Ndryshimet në Kodin Penal/ “Kush prish zgjedhjet, s’hyn në BE e SHBA”, tërhiqet PS

Shqipëria

Ndryshimet në Kodin Penal/ “Kush prish zgjedhjet, s’hyn në BE e SHBA”, tërhiqet PS

Më: 19 korrik 2019 Në ora: 10:32
Taulant Balla

Maxhoranca votoi në seancën e fundit për këtë sesion parlamentar plot 17 projektligje, duke kaluar në të gjitha ligjet “provën” e shumicës së cilësuar të votave.

Të vetmet projektligje që u votuan vetëm me votat e socialistëve ishin dy kontratat koncesionare për ndërtimin e rrugëve Orikum-Dukat dhe Milot-Balldren.

Në nisje të seancës, kreu i Grupit Parlamentar të PS, Taulant Balla, çuditi kur njoftoi vendimin e shumicës për t’u tërhequr nga ndryshimet në Kodin Penal, që do t’i ndalonin hyrjen në SHBA dhe vendet e BE-së për të gjithë ata që cenonin apo prishnin proceset zgjedhore.

Paralajmërimet e Kryeministrit Rama në të gjithë tubimet elektorale për zgjedhjet e 30 qershorit, se kushdo që prish zgjedhjet nuk do të mund të kalojë dot kufirin, pasi do të shpallej “non grada” u tërhoqën përkohësisht nga socialistët. Taulant Balla theksoi se shumica parlamentare do të konsultohet me opozitën për ta zëvendësuar burgun me dënime të tjera alternative.

“Amendamenti i propozuar nga zoti Bushati, lidhur me penalizimin e përkohshëm deri në 10 vite të kujtdo që kryen krim zgjedhor lidhur me një politikë të re, dimension që e kanë shumë vende, atë të ndalimit të udhëtimit jashtë vendit, në respekt, padyshim, edhe të konsultimit me deputetë të opozitës kemi menduar që ky amendament të mos votohet sot se ndoshta nuk është vetëm burgu që i bën njerëzit t’i thërrasin mendjes dhe ky do të tërhiqet.

Por dua t’ju them se edhe me kuadrin ekzistues, ne kemi ligje të tjera që kanë rregulluar këtë politikë sepse dhunën zgjedhore nuk e bëjnë njerëzit e thjeshtë, dhunën zgjedhore e bëjnë politikanë të dështuar. Dhe për ata politikanë kemi ligjin për dekriminalizimin, që e ka të sanksionuar qartë që kush dënohet për krim zgjedhor nuk kandidon dot më.

Kjo është mënyra më e mirë për të garantuar që kush bën krime elektorale nuk mund të jetë edhe i zgjedhur nga populli”, tha Balla. Pavarësisht kësaj tërheqjeje, Kuvendi votoi me 96 vota pro, 11 kundër dhe 2 abstenim në tërësi ndryshimet në Kodin Penal.

LIGJET

Por tërheqja nga ndryshimet në Kodin Penal për dhunuesit e zgjedhjeve nuk ishte e vetmja nga socialistët. PS shtyu edhe votimin e projektligjit të depozituar në Kuvend nga Spartak Braho dhe të miratuar nga Komisioni i Ligjeve për të kufizuar Institutin e Studimeve për Krimet dhe Pasojat e Komunizmit për të hetuar luftën vetëm në periudhën 1944-1990.

Ndërkohë, dy ligjet e mbartura që i përkisnin paketës së Reformës në Drejtësi, ai për ndryshime në ligjin “Për organet e qeverisjes në sistemin e drejtësisë” dhe ai për disa shtesa e ndryshime në ligjin “Për statusin e gjyqtarëve dhe prokurorëve” morën edhe votat e opozitës parlamentare. Me 94 vota pro, 5 kundër dhe 7 abstenim u miratua projektligji “Për mbrojtjen civile”.

Nisma e deputetëve për projektligjin “Për Akademinë e Shkencave të Republikës së Shqipërisë” u votua me 82 vota pro dhe 25 kundër. Deputetët vendosën të rregullojnë edhe sjelljen e tyre në Kuvend, duke votuar me konsensus me 106 vota pro dhe 2 abstenim Rregulloren e re të Kuvendit.

Ndryshimet në projektligjin “Për mbrojtjen e shëndetit nga produktet e duhanit”, pavarësisht debateve dhe votës kundër të kryeparlamentarit Ruçi si duhanpirës, kaluan me 86 vota pro. Kjo ishte seanca e fundit për këtë sesion parlamentar, ndërkohë që deputetët do të rikthehen në Kuvend dhe komisionet parlamentare në muajin shtator.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat