“BKH do të trajnohet nga FBI amerikane! SPAK do të punojë me me oficerët e BKH-së për të goditur korrupsionin”

Shqipëria

“BKH do të trajnohet nga FBI amerikane! SPAK do të punojë me me oficerët e BKH-së për të goditur korrupsionin”

Më: 24 korrik 2019 Në ora: 00:49
Gent Ibrahimi

Kryetari i Këshillit të Lartë të Prokurorisë (KLP), Gent Ibrahimi ka deklaruar se prokurorët e SPAK (strukturës së posaçme anti-korrupsion) do të punojnë me oficerë të Byrosë Kombëtare të Hetimit, të cilët do të trajnohen nga ana e FBI-së amerikane.

I ftuar në emisionin “Përballë” në RTSH, Ibrahimi tha se anëtarët e SPAK do të jenë të pavarur.

“Pavarësia e prokurorëve të SPAK ka edhe një dimension tjetër përveç çlirimit të lidhjes hierarkike që në fakt kanë ekzistuar në të kaluarën.Këshilli vetëm mund ta shkarkojë një prokuror të prokurorisë së posaçme, por edhe këtë gjest ekstrem mund ta bëj vetëm me ⅔ e anëtarëve të Këshillit. Ju siguroj që përvoja e këtyre 6-7 muajve të parë të Këshillit sugjeron se arritja e mazhorancës sidomos për këto çështje kaq kontradiktore siç është ndëshkimi i prokurorit të Prokurorisë së Posaçme është pothuaj i pamundur që të arrihet. Pra pavarësia e tyre ka edhe një dimension tjetër të rëndësishëm- ato shërbejnë për një mandat 9 vjeçar që nuk e kanë prokurorët e tjerë”, -tha Ibrahimi në RTSH

 “Prokuroria shqiptare gjithmonë ka patur nevojë për ndërmjetësim dhe ndihmën e policisë së shtetit për të hetuar krimin. Një oficer i Byrosë Kombëtare të Hetimit ka për Zot, prokurorin e Prokurorisë së Posaçme. Kjo ndihmon edhe në konfidencialitetin dhe sekretin e hetimeve sepse gjithçka aty konsumohet brenda një trupe të vogël njerëzisht. Këto historitë me përgjime që dalin lart e poshtë shpresoj të mos i dëgjoj më, për shkak të faktit që do të jetë vetëm një grup ekskluziv njerëzish shumë i ngushtë që do të ketë akses në dokument”, – u shpreh kreu i KLP-së.

Sipas Ibrahimit SPAK do të nisë punë më herët se Byroja Kombëtare e Hetimit. Për këtë arsye është parashikuar dhe një zgjidhje tranzitore.

“FBI do të trainojë NBI – ky është akronimi në anglisht i Byrosë Kombëtare të Hetimit. Natyrisht që bëhet fjalë për një trajnim disa mujor, në bazën më të madhe të trajnimeve të FBI-së. Zgjidhja tranzitore do të jetë që prokurorët e prokurorisë së posaçme do të punojnë me ato struktura të policisë gjyqësore që janë të pranishëm në zyrën e Prokurorisë së Krimeve të Rënda”, – tha Ibrahimi në RTSH.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat