“Skandal! Rama i merr qeverisë të drejtën e blerjes së arit, ja jep vetes”

Shqipëria

“Skandal! Rama i merr qeverisë të drejtën e blerjes së arit, ja jep vetes”

Më: 13 korrik 2019 Në ora: 12:15
Edi Rama

“Skandali. Edi Rama i rrëmben qeverisë të drejtën e blerjes së arit të Shqipërisë dhe ja jep vetes!? Përse????”

Është ky denoncimi që vjen nga nënkryetari i Lëvizjes Socialiste për Integrim, Petrit Vasili, i cili thotë se Edi Rama i ka dhënë vetes në mënyrë individuale të drejtën, që të blejë vetëm ai, me urdhër të tij, arin e Shqipërisë dhe jo qeveria siç ka qenë e vendosur me Ligjin.Nr.9900 dt. 10.04. 2008.

Sipas tij, Parlamenti i Edi Ramës ka votuar ndryshimin e një pike të vetme në ligjin e Rezervave Materiale të Shtetit dhe pikërisht nenin 10.

Vasili denoncon se me këtë ndryshim Kryeministri ja ka hequr qeverisë të drejtën që të vendosë, si deri më sot, për mallrat e grupit A, ku është ari pjesë kryesore e tyre dhe ka ligjëruar rrëmbimin në grushtin e tij.

“Në relacion skandaloz shpjegues të qeverisë, që shoqëroi ligjin thuhej se: kjo bëhej, që këto blerje të kryheshin më shpejt, pra të mos vonoheshin nga mbledhjet e qeverisë dhe se hierarkia e akteve të tjera e kërkonte. Ky mashtrim është sa bajat aq edhe provon qëllimet e errëta personale të Kryeministrit në këtë aferë”, shkruan Vasili, duke publikuar disa dokumente.

Më tej ai bën disa pyetje të cilat i quan të pakapërcyeshme dhe që kërkojnë përgjigje:

-Përse këtë vendimmarrje shumë të rëndësishme të qeverisë ai e rrëmben në grushtin e tij?

-Përse gënjen me shkakun gjoja për të bërë blerjet më shpejt, kur dihet botërisht që Kryeministri e mbledh sa herë të dojë qeverinë, bile ky yni ngarkon edhe zv.kryeministrat të cilët e kanë bërë dhe e bëjnë me dhjetëra herë?

-Përse gënjejnë me hierarkinë e akteve, kur dihet, që për shkakun se grupi A përmbante mallra me peshë si ari dhe argjendi ky atribut duhet të ishte vetëm i qeverisë?

-Ç’qëllim i errët fshihet pas këtij veprimi juridikisht të pajustifikueshëm e dënueshëm.

-Interesin e kujt cenonte diskutimi dhe vendimmarrja e hapur në mbledhjen e qeverisë për këto mallra ku bën pjesë edhe ari, argjendi?

-Përse nuk ka asnjë rast të përshkruar në relacion se kur na qenka vonuar apo penguar nga qeveria praktika e blerjes së mallrave të grupit A që i detyrokërka sot që ti marrë Kryeministri në grushtin e vet?

-Përse nuk ka asnjë ndryshim tjetër as në ligj dhe as në VKM Nr.1128 datë 5.08.2008 për grupet e tjera të mallrave, të cilat janë edhe ato pjesë e rezervave materiale të shtetit?

Vasili thotë se Kryeministri e ka rrëmbyer përmes parlamentit kompetencën e qeverisë për blerjen e mallrave të Grupit A, arit, në mënyrë që të vendosë ai dhe vetëm ai dhe me urdhrin e tij për blerjen e arit.

Në këtë drejtim shton se Kryeministri e ka bërë trashë, në mënyrë brutale dhe pa asnjë arsye bindëse sepse arsyet e vërteta janë të tjera.

Vasili thotë se është e qartë që ky është një ligj që vjen erë, por se era bëhet shumë më e rëndë sepse bëhet fjalë për arin e Shqipërisë.

“Meqenëse prokuroria shqiptare dihet tashme botërisht që është tërësisht e kapur dhe ka mbyllur sytë dhe vazhdon të mbyllë sytë, ne së pari po e denoncojmë hapur e publikisht, që të gjithë shqiptarët të hapin sytë se ç’po ndodh me arin e tyre dhe më tej do ta denoncojmë edhe në të gjithë kanceleritë perëndimore dhe agjencitë e specializuara për këto çështje të rënda”, shkruan Vasili duke sugjeruar që të lexohen dokumentet lidhur me këtë çështje.

Image
commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat