KPP pezullon tenderin e tunelit të Kardhiqit

Shqipëria

KPP pezullon tenderin e tunelit të Kardhiqit

Më: 18 korrik 2019 Në ora: 15:18
Foto

Komisioni i Prokurimit Publik ka pezulluar tenderin 23 milionë euro, për ndërtimin e tunelit të Kardhiqit, pasi autoriteti rrugor shqiptar shpalli fituese kompaninë me ofertën më të lartë.

Tenderi, që është pjesë e lotit 7, të rrugës Kardhiq Delvinë, u zhvillua nga Autoriteti Rrugor Shqiptar, në 17 qershor të këtij viti.

Top Channel ka mësuar se në garë kanë marrë pjesë 6 kompani, dhe ofertat e paraqitura prej tyre kanë variuar nga 15 deri në 19 milionë euro, pa përfshirë tatimin mbi vlerën e shtuar.

Autoriteti rrugor shqiptar ka skualifikuar 5 ofertat më të ulëta, pasi sipas saj nuk përmbushnin kriteret teknike duke shpallur fituese ofertën më të lartë, përkatësisht atë të kompanisë italiane IRCOP.

Kjo kompani ka paraqitur një çmim prej rreth 19 milionë euro pa përfshirë TVSH-në ose 4 milionë euro më shumë se sa oferta më e ulët.
Vendimi i ARRSH për të shpallur fituese kompaninë italiane është ankimuar në komisionin e prokurimit publik nga gjoka konstruksion, e cila pretendon se është skualifikuar pa të drejtë.

Pak ditë më parë, pas marrjes së ankesës KPP pezulloi menjëherë shpalljen e fituesit deri sa të hetojë të gjithë ankesën.

Loti 7 i rrugës Kardhiq-Delvinë ka një gjatësi prej 2 kilometër, nga të cilat 1.2 kilometër janë tunel. Fondi limit për këtë vepër ishte përcaktuar 19 milionë euro, pa TVSH, dhe duke përfshirë këtë taksë arrin në 23 milionë euro.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat