Meta “shuplakë” Bashës e Ramës: Fitoret tuaja penalizojnë vendin

Shqipëria

Meta “shuplakë” Bashës e Ramës: Fitoret tuaja penalizojnë vendin

Më: 6 gusht 2019 Në ora: 08:02
Ilir Meta

Mëngjesin e kësaj të hënë, Presidenti i Republikës Ilir Meta përcolli një mesazh kritikues për politikën shqiptare, veçanërisht në drejtim të krerëve të maxhorancës dhe opozitës. Sipas Kreut të Shtetit, vetëkënaqësia e liderëve të politikës, po i mbyll mundësitë Shqipërisë për hapjen e negociatave si dhe po cenon demokracinë institucionale. “Fitoret e thella që gëzojnë liderët dhe pasojat e rënda që penalizojnë Shqipërinë dhe shqiptarët. E kam fjalën për fitoren “e vërtetë” të mazhorancës aktuale, që në zgjedhjet e saj të njëanshme dhe të paligjshme, shpalli fitoren në 100% të bashkive të Shqipërisë, si edhe të këshillave bashkiakë”. Presidenti Ilir Meta i ka dhënë një përgjigje të drejtpërdrejtë edhe pretendimeve të kryedemokratit, Lulzim Basha e pjesës tjetër të opozitës që thotë se me 30 qershor fituan 85% e zgjedhësve që nuk morën pjesë. Meta thotë se sikur të kishte vetëm çerekun e 85 përqindëshit, do kishte arritur një fitore reale. Po ashtu, Meta nuk kursen kritikat edhe për zgjedhjet njëpartiake të Partisë Socialiste. Duke shkuar më tej, Meta thumbon mazhorancën për rezultatin e 30 qershorit duke thënë se shpalli fitore nga zgjedhjet e njëanshme dhe të paligjshme. “Por edhe entuziazmi i liderëve të opozitës se ata fituan 85% është mbresëlënës, duke harruar se sikur opozita të ishte regjistruar në kohë para shfuqizimit të 30 qershorit si datë e zgjedhjeve do t’i mjaftonte të kishte për vete, jo më shumë se 1/4 e 85% për të arritur një fitore reale dhe institucionale në shumicën dërrmuese të njësive vendore”, thotë Meta.

Integrimit i vendit

Sipas Kreut të Shtetit fitore të tilla, jo vetëm i mbyllin derën 18 Tetorit, vendimit për negociatat e BE me Shqipërinë, por mund të sjellë pasoja më të rënda në institucionet demokratike. “Fitore” të tilla penalizojnë rëndë të ardhmen e vendit, pasi jo vetëm garantojnë një disfatë në 18 tetor për çeljen e negociatave në mënyrë te sigurt, por lënë pa mbrojtje nga të drejtat e tyre të gjithë qytetarët shqiptarë, të cilët jetën e tyre të përditshme e kanë aq të lidhur me shërbimet e pushtetit vendor. Për integrimin as bëhet fjalë, por mbetet vetëm të shpresojmë të mos na ndëshkojnë në institucionet aktuale, që merren me mbrojtjen e autonomisë vendore, demokracisë vendore dhe të drejtat e njeriut. Ndërkohë asgjësimi i llogaridhënies së pushtetit vendor (pas atij qendror), i shërben vetëm pakicës që nuk njeh rotacion dhe të përzgjedhurve të saj për të administruar çdo pushtet, pasuri dhe pronë publike, në mënyrë arrogante dhe të pakontrolluar. Viktimat e këtyre “fitoreve” janë të gjithë qytetarët shqiptarë pa dallime partiake”, tha Kreu i Shtetit.

Basha: Kriza zgjidhet me kapjen e politikanëve kriminel 

Kryedemokrati Lulzim Basha deklaron se këtë herë, zgjidhja e krizës kalon nga politikanët me pranga në duar.  Në një video të publikuar në “Facebook”, pas kritikave të Presidentit Meta mëngjesin e djeshëm, Basha jep një përmbledhje të qëndrimeve të Ramës lidhur me përgjimet e publikuara nga “Bild” për blerjen e votave në Durrës e Dibër. Në video përmendet edhe fakti se DASH i ka ndaluar udhëtimin në SHBA ish-kryebashkiakut të Durrësit, Vangjush Dako dhe familjes së tij. Ndër të tjera, Basha thotë se vetëm zgjedhjet e lira, me një qeveri tranzitore dhe ndëshkimi i politikanëve që vodhën zgjedhjet, do ta çlirojnë demokracinë dhe drejtësinë nga kjo bandë kriminale. “Ja si hajduti psikik vodhi zgjedhjet me krimin e organizuar për të plaçkitur Shqipërinë me ta dhe me oligarkët grabitqarë! Vetëm zgjedhjet e lira dhe të ndershme me një qeveri tranzitore pa hajdutin psikik, dhe ndëshkimi i politikanëve që vodhën zgjedhjet, do ta çlirojnë demokracinë dhe drejtësinë nga kjo bandë kriminale. Kësaj radhe zgjidhja e krizës kalon nga politikanë me pranga në duar!”, shkruan Basha. Gjithashtu, gjatë një takimi me strukturat e PD-së në Fushë-Krujë, Basha, deklaroi se vendimet e qeverisë dhe të Parlamentit të Edi Ramës në këto 6 vjet janë kundër biznesit të vogël, vendime të llogaritura për të pasuruar veten, familjen e tij dhe një grusht klientësh. “Hajduti psikik i është vërsulur biznesit të vogël për t’i marrë edhe qindarkën e fundit me aferën e sistemit të ri të faturimit të biznesit, nëpërmjet të cilit do të nxjerrë jashtë përdorimit 140 mijë kasa fiskale dhe do të detyrojë biznesin e vogël t’i paguaje Olsi Ramës dhe këshilltarit kroat të Ramës 50 deri në 110 Euro për çdo biznes. Kjo zhvatje e re bëhet për të mbushur xhepat e familjes dhe miqve të Hajdutit Psiqik, ndërkohë që oligarkëve u fali dividentin, bregdetin, naftën, mineralet, lumenjtë dhe pyjet.”- u shpreh Basha.

30 qershori

Ndërsa partitë opozitare kërkojnë regjistrimin në zgjedhjet e 13 Tetorit, të hënën në 6 bashki në vend janë betuar kryebashkiakët e dalë nga 30 qershori. Në bashkinë e Vorës është betuar kryebashkiaku socialist Agim Kajmaku, pas 4 viteve në drejtim të demokratit Fiqiri Ismaili. Kalimi i bashkisë nën pushtetin e të majtës është zhvilluar qetësisht, pa krijuar incidente apo rezistencë nga ish-kryebashkiaku demokrat. Këshilli bashkiak i Vorës përbëhet nga 21 anëtar, 18 prej të cilëve janë të PS. Bindja Demokratike ka fituar vetëm 1 këshilltar, ashtu si partia e gjelbër dhe Ardhmëria. Pas konsitutimit të 21 këshilltarëve me në krye Gëzim Xhafën në bashkinë e Bulqizës, është betuar dhe kryebashkiaku socialist Lefter Alla. E njëjta situatë është paraqitur dhe në bashkinë e Delvinës, në krye të të cilës u vendos Majlinda Qilimi. Në bashkinë e Himarës u betua kryebashkiaku Jorgo Goro, ndërsa në bashkinë e Mirditës, socialisti Ndrec Dedaj nisi mandatin e tij të dytë. Në Krumë ish-kryetari Adem Lala i dorëzoi stafetën pasardhësit Liman Morina në prani edhe të prefektit të Kukësit.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat