Taksa e re për karburantet, shoferët 3 orë në grevë

Shqipëria

Taksa e re për karburantet, shoferët 3 orë në grevë

Më: 15 korrik 2019 Në ora: 09:50
Ilustrim

PD akuzon kryeministrin Edi Rama se do të rrisë më tej çmimin e karburantit duke zhvatur miliona euro nga xhepat e qytetarëve. Deputeti Edmond Spaho thirrje qytetarëve për grevë. Të fikin makinat për 3 orë

Partia Demokratike denoncoi dje kryeministrin Rama për çmimin e lartë të naftës duke zhvatur xhepat e shqiptarëve në këto kohë krize. Projektligji i Ministres së Infrastrukturës, Belinda Balluku, për depozitat e naftës që pritet të rrisë çmimin e naftës me 20 lekë, e ka nxitur më tepër aksionin opozitar. Të hënën është lajmëruar një protestë e qytetarëve përmes shpërndarjes së një thirrjeje në rrjetet sociale. Të gjithë drejtuesit duhet të fikin automjetet e tyre nga ora 12:00-15:00 për të kundërshtuar rritjen e çmimit të naftës. Po ashtu, opozita paralajmëron se me ardhjen e saj në pushtet do të anulojë taksën mbi karburantet, si dhe do të ulin me 30 lekë çmimin për çdo litër naftë. Ish-deputeti i Partisë Demokratike, Edmond Spaho në një deklaratë për mediat shprehet se kryeministri Edi Rama ka vendosur të vjedhë shqiptarët duke krijuar një agjenci shtetërore, që do blejë dhe tregtojë sasi të caktuar rezerve karburanti në rast krize. Ai publikoi edhe një dokument, i cili sipas tij tregon se kryeministri ka gënjyer kur tha se nuk do ketë rritje të çmimit të karburantit. “Ai dhe ministrja e tij e financave gënjyen paturpësisht kur thanë se nuk ka rritje të çmimit të karburanteve. Ministrja e Energjisë Belinda Balluku e nxjerr në shesh këtë gënjeshtër të Edi Ramës me shpjegimet ligjore që ka çuar në Kuvend. Në fund të shpjegimit të ligjit që rrit çmimin e karburanteve për të mbajtur me para agjencinë e Edi Ramës thuhet qartë se kostot mund të ndikojnë në çmimin e konsumatorit fundor.Dokumenti gjendet në faqen zyrtare të Parlamentit dhe është prova nga vetë qeveria që ky vendim i Edi Ramës zhvat shqiptarët he i varfëron ata më shumë. Aktualisht Shqipëria e ka të rregulluar shumë mirë rezervën e sigurisë së karburanteve pa kosto të tjera shtesë mbi qytetarët”, tha Spaho.

Korrupsioni

Ndër të tjera në këtë deklaratë për mediat, ish-deputeti i PD-së teksa denoncoi qeverinë për rritjen e çmimit të naftës, ftoi shqiptarët që të bashkohen me kauzën e opozitës për zgjedhje të lira dhe të ndershme. “Ky është një nga ato vendime për të cilat Departamenti amerikan i Shtetit e cilësoi për herë te parë Shqipërinë si vendin me qeverinë më të korruptuar në Ballkan. Ajo që na duhet është të largojmë këtë bandë hajdutësh që po thellon çdo ditë e më shumë krizën. Duke larguar këtë qeveri që punon kundër interesit të qytetarëve shqiptarë, ne do t’i hapim rrugë, me zgjedhje të lira e të ndershme, një qeverie që punon për qytetarët. Partia Demokratike e ka gati planin për rimëkëmbjen emergjente të vendit! Ne do të anulojmë që ditën tonë të parë në qeverisje taksën Rama mbi karburantet. Ne do ta ulim me 300 lekë më pak çmimin për çdo litër naftë! Prioriteti ynë absolut është ekonomia e shqiptarëve, mirëqenia e shqiptarëve, jo pasurimi i kryeministrit, ministrave dhe disa biznesmenëve pranë tyre! Prandaj, ne jemi të vendosur të shkojmë përpara me betejën tonë për zgjedhje të lira e të ndershme, për të patur një qeveri normale, që respekton parimet dhe standardet më të mira europiane për mirëqenien e të gjithë qytetarëve”.

Çmimi i karburantit         

Së fundmi Spaho u shpreh: “Këtë gjë e bëjnë kompanitë private prej 20 vjetësh me një praktikë të konsoliduar ligjore. Kjo e bën krijimin e agjencisë së propozuar prej Edi Ramës një vendim puro hajdutëror, që rrit çmimin e karburantit dhe hap rrugën për një tjetër koncesion për klientët e Edi Ramës. Shqipëria është vendi me karburantin më të shtrenjtë në Europë, pasi Edi Rama vendosi 4 vjet më parë edhe taksën e qarkullimit 270 lekë për litër. Kjo ndërhyrje e re e qeverisë për të rritur sërish çmimin nëpërmjet një takse tjetër është goditje direkte për qytetarët, 31 për qind e të cilëve nuk mbyllin dot muajin dhe nuk ushqejnë dot plotësisht fëmijët”.

Reagimi

Ish-deputeti i Partisë Demokratike, Agron Shehaj përmes një postimi në rrjetin social “Facebook”, thotë se taksa e re e naftës e paguar nga shqiptarët do të përfundojë në xhepat e miqve të kryeministrit Edi Rama. Duke folur për një skemë të njëjtë si me koncesionin e “Rrugës së Kombit”, Shehaj i fton shqiptarët të protestojnë para kësaj situate. Sipas, ish-deputetit çmimi i naftës në Shqipëri duhet të ishte 150 lekë për litër. “Rama nuk ndalet, si në rastin e taksës prej 5 euro të koncesionit të Rrugës së Kombit, taksa e re mbi naftën që do të paguajnë shqiptarët do të kalojë direkt në xhepat e miqve të Ramës. Skema është e njëjta, qeveria ju merr para shqiptarëve dhe i ndan me oligarkët për shërbime të panevojshëm me vlera të pajustifikuara: 15 mln në vit për koncesionin e Rrugës së Kombit, 12 mln në vit për check-up dhe tani 12 mln euro në vit për rezervat që akoma nuk e dimë se kujt do t’i shkojnë. Aferat korruptive të kësaj qeverie ndalohen vetëm me protesta, si në rastin e Teatrit dhe të Unazës së Madhe”, shkruan Shehaj.

Tarifa e re për depozitat, çmimi rritet me 20 lekë

Çmimi i karburanteve në vend do të shtrenjtohet. Një projektligj i ri i Ministrisë së Infrastrukturës dhe Energjisë parashikon krijimin e një Agjencie Shtetërore për mbajtjen e rezervave të karburanteve. Për financimin e kësaj shoqërie, kompanitë e naftës do të paguajnë një tarifë shtesë, të cilën Shoqata e Hidrokarbureve llogarit se do të rrisë çmimin me 20 lekë. Kjo do ta çonte totalin e taksave dhe tarifave shtetërore që rëndojnë mbi çmimin e naftës në 120 lekë. Nga ana tjetër, një rritje do të ishte e papërballueshme për drejtuesit e mjeteve, që ankohen për çmimin ekzistues, një ndër më të shtrenjtët në Europë. Sipas Global Petrol Prices, një litër naftë në vend kushton 1,45 euro, ndjeshëm më i lartë se vendet e rajonit, që luhaten nga 1,29 euro në Malin e Zi, deri në 1,12 euro në Maqedoninë e Veriut. Sipas qeverisë, kalimi i detyrimit për mbajtjen e rezervave të karburanteve nga privati tek shteti, do të ulte në fakt çmimet në treg. Por për kompanitë, ato deri më sot e kanë zbatuar ligjin e rezervave, duke llogaritur edhe rezervat e anijeve dhe atë në pikat e karburanteve. Sipas qeverisë, mbajtja e këtyre rezervave do të mbronte vendin nga rritja e papritur e çmimeve në bursat ndërkombëtare.

Propozimi

Aktualisht rezerva e sigurisë së karburanteve mbahet nga vetë kompanitë private. Sipas ligjit, çdo kompani që tregton karburant është e detyruar të mbajë rezervë sa 3 muaj shitje, që për vitin e kaluar ishte 218 mijë tonë. Por drafti i ri i qeverisë e ndryshon tërësisht skemën duke ja kaluar krijimin dhe mbajtjen e rezervës së karburanteve shtetit. Agjencia shtetërore e rezervës do të blejë me tender mbi 200 mijë tonë karburant, i cili do të ruhet si rezervë fizike në depozita, që mund të ndërtohen nga shteti ose të merren me qira. Paratë për karburantit, depozitat, por edhe shpenzimet administrative të agjencisë do të sigurohen nga një tarifë e re mbi naftën dhe benzinën, e cila pritet të jetë 2 lekë për çdo litër ose rreth 20 euro për tonë. Vetë qeveria pretendon se ky ndryshim nuk krijon kosto të re për qytetarët, pasi zhvendosja e rezervës në shtet do të lehtësojë kompanitë nga kostot, që ato kanë sot nga mbajtja e rezervës vetë. Por tregtarët e karburanteve pretendojnë të kundërtën. Sipas tyre, aktualisht mbajtja e rezervës nuk krijon asnjë kosto, pasi garantohet nga furnitorët e tyre të importit. Përtej këtij debati, zhvendosja e rezervës në shtet ka dhe disa risqe të tjera, që lidhen me çmimin. Karburantet janë një produkt që skadojnë dhe herë pas here agjencisë do i duhet të blejë edhe të shesë duke e vënë buxhetin e saj përballë riskut të ndryshimit të çmimeve. Bëhet fjalë për humbje, të cilat mund të jenë edhe të konsiderueshme, në miliona euro. Këto do të paguhen nga qytetarët përmes tarifës së re të naftës, e cila është taksa e tetë që qeveria ngarkon mbi karburantet. Gjithsej janë 7 taksa që paguhen mbi naftën dhe së shpejti do të hyjë në fuqi edhe taksa e tetë. Për rrjedhojë, në çdo litër naftë që shitet në treg, qeveria shqiptare mbledh 37 lekë akcizë, 27 lekë taksë qarkullimi, 3 lekë taksë karboni dhe 7 deri në 10 lekë taksë rilicencimi. Këtyre katër taksave që shkon në buxhet u shtohen dy taksa të tjera që paguhen për koncesionarët privatë. Ato janë taksa e markimit 1 lekë për litër dhe skanimi 1.4 lekë për litër. Në fund, pas këtyre 6 taksave paguhet edhe tatimi mbi vlerën e shtuar (TVSH), i cili është 20 për qind e çmimit final, ose rreth 30 lekë për litër.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat