30 qershori, PD akuzon Arta Markun se po pengon nisjen e hetimeve

Shqipëria

30 qershori, PD akuzon Arta Markun se po pengon nisjen e hetimeve

Më: 20 korrik 2019 Në ora: 15:53
Gazmet Bardhi

Zbardhet një letër e Partisë Demokratike drejtuar prokurores së Përgjithshme, Arta Marku në lidhje me zgjedhjet vendore të mbajtura më 30 qershor, të cilat u bojkotuan nga opozita.

Leta mban datën 12 korrik dhe vendos në dijeni edhe shefen e Misionit të ODIHR, Audrey Glover.

Me firmën e Sekretarit të Përgjithshëm, Gazmend Bardhi, PD kërkon nga Prokurorja e Përgjithshme e Përkohshme, Arta Marku, të mos pengojë hetimet për krimet zgjedhore duke i shërbyer agjendës së saj personale për t’u emëruar Kryeprokurore dhe regjimit kriminal të Edi Ramës.

Sipas Bardhit organi i akuzës në Republikën e Shqipërisë, jo vetëm nuk po heton seriozisht dosjet e vjetra 184/2016 dhe 339/2017, por nuk ka nisur asnjë hetim për asnjë prej shkeljeve të rënda ligjore që u konstatuan gjatë procesit antikushtetues të 30 Qershorit.

“Që prej emërimit tuaj antikushtetues si Prokurore e Përgjithshme e Përkohshme, kontrolli i qeverisë mbi prokurorinë është çimentuar, duke sjellë, njëkohësisht, çimentimin e kulturës së pandëshkueshmërisë ndaj zyrtarëve të lartë shtetërorë. Gjatë drejtimit tuaj, asnjë zyrtar i lartë i qeverisë, asnjë politikan, asnjë funksionar i lartë publik nuk ka dalë para drejtësisë për krimin e korrupsionit apo të krimeve zgjedhore, megjithëse denoncimet publike kanë qenë me qindra”, thuhet në letër.

PD rendit të gjitha shkeljet e ligjit, të vëna në dukje prej saj, nga media, misioni ODIHR-it para, gjatë dhe pas 30 Qershorit, si presioni ndaj punonjësve të administratës shtetërore, blerja e votave, mbushja e kutive të votimit, shkelja e ligjit dhe e Kushtetutës nga 4 anëtarë të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve etj.

“Të vetmit që nuk dëgjojnë dhe nuk shikojnë asgjë nga krimet e mësipërme janë prokurorët e Republikës, që duhet të ishin në krye të detyrës për të mbrojtur Kushtetutën dhe ligjet e vendit.“ – thuhet në letrën e Partisë Demokratike.

Këto janë 7 pika kyçe që rrëzojnë si të paligjshëm 30 Qershorin.

I. Moszbatimi i dekreteve të Presidentit me pasojë cenimin e të drejtës kushtetuese të qytetarëve për të zgjedhur.

II. Regjistrimi i Bindjes Demokratike në kundërshtim me ligjin.

III. Cenimi i të drejtës së opozitës për të marrë pjesë në administrimin e zgjedhjeve

IIII. Mashtrimi dhe manipulimi me të dhënat e pjesëmarrjes në votimet e 30 Qershorit.

V. Fletët e votimi “kontrabandë” për votimet në Bashkinë e Vaut të Dejës.

VI. Emërimi i komisionerëve në kundërshtim me ligjin nga ana e KQZ.

VII. Krimet zgjedhore në të gjithë territorin: blerja e votave, fshehtësia e votës, presioni në administratë etj.

Të gjitha këto indicie janë të shpjeguara me detaje për shkeljet ligjore të konsumuara gjatë, para dhe pas 30 Qershorit. Ato përfshijnë 9 vepra penale dhe të gjitha bashkë dënohen nga 31-45 vjet burg.

1. Shpërdorimi i detyrës

2. Falsifikimi i materialit zgjedhor dhe rezultateve të zgjedhjeve

3. Shkelja e fshehtësisë së votimit

4. Votimi më shumë se 1 herë ose pa u identifikuar

5. Korrupsioni aktiv në zgjedhje

6. Përdorimi i funksionit publik për veprimtari politike ose zgjedhore

7. Kanosja apo dhunimi ndaj pjesëmarrësve në zgjedhje

8. Marrja ose përdorimi i paligjshëm i dokumenteve të identifikimit

Në letrën për PPP Arta Marku, Sekretari i Përgjithshëm i Partisë Demokratike, Gazment Bardhi, e identifikon atë si një mekanizëm frike që përdoret nga pushteti kundër prokurorëve për të mos hetuar krimet zgjedhore dhe krimet e tjera të qeverisë Rama. “Ju, jeni provuar në mënyrë të vijueshme, si zyrtari publik që, për llogari të pushtetit të shefit tuaj politik, Edi Rama, ushtroni presion të paligjshëm nëpërmjet transferimeve të paligjshme, vlerësimeve negative profesionale për efekt të vettingut, inspektimeve disiplinore etj. në mënyrë që prokurorët t’i binden urdhrave dhe porosive të paligjshme.”-vëren në letër zoti Bardhi për t’i shpjeguar PPP Arta Marku përse kërkesa për lejimin e hetimeve po i adresohej asaj.

Në letrën dërguar për dijeni edhe shefes së Misionit të ODIHR-it, Sekretari i Përgjithshëm i Partisë Demokratike, Gazment Bardhi, nxit PPP Arta Marku t’i shërbejë interesit publik dhe axhendës europiane të vendit përpara axhendës së saj personale, duke I dhënë fund pandëshkueshmërisë së atyre që kanë shkatërruar zgjedhjet.

“Është koha që ambicia juaj për t’u emëruar Prokurore e Përgjithshme me ndihmën e Edi Ramës të mos pengojë hetimin e krimeve zgjedhore të partisë në pushtet, të korrupsionit të qeverisë së Edi Ramës dhe të krimit të organizuar me lidhje qeveritare.”- mbyllet letra e Sekretarit të Përgjithshëm të PD, Gazmet Bardhi”.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat