I vunë “gjobë” 50 mijë euro biznesmenit, në pranga 3 persona

Shqipëria

I vunë “gjobë” 50 mijë euro biznesmenit, në pranga 3 persona

Më: 31 korrik 2019 Në ora: 10:59
Në pranga 3 persona

Tre persona të dyshuar për gjobëvënie kanë përfunduar në pranga nën akuzën e “Shtrëngimi me anë të kanosjes ose dhunës për dhënien e pasurisë “, në bashkëpunim.

Raportohet se pas një hetimi me metoda speciale, u finalizua me sukses operacioni policor i koduar “Gjobëvënësit”, si rezultat i të cilit u arrestuan në flagrancë:E. Sh., 26 vjeç, K. E., 40 vjeç, si dhe L. Z., 45 vjeç.

Në komunikatën e policisë ky i fundit vlerësohet si një person me rrezikshmëri të lartë në fushën e krimeve ndaj personit.

Arrestimi i tyre u bë pasi këta shtetas në bashkëpunim me njëri – tjetrin me anë të kanosjes dhe dhunës, kanë shtrënguar për dhënien e një pasurie prej 50 000 eurosh, shtetasin N. L., banues në Durrës.

Gjatë operacionit, në momentin e ndërhyrjes, Policia sekuestroi shumën 5000 euro, të cilën e kishin vënë si këst të radhës për t’u paguar nga shtetasi N. L.

Gjithashtu në cilësinë e provës materiale u sekuestruan dhe 3 aparate celulare dhe 1 automjet.

Operacioni nga Seksioni për Hetimin ndaj Personit e Pasurisë, në Drejtorinë Vendore të Policisë Durrës, në bashkëpunim me Forcat e Posaçme Operacionale të Drejtorisë së Përgjithshme të Policisë së Shtetit, nën drejtimin e Prokurorisë së Shkallës së Parë për Krimet e Rënda Tiranë.

Materialet do t’i kalojnë Prokurorisë Pranë Gjykatës së Shkallës së Parë për Krimet e Rënda Tiranë, për hetime të mëtejshme në ngarkim të shtetasve të lartpërmendur, për veprën penale “Shtrëngimi me anë të kanosjes ose dhunës për dhënien e pasurisë “, në bashkëpunim.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat