Reforma në Drejtësi, paraqiten rezultatet e 6 muajve të parë të vitit me mbështetjen e EURALIUS

Shqipëria

Reforma në Drejtësi, paraqiten rezultatet e 6 muajve të parë të vitit me mbështetjen e EURALIUS

Më: 24 korrik 2019 Në ora: 21:36
Pamje nga takimi

Sot, në takimin e tretë të Komitetit Drejtues të EURALIUS, u prezantuan rezultatet e Planit të Punës për 6-mujorin e parë të vitit dhe u miratua plani i punës për 6-mujorin e dytë.

Ministria e Drejtësisë shprehet se vlerëson kontributin tejet profesional të EURALIUS V, të mbështetur edhe nga IRZ dhe partnerë të tjerë ndërkombëtarë, si dhe asistencën e padiskutueshme të përfaqësuesve të Delegacionit të Bashkimit Europian dhe aktorëve të tjerë institucionalë shqiptarë në kuadër të Reformës në Drejtësi.

Sipas zv.ministres së Drejtësisë, Fjoralba Caka, gjatë 6 mujorit të parë të 2019 EURALIUS ka mbështetur institucionet shqiptare me hartimin e 2 ligjeve dhe 31 akte nënligjore, ka mundësuar 17 komente, 33 raporte ekspertize dhe 20 opinione ligjore, sikurse edhe ka dhënë kontribut me 57 punime, 13 sesione trajnimi dhe 12 aktivitetet me 294 pjesëmarrës. Këto janë tregues të qartë dhe të pamohueshëm të punës së palodhur që ky mision ka marrë përsipër që prej fillimit të aktivitetit të tij në Shqipëri.

EURALIUS ka asistuar Ministrinë e Drejtësisë jo vetëm në përfundimin e ligjeve që janë pjesë e paketës së Reformës në Drejtësi si p.sh. ndryshimet në ligjin për Statusin dhe Ligjin për qeverisjen Gjyqësore, por edhe në hartimin dhe monitorimin e dokumenteve strategjikë.

Konkretisht, EURALIUS ka kontribuar në hartimin e Strategjisë së Edukimit Ligjor dhe ngritjen e Mekanizmit të Strategjisë Ndër-Sektoriale të Drejtësisë. Në planin e ardhshëm 6 mujor ekspertiza e EURALIUS për Ministrinë e Drejtësisë do të përqendrohet në fuqizimin e departamentit të Kodifikimit, përmirësimin e shërbimeve ligjore dhe trajnim e ekspertëve për Direktivat e Kapitullit 23.

Përfitues të tjerë të ekspertizës së EURALIUS janë edhe KLP, KLGJ, KED, prokuroria dhe gjykatat, Shkolla e Magjistraturës si edhe profesionet e lira. Rrethi i gjerë i aktorëve në sistemin e drejtësisë që përfitojnë nga ekspertiza e EURALIUS është tregues për punën voluminoze të këtij projekti dhe dedikimin e ekspertëve të tij.

“Patëm rastin edhe në këtë tryezë që si Ministri e Drejtësisë të shprehim mirënjohjen për kontributin profesional të EURALIUS në dhënien e mbështetjes për të ndërtuar një sistem gjyqësor te shëndetshëm, bazuar në pavarësi, transparencë, llogaridhënie dhe profesionalizëm”, tha Caka.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat