Ristani: Djegia e mandateve dhe mosmarrja pjesë në zgjedhje, u provua se nuk ishte rruga e duhur

Shqipëria

Ristani: Djegia e mandateve dhe mosmarrja pjesë në zgjedhje, u provua se nuk ishte rruga e duhur

Më: 17 korrik 2019 Në ora: 20:31
Arben Ristani

Ish-sekretari i Përgjithshëm i Partisë Demokratike, Arben Ristani tha sot në një studio televizive se djegia e mandateve nga opozita nuk ishte rruga e duhur, sidomos mosfutja në zgjedhje.

“Në momentin kur është marrë vendimi edhe unë kam qenë pjesë e trupës qe e mori vendimin për të djegur mandatet. U duk se ishte zgjidhja e vetme për të sensibilizuar shqiptarët për të keqen që po ndodhte, për t’i thënë shqiptarëve se kjo nuk bëhej për karriget e deputetëve të PD-së. Duhej kjo rrugë radikale edhe për të bindur partnerët ndërkombëtarë por tashmë rezultati është ky që kemi në tavolinë, që opozita e bashkuar nuk e arriti dot objektivin që zgjedhjet të mos realizoheshin, gjithashtu nuk u arrit të merrnim dot përkrahjen e partnerëve ndërkombëtarë”, – tha Ristani.

Sipas tij, duke u nisur nga pasojat, “besoj se nuk ishte rruga e duhur, sidomos mosfutja në zgjedhje”.

“Por prapë është reflektim personal. Duke u nisur nga rezultati, për sa kohë nuk arritëm ta largojmë Ramën, për sa kohë nuk arritëm të mos zhvilloheshin zgjedhjet në 30 qershor, duke u nisur nga rezultati, fakti është që rruga nuk ishte e duhura”, – tha ai.

I pyetur për mospërfaqësimin e opozitës në nivel parlamentar dhe në qeverisjen lokale, Ristani tha se kjo e ka dëmtuar jashtë mase jo vetëm opozitën dhe elektoratin e djathtë, por edhe me gjerë, sepse e ka lënë elektoratin të papërfaqësuar.

“Sigurisht që ka pasoja në elektorat, sepse do të duhet që kjo të kompensohet. Duhet shtuar doza e njerëzve idealistë në ato nivele sa të kompensojnë qenien e opozitës jashtë institucioneve”, – tha Ristani.

 

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat