Rritje shqetësuese e vdekshmërisë foshnjore në Shqipëri

Shqipëria

Rritje shqetësuese e vdekshmërisë foshnjore në Shqipëri

Më: 24 korrik 2019 Në ora: 09:23
Shqipëri

Pas një rënie të vazhdueshme për dy dekada me radhë, vdekshmëria foshnjore ka nisur të rritet në Shqipëri. Sipas përllogaritjeve të Eurostat, përgjatë një dekade (2007-2017) Shqipëria dhe Malta janë të vetmet vende në të gjithë Europën që kanë pësuar rritje të normës së vdekshmërisë foshnjore.

Në vitin 2017, në Shqipëri përllogariten 8 vdekje foshnjore në 1000 lindje të gjalla, ndërsa mesatarja në BE është 3.6 vdekje për 1000 lindje. Në të gjithë vendet e Bashkimit Europian është vënë re një përgjysmim të normës së vdekshmërisë foshnjore, ndërsa Shqipëria ka treguar një rritje të normës. Në vitin 2007, përllogariteshin 6 vdekje për 1000 lindje të gjalla.

Normën më të lartë në Europë e ka Turqia, me 8.5 vdekje foshnjore për 1000 lindje të gjalla, por shifër e cila ka pësuar përgjysmin nga 2007, me 16.2 vdekje/1000 lindje. Ndjek Maqedonia e Veriut me të njëjtën normë prej 8.5 vdekje/1000 lindje në 2017, sërish me rënie nga 2017 që ishte 10.2/1000 lindje. E treta në Europë, Shqipëria me 8 vdekje/1000 lindje, me rritje nga 2007. Rritja e këtij treguesi, sipas studimeve të vazhdueshme të institucioneve botërore si OKB, OBSH, e vendos vendin tonë në një pozicion të pafavorshëm për zhvillimin e qëndrueshëm, nivelin e varfërisë dhe indeksin e zhvillimit njerëzor.

Situata në BE

Në 28 shtetet e Bashkimit Europian, në vitin 2017, rreth 18 200 fëmijë humbën jetën para se të arrinin vitin e parë. Kjo ishte ekuivalente me një vdekshmëri të foshnjave prej 3.6 vdekje për 1 000 lindje të gjalla, raporton Eurostat.

Gjatë 10 viteve 2007-2017, shkalla e vdekshmërisë foshnjore në BE ra nga 4.4 vdekje për 1 000 lindje të gjalla deri në 3.6 vdekje për 1 000 lindje të gjalla; duke zgjeruar analizën në 20 vitet e fundit, shkalla e vdekshmërisë foshnjore ishte pothuajse e përgjysmuar (6.8 vdekje për 1 000 në vitin 1997).

Në vitin 2017, normat më të larta të vdekshmërisë së foshnjave në BE u regjistruan në Maltë dhe Rumani (6,7 vdekje për 1 000 lindje të gjalla) dhe Bullgari (6,4 vdekje), ndërsa më të ulëtat në Qipro (1,3 vdekje) dhe Finlanda (2,0 vdekje).

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat