PD: Ja dy mënyra që mandatet e paligjshme të 30 qershori të mos bëhen efektivë

Shqipëria

PD: Ja dy mënyra që mandatet e paligjshme të 30 qershori të mos bëhen efektivë

Më: 10 korrik 2019 Në ora: 16:01
Gazmend Bardhi

PD thotë se ekzistojnë dy mënyra që mandatet e 30 qershorit që cilëson të paligjshme të mos bëhen efektive.

Sekretari i Përgjithshëm i PD, Gazmend Bardhi tha se gjyqtarët nuk duhet ti vërtetojnë si të vlefshëm mandatet, ose të pezullojnë gjykimin derisa dekreti i presidentit të shqyrtohet nga Gjykata Kushtetuese.

Bardhi: Sipas ligjeve të vendit, që një Kryebashkiak të marrë detyrën, mandati i tij duhet të vërtetohet nga gjykata, nëse është marrë në përputhje me Kushtetutën, nëse është fituar apo jo në zgjedhje të organizuara në mbështetje të Dekretit të Presidentit. Nëse gjyqtarët do të tregojnë integritet, do t’i binden ligjit dhe nuk do t’i nënshtrohen kërcënimeve me veting apo me mjete të tjera mafioze, të përdorura më parë nga Edi Rama, vendimi i tyre është shumë i thjeshtë: të respektojnë kompetencën kushtetuese të Presidentit për të shpallur datën e zgjedhjeve.

Bardhi thotë se sa kohë Gjykata Kushtetuese nuk është shprehur, dekretet e presidentit janë në fuqi dhe të detyrueshme për zbatim.

Bardhi: Kushdo që pohon të kundërtën, nxit anarkinë, nxit vetëgjyqësinë, nxit anormalitetin.

Bardhi u bëri thirrje qytetarëve që të ngrihen në lartësinë e detyrës, duke theksuar se kjo është pengesa e fundit institucionale që ndan demokracinë nga diktatura.

Bardhi: Ne nuk kemi për ta lejuar kurrë që kjo të ndodhë, por mënyra për ta ndaluar me sa më pak kosto për vendin është që gjyqtarët t’i binden ligjit dhe të bëjnë drejtësi përmes ligjit.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat