në atë kohë kam qenë nënkryetar i KQZ-së dhe e di shumë mirë këtë punë se nga i vinin kërcënimet. Kam shkuar unë te Bashkim Fino, ku i kemi kërkuar pasaportë diplomatike për familjen e Kumes.

Nuk ishin aksidente të rastësishme?

U aksidentua dy herë, me fuoristrada të mëdha, goditën makinën e kryetarit të KQZ-së me makina të rënda. I prisnin rrugën natën, kur ai shkonte për në shtëpi. Kuptohet se nuk ishte qëllimi për ta vrarë, por për ta trembur, sepse ishte ideja se Kristaqi nuk ishte shumë konsekuent në luftën që po bënte në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve. Por Kristaqi nuk kishte se çfarë të bënte, zbatonte ligjin, por ne kishim shumicën dhe ai nuk ndikonte dot në vendimmarrje.

Ka pasur kërcënime fizike ndaj Sali Berishës?

Të gjithë e dinë se gjatë fushatës elektorale të 1996-s, kur Berisha ishte President, në kohën që ai ishte duke folur në një miting elektoral në një fshat të Sukthit, dikush që ishte prezent iu afrua dhe hodhi një bombë, e cila nuk shpërtheu. U bë një gjurulldi e vogël, personin e kapën. Këtë rast mbaj mend t’i ketë ndodhur Berishës, jo ndonjë rast tjetër. Kjo që thotë ai, se unë kam vënë një njeri që t’i hidhnin atij bombë, më bën vetëm të qesh me çmendurinë e tij. Nuk hoqi dorë nga këto sajesa. Unë kisha detyrë të mbroja Berishën gjatë kohës që kam qenë në krye të SHISH-it dhe pse ai ishte kryetar i opozitës. Pastaj, Berisha kishte roje të panumërta dhe s’bënte vaki të ndodhte një sulm i tillë. Nuk i afroheshe dot Berishës si President.

Ka pasur SHISH informacione për kërcënime jete ndaj Berishës?

Ne çdo informacion që kemi pasur e raportonim në institucionet që na lejonte ligji dhe ishin të tjera institucione që merrnin masa.

Si e shikoni marrjen nën mbrojtje të kryetarit të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, Klement Zgurit?

Masa që duhen marrë nëse është e nevojshme. Edhe Kristaq Kumes iu vunë roje në atë kohë që i bëheshin atentate. Sigurisht, kur ka njerëz të çekuilibruar, siç thuhet për rastin e Fatos Lubonjës. Njerëzve të tillë u duket se bëhen të rëndësishëm kur bëjnë akte të tilla. Fatosi për mua duhet të kërkojë ndihmë në Polici, sepse Fatos Lubonja është dikush, është person publik dhe nëse kërkon mbrojtje, Policia duhet t’ia japë mbrojtjen.

Edhe Aurel Plasarin e kanë kërcënuar. Jemi në një stinë kërcënimesh?

Nuk e di, nuk kam dijeni.

Është situata politike që inkurajon elementë të tillë që të aktivizohen dhe të reagojnë me mënyrën e tyre?

Po sigurisht, situata politike është inkurajuese. Nga deklaratat e opozitës, të Lulzim Bashës, ka njerëz që janë fryrë se do ndodhin gjëra të mëdha dhe kur shohin se nuk ndodh gjë, ata vendosin ta bëjnë vetë drejtësinë, sipas asaj që ata mendojnë. Por situata politike stimulon sjellje të tilla të pakontrolluara dhe të çekuilibruara.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat