Nga veriu në jug, këto janë çmimet për një natë në Shqipëri

Shqipëria

Nga veriu në jug, këto janë çmimet për një natë në Shqipëri

Më: 21 korrik 2019 Në ora: 19:41
Plazhi shqiptar

Një dhomë standarde me pamje nga mali, 160 euro nata, një dhomë standarde me pamje nga deti 180 euro nata, një dhomë delux me pamje nga deti, 200 euro nata. Akomodimi në suitë, 300 euro nata. Nuk jemi në Nicë, në Francë. Kjo ishte një nga ofertat me të cilën u përball një familje austriake në Jug të Shqipërisë, saktësisht në Dhërmi. Prej dy vitesh, ata pushojnë në këtë zonë, duke marrë me vete edhe miq të tyre. Për verën 2019, kanë zgjedhur sërish Shqipërinë, por duke ndryshuar hotelin ku kanë qëndruar dy vitet e mëparshme.

Shkaku i ndryshimit? Nuk janë të kënaqur me shërbimin që iu ofrohet në hotel krahasuar me çmimin që paguajnë. Për t’ju kthyer edhe një herë ofertës së parë, ata zgjodhën një hotel më të lirë, me 110 euro nata. Duke pasur parasysh Austrinë dhe standardin e tyre të jetesës, sigurisht që një pjesë mund të mendojë që ata e përballojnë, ndaj s’kanë pse ankohen. Kjo është e vërtetë, edhe 300 euro nata mund ta përballojnë, por ndërsa hoteli justifikon çmimin brenda mureve të tij, ambienti përreth e zbeh këtë.

Na u desh ta shihnim me sytë tanë Dhërmiun dhe rrugën e dytë të aksesit, në pjesën e sipërme, për të kujtuar edhe një herë se sapo mbyllet një kantier, hapet një tjetër. Vitin e shkuar, Dhërmiu ishte në pushtetin e pluhurit dhe betonit për shkak të shëtitores që po ndërtohej. Këtë vit nuk kemi ç’të themi për shëtitoren. E shtruar me kalldrëm, e pastër, e pajisur me stola dhe me ndriçim. Estetikisht duket shumë bukur. Por nëse të duhet të kalosh me makinë në rrugën e hapur për automjetet ndryshon sërish mendim.

Rruga është tërësisht e pashtruar, gropat mund t’i gjesh fare lehtë tek-tuk dhe duhet të bëhesh gati që në mos një herë, herën tjetër do ta godasësh makinën, pluhuri që ndihet pastaj gjatë ditës është qershia mbi tortë. Janë të gjitha këto që i bëjnë të huajt të mos duan të paguajnë shtrenjtë për Shqipërinë. Janë shumë 300 euro nata për t’u zhytur në pluhurin dhe gropat që gjen në çdo cep të bregdetit nga Velipoja në Ksamil. Shqipërinë e zgjedhin se është e lirë e nëse shtrenjtohet, gjasat janë që ta braktisin ashtu sikurse po bëjnë polakët apo kosovarët.

Durrësi, vështirë të gjesh dhoma, çmimet rriten me 2 euro

Durrësi, falë numrit të madh të të huajve, që vijnë nëpërmjet agjencive, po përjeton vitet e fundit shkëlqimin e tij, pas viteve të tëra braktisje. Nëse do të kërkoni rezervimin e një dhome në fundjavë praktikisht do ta keni të pamundur, flasim këtu tek grupi i hoteleve që konsiderohen relativisht të mirë. Një dhomë standarde për tre veta, me mëngjes, ishte e pamundur të gjendej në disa hotele ku pyetëm dhe që konsiderohen me 3 apo 4 yje, ndërkohë që tek ato ku kishte mundësi të gjeje, çmimi varionte nga 80 euro me mëngjesin të përfshirë, në 70 euro personi (210 euro dhoma) me katër vakte të përfshira në të.

Polakët, çekët, gjermanët, nordikët kanë vite që pushojnë në zonën e Golemit, nga maji e deri në fund të shtatorit me kontrata të parapaguara nga agjencitë, çka i ka rritur vlerën zonës, ka nxitur investime të reja në struktura akomoduese dhe si rrjedhojë ka sjellë edhe rritje graduale të çmimeve.

Në zonën e Durrësit, numri i strukturave që punojnë me kontrata të parapaguara dhe paketa ‘all inclusive’ (të gjitha të përfshira) është rritur edhe më shumë këtë vit dhe operatorët nuk shohin më probleme sa i takon menaxhimit të tyre. Ata nënvizojnë se vit pas viti është krijuar një lloj përvoje dhe menaxhimi dhe janë korrigjuar ato probleme që janë vërejtur në vitin e mëparshëm, shkruan Monitor.

Saranda, nordikët e “pushtojnë” nga Korfuzi e Janina, çmimet deri 150 euro

Teksa jemi mësuar që nordikët të përqendrohen në zonën e Golemit duket se Saranda është një tjetër destinacion që përzgjidhet prej tyre.

Çmimet e para nisin nga 50 euro deri në 150 euro për qytetarët kurse të dytët që janë të fiksuar me kontrata paraprake për turizmin e organizuar dhe që përfshijnë edhe elemente të tjera.

Shtetasit e Kosovës braktisin Shëngjinin, 20% më pak se vjet, problem informaliteti

Shëngjini, në këtë sezon veror, paraqitet më dobët sesa e njëjta periudhë e një viti më parë. Të paktën deri në mes të korrikut operatorët raportojnë një numër më të ulët të turistëve sidomos nga Kosova. Mark Gjini nga “Rafaelo Resort” në Shëngjin, struktura më e madhe akomoduese e kësaj zone, thotë se edhe kriza politike e dha një lloj efekti në tkurrjen e rezervimeve.

Nga Veriu në Jug, Velipoja më e lira, Jali më i shtrenjt

Operatorët turistikë vlerësojnë se këtë vit ka pasur një qëndrueshmëri të çmimeve në raport me një vit më parë. Bregdeti ka ruajtur prirjen e vet tradicionale ku zonat e konsideruara të lira e shoqërojnë këtë jo vetëm me pjesën e akomodimit por edhe të shërbimeve të tjera restorante, bare dhe shezlongë ashtu sikurse janë të njëjtat zona që konsiderohen të shtrenjta prej vitesh. Sipas operatorëve të tregut, Velipoja mbetet vija bregdetare më e lirë në gjithë vendin me struktura akomoduese që ofrojnë çmimet që nisin nga 2000 lekë deri në 4000 lekë për person.

Një pjesë e mirë e këtyre hoteleve po ofrojnë menu të tipit half board (mëngjes dhe darkë) dhe strukturat janë të kategorisë 1 deri në 3 yje që kryesisht i frekuentojnë turistët nga Kosova. Shëngjini është pak më i shtrenjtë nga 10-20% më shumë se Velipoja. Fillimisht ai ishte destinacioni i parë i polakëve dhe çekëve, por së fundmi ka humbur këtë klientelë. Operatorët nënvizojnë se vetëm fundjavave ka ngjallëri të përgjithshme në gjithë vijën bregdetare, ndërsa gjatë javës gjysma e shezlongëve janë bosh.

Për të zbritur më poshtë në Durrës, shkëlqimi i zonës së Golemit lidhet ngushtë me faktin që preferohet për shkak të afërsisë që ka me Aeroportin e Tiranës. Turistët nordikë, polakë dhe gjermanë preferojnë të udhëtojnë me charter dhe të kalojnë pak kohë në autobusë. Distanca nga Tirana në Durrës është e tillë që tolerohet.

Divjaka, përmes disa strukturave të veçanta, ka nisur të ofrojë shërbimet all inclusive kundrejt paketave 50 euro personi ndërkohë që vetëm hoteli për një dhomë standarde dyshe luhatet mes 20 dhe 50 euro. Për të zbritur më tej në Vlorë. Kjo e fundit në raport me një vit më parë mbetet në të njëjtat nivele, por në raport me Durrësin më e shtrenjtë, sidomos kur merr parasysh përfshirjen e Jalit apo Dhërmiut. Zonat me çmime më të përballueshme në Vlorë janë Radhima dhe Orikumi ku mund të gjesh edhe dhoma me 30 euro. Gjithsesi, ka një lloj diference për dhomat afër detit dhe për ato më të distancuara, që sigurisht janë më të shtrenjta. Ashtu sikurse ka një diferencë mes dhomave në struktura akomoduese të regjistruara dhe ato që ushtrojnë aktivitetin në informalitet.

Jali dhe Dhërmiu, edhe pse ofrojnë ekstremet e sipërme me çmime deri në 200 euro nata, ofrojnë edhe mundësi të lira. Por ajo që sërish i bën të shtrenjta si destinacione janë shërbime të tjera që lidhen me çadrën që në disa raste shkon edhe 10 mijë lekë të reja, apo baret dhe restorantet. Frekuentues të Vlorës dhe Jugut janë kryesisht kryeqytetasit, emigrantë shqiptarë që jetojnë jashtë apo italianët, gjermanët dhe polakët por në mënyrë të paorganizuar. Arsyet pse ende nuk kemi një masivizim në këtë zonë është çështja e transportit.

Saranda është e dyta pas Durrësit për turizmin e organizuar. Lidhur me strukturat akomoduese, çmimi mesatar minimal është 40 euro nata ndërsa ai mesatar maksimal, është 110 euro nata.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat