Salianji: Dorëzova në KPK material inkriminues për prokurorin Gent Osmani

Shqipëria

Salianji: Dorëzova në KPK material inkriminues për prokurorin Gent Osmani

Më: 24 korrik 2019 Në ora: 21:38
Ervin Salianji

Ish-deputeti i PD-së, Ervin Salianji ka dorëzuar në Komisionin e Pavarur të Kualifikimit material inkriminues për integritetin e Prokurorit të Krimeve të Rënda, Gent Osmani para se të enjten KPA të marrë vendimin final për Vetingun.

Në një prononcim për mediet, Salianji tha se “sapo dorëzova një CD me të dhëna përgjuese, të bëra me vendim gjykate nga ana e prokurorisë, në të cilat subjekti në rivlerësim, Gent Osmani, sot anëtar i KLP-së, një prej drejtuesve të Këshillit të Lartë të Prokurorisë, i cili vendos për emërimin, shkarkimin apo transferimin e prokurorëve të çdo niveli, po ashtu edhe për krijimin e SPAK-ut, ka komunikuar në mënyrë jo vetëm miqësore, por edhe duke prishur dhe fshirë një pjesë të përgjimit, siç duket në përgjimin që do ta bëj publike edhe për mediet, me shtetasin Alfred Alizoti”.

“E ka vendosur vetë në përgjim dhe ka komunikuar po kështu në mënyrë miqësore, pa lënë më pas asnjë lloj procesverbali, pa pasur asnjë lloj dokumentimi të të gjithë situatës së komunikimit me të dhe duket që është vendosur në mënyrë joprofesionale në shërbim të politikës dhe pa diskutim të ish-ministrit Xhafaj, i cili e ka trysnuar për ta mbajtur peng në Kolegjin e Apelimit, sepse në KPK e ka kaluar Vetingun”, shtoi ai.

Më tej, Salianji shtoi se është një rast flagrant se si një prokuror, në mënyrë joprofesionale vendoset në shërbim të politikës, duke montuar një çështje të caktuar.

“Rikujtoj për publikun që prokurori Gent Osmani ka qenë një prokuror jo i shortuar, nuk ka rënë me short për çështjen për të cilën diskutojmë. Kështu që shpresoj dhe besoj shumë që edhe ligjërisht të mos ketë asnjë justifikim, pasi e kam dorëzuar tani përgjimin, duke dhënë edhe formularin e prokurorisë, meqenëse sot ka qenë edhe seanca në KPA”, tha ai. 

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat