Basha: 30 qershori është edhe thirrje për ndryshimin e PD-së

Shqipëria

Basha: 30 qershori është edhe thirrje për ndryshimin e PD-së

Më: 6 gusht 2019 Në ora: 14:17
Lulzim Basha

Kreu i opozitës në Shqipëri, Lulzim Basha deklaroi në Patos se 1/3 e socialistëve refuzuan më 30 Qershor qeverisjen hajdute dhe kriminale të Edi Ramës. Zoti Basha iu referua shembullit të Bashkisë së Patosit, ku pjesëmarrja në votime ishte e ulët.

“Sa i përket pjesëmarrjes reale, përfshirë ata që janë detyruar me forcë, në bashkinë e Patosit, refuzimi masiv ka arritur një tjetër rekord me 13 përqind. Kjo do të thotë se në Patos vetëm një në tre socialistë ka shkuar të votojë në procesin farsë të 30 qershorit, ndërsa dy në tre kanë vendosur ta bojkotojnë këtë farsë dhe të rreshtohen në krahun e vëllezërve dhe motrave të tyre demokratë, kundër juntës kriminale, kundër hajdutërisë, barbarisë dhe grabitjes së Edi Ramës”, tha Basha.

Kryetari i PD vuri në dukje se ky nuk është rezultat i arritur brenda një jave, por i protestave dhe i qëndrimeve politike të PD dhe opozitës, siç ishte djegia e mandateve parlamentare. “Janë pikërisht protestat popullore, është qëndresa juaj, kurajo juaj, vendosmëria juaj që ka zgjuar kurajon dhe ka vetëdijesuar gjithë shqiptarët përfshirë zgjedhësit e ndershëm socialistë, se 30 qershori nuk bëhej për ta, por për një klikë hajdutësh, që ka thyer çdo rekord babëzie dhe hajdutërie në Shqipëri dhe në Ballkan”, tha Basha.

“A nuk është kjo klikë hajdute që e zvarriti statusin e minatorit sa mundën?! Kaluan ligjin në momentin e fundit dhe kanë kaluar 2 vjet dhe ligji është në fuqi, por nuk zbatohet! A nuk janë këta që mashtruan banorët e Zharrëzës?! A nuk janë këta përfituesit e drejtpërdrejtë të vjedhjes kolosale që i bëhet një prej pasurive më të mëdha të Shqipërisë dhe të gjithë Europës, siç është pellgu naftëmbajtës i Patos-Marinzës?! A nuk janë këta që përzunë investitorët e huaj perëndimorë për ta grabitur më kollaj naftën dhe nxitur kontrabandën dhe evazionin?!”, shtoi Basha.

Lideri i opozitës tha se në vend të qeverisjes, Edi Rama ka ndërtuar një sistem banditesk grabitjeje. “Çdo vendim, çdo akt qeverie, çdo ligj parlamenti, çdo rregullore, çdo gjë është për të vjedhur dhe për të grabitur. Jo vetëm me vjedhjen e buxhetit, vjedhjen në dogana, që ka kapur nivele të padëgjuara që në ditët më të zeza të qeverisjes së Fatos Nanos, vjedhjen me tatimet, vjedhjen me tenderët. Tani po vjedhin me koncesionet dhe PPP-të. Ka shkuar çmimi për kilometër rruge në Shqipëri 5 herë më i lartë se sa në Japoninë e tërmeteve, 10 herë më i lartë se sa çmimi mesatar europian, siç është vjedhja në rrugën Milot-Balldren, siç është vjedhja në rrugën Vlorë-Orikum.”- u shpreh lideri i opozitës në takimin me strukturat e PD në Patos.

Për të treguar se Rama nuk do të ndalet në vjedhjet e tij deri në momentet e fundit si kryeministër, Lulzim Basha renditi edhe disa afera të tjera korruptive të këtyre javëve të fundit. “Këtë verë kanë planifikuar edhe vjedhje të tjera, vjedhjen me uniformat e policisë ku kanë dyfishuar çmimin. Po bëjnë gati koncensionin 100 euro tarifë shtesë çdo biznesi për një tjetër truk me gjoja një kompani kroate, për të marrë 100 euro nga çdo biznes, a thua nuk e kanë këputur me taksa, gjoba, me çmimin e naftës, me çmimin e energjisë. Teatri, vjedhje e pastër njësoj si Unaza e Re, njësoj si stadiumi e kështu me radhë.”- tha ai.

Kreu i opozitës tha se kjo kupë të mbushur dhe e derdhur hajdutërie qeveritare dhe varfërimi të shqiptarëve solli reagimin popullor të 30 qershorit. “Protestat dhe vendimet për djegien e mandateve që vetëdijësuan shqiptarët se kjo luftë nuk bëhej për karriget dhe mandatet tona, nuk bëhej për privilegjet e pushtetit, por bëhej për qytetarët. Ndaj dhe protestat nuk u shuan, por u bënë gjithnjë e më të mëdha, gjithmonë e më të vendosura, gjithmonë e më të fuqishme, për të kulmuar me 30 qershorin. Kurrë më parë nuk kemi pasur një bashkim të tillë të qytetarëve. 85 përqind e  shqiptarëve iu përgjigjen thirrjes tonë dhe refuzuan farsën, refuzuan regjimin e Edi Ramës. U bënë pjesë e shumicës “Rama ik”.”- theksoi Basha në Patos, duke shprehur mirënjohjen për besimin që qytetarët treguan tek PD dhe opozita.

“Brenda këtij refuzimi popullor, ka edhe një lajm tjetër shumë të madh. 30 qershori nuk është thjeshtë dhe vetëm refuzimi i Edi Ramës dhe regjimit të tij, nuk është thjesht një kryengritje masive popullore kundër mjerimit ekonomik që ai ka mbjellë, papunësisë, varfërisë. Është edhe një thirrje popullore për ndryshim. Dhe kjo thirrje i drejtohet të vetmit faktor politik që ka kapacitetet, burimet njerëzore, vizionin, planin për ta bërë këtë ndryshim të mundur, që është Partia Demokratike e Shqipërisë dhe Opozita e Bashkuar.”- vuri në dukje zoti Basha/tch

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat