Zjarri i madh në Gjirokastër shkrumbon 2 ha kullotë, zjarrfikëset ‘luftë’ me flakët

Shqipëria

Zjarri i madh në Gjirokastër shkrumbon 2 ha kullotë, zjarrfikëset ‘luftë’ me flakët

Më: 6 gusht 2019 Në ora: 18:42
Zjarri në Gjirokastër

Një zjarr i përmasave të konsiderueshme ka përfshirë një sipërfaqe të madhe me kullotë në zonat mes Dervicianit dhe Goranxisë në Dropull të Gjirokastrës.

Mësohet se 2 ha kullotë është djegur, ndërsa flakët kanë prekur  edhe rreth 50 pisha. Dy  makina zjarrfikëse kanë shkuar në terren. Po punohet edhe me mjete rrethanore si pasojë e terrenit malor.

Forcat zjarrfikëse po shmangin përhapjen e zjarrit pranë zonave të banuara. Të angazhuar në terren janë tre stacione zjarrfikëse, Gjirokastër, Dropull, Libohovë dhe forcat ushtarake.

Operacioni drejtohet nga kreu i PMNZSH Gjirokastër Kujtim Bizhga dhe prefekti Aliaj. Zjarri po përhapet me shpejtësi. Është bërë rrethimi për të mos u përhapur afër banesave.

Zjarret në Dropull, janë problematikë e përvitshme. Këtë vit përgjatë korrikut në Gjirokastër u regjistruan vetëm 4 vatra zjarri, ndërsa kjo është vatra e dytë e zjarrit në Dropull brenda harkut kohor të një jave.

Viti 2017 shënoi edhe bilancin më dramatik të dy dekadave të fundit në Gjirokastër, ku në të gjithë qarkun u dogjën më shumë se 700 ha kullota dhe pyje. Gjatë 2018 në Gjirokastër u shënuan 80 vatra zjarri.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat