Argumentimi/ Presidenti Meta zbulon hilen në ligjin e miratuar nga PS-ja për koncesionet

Shqipëria

Argumentimi/ Presidenti Meta zbulon hilen në ligjin e miratuar nga PS-ja për koncesionet

Më: 8 gusht 2019 Në ora: 09:30
Ilir Meta

Presidenti Meta ktheu dje për rishqyrtim projektligjin për Partneritetin Publik Privat të miratuar nga maxhoranca në seancën plenare të datës 18 korrik.

Ky ligj ndenji në sirtarët e Kuvendit për katër muaj përpara se të kalonte për miratim në seancë plenare. Por nga argumenti ligjor i bërë nga Presidenti, del në pah se 24 orë përpara se ky ligj të miratohej në seancë plenare, PS-ja kishte propozuar shtyrjen e afatit për miratimin e PPP-ve me ofertë të pa kërkuar.

Varianti fillestar i ligjit parashikonte se pas datës 1 korrik, nuk do të pranoheshim më ofertat e pa kërkuara në sektorin e infrastrukturës rrugore, që janë bërë edhe temë debati politik ndërmjet maxhorancës dhe opozitës. Ligji fillestar i propozuar nga qeveria parashikonte se ofertat e pa kërkuara do të liheshin në sektor si prodhimi i energjisë, ndërtimi i porteve dhe aeroporteve etj.

Por 24 orë përpara se ligji të kalon për miratim në seancë plenare, Arben Ahmetaj paraqiti në seancë plenare ndryshimin e dy neneve duke përcaktuar si afat të fundit 1 tetorin, kohë në të cilën nuk do të pranoheshim më oferta të pa kërkuara edhe në ndërtimin e rrugëve. Ky amendament sipas Presidentit bie në kundërshtim me interesin publik ndaj e ktheu atë për rishqyrtim në Kuvend.

AMENDAMENTET PËRPARA VOTIMIT

Rezulton se vetëm një ditë përpara zhvillimit të seancës plenare, në cilësinë e deputetit propozues, zoti Arben Ahmetaj në mbështetje të nenit 75, pika 4 e Rregullores së Kuvendit, ka parashtruar përpara Kryetarit të Kuvendit një kërkesë të protokolluar me nr. prot. 2841, datë 17.07.2019, nëpërmjet të cilës ka paraqitur amendamente për projektligjin “Për disa ndryshime dhe shtesa në ligjin nr. 125/2013, “Për koncesionet dhe partneritetin publik privat”, të ndryshuar”, dhe konkretisht vetëm për dy nene kryesore të tij (nenin 17 dhe 18 të projektligjit).

Konstatohet se kërkesa formale e paraqitur 24 orë përpara zhvillimit të seancës plenare për amendimin e këtyre dy neneve, nuk është e justifikuar dhe arsyetuar sa i takon qëllimit real dhe objektiv se përse kërkohen realisht këto amendamente. Këto propozime të deputetit Ahmetaj rezultojnë të jenë miratuar në seancë plenare, pasi përmbajta e dispozitave të nenit 17 dhe 18 të ligjit nr. 50/2019 të miratuar, janë votuar sipas amendamenteve të propozuara nga deputeti Ahmetaj.

Pikërisht për këto dispozita sensitive të projektligjit është kërkuar ndryshim nga deputeti zoti Arben Ahmetaj, nëpërmjet amendamenteve të paraqitura prej tij, vetëm 24 orë përpara seancës plenare, duke bërë të mundur faktikisht shtyrjen e afatit të aplikimit të të gjitha kufizimeve koncesionare për në datë 1 tetor 2019. Në këtë mënyrë, jepet sërish mundësi e pakufizuar që çdo kërkesë koncesionare që paraqitet deri më datë 1 tetor 2019, pavarësisht fushës ku kërkon të aplikohet apo të zbatohet projekti, do të shqyrtohet nga autoriteti kontraktues dhe qeveria shqiptare.

BINDJA

Në krahasim të qëllimit të vetë nismës propozuese me përmbajtjen e neneve 17, 18 të ligjit nr. 50/ 2019, të miratuar nga Kuvendi, që janë miratuar sipas propozimit amendues të deputetit Ahmetaj bërë vetëm 24-orë përpara shqyrtimit të projektligjit në seancë plenare, Presidenti i Republikës, ka arritur në përfundimin se, nenet 17 dhe 18 të ligjit nr. 50/ 2019, nuk përmbushin qëllimin objektiv të vetë ligjit; janë rrjedhojë e një propozimi urgjent dhe të pajustifikuar; krijojnë një hapësirë kohore të përshtatshëm për thirrje për aplikime të reja koncesionare; nuk janë në harmoni me qëllimin fillestar të qeverisë dhe ligjvënësit; konstatime dhe vlerësime këto të cilat, krijojnë terren të përshtatshëm për të vijuar me aplikimin e gabuar të praktikave koncesionare problematike të vlerësuara jo objektivisht me pasojë cenimin e interesit publik dhe të ekonomisë së vendit.

QËNDRIMI

Nga ky ndryshim i përgatitur nga deputeti propozues dhe i pranuar nga Kuvendi sipas parashikimeve të neneve 17 dhe 18 të ligjit nr. 50/2019, bëhet e mundur që propozimet e pakërkuara, të cilat aktualisht janë të pakufizuara sipas nenit 5, pika 1/j, dhe nenit 25 të ligjit nr. 125/2013, të mbeten ende të tilla dhe do të aplikohen për të gjitha propozimet që do të depozitohen deri në datë 1 tetor 2019. Pra, në vetvete dispozitat e neneve 17 dhe 18 të ligjit nr. 50/2019, janë në fakt një thirrje e hapur për aplikime të pakufizuara për kontrata të reja koncesionare, sipas kushteve të ligjit aktual në fuqi të pandryshuar, sepse të gjitha kufizimet që qeveria dhe Kuvendi po pretendon se po realizon me ligj, shtyhen për t’u aplikuar deri më datë 1 tetor 2019.

Periudha e parashikuar deri në 1 tetor 2019 në ndryshim nga nisma fillestare është tregues i qartë për: Mungesë transparence në procedurat e shqyrtimit të nismave ligjore; Mungesë transparence ndaj qytetarëve në propozimet e pakërkuara që janë administruar gjatë kësaj periudhe nga autoritetet kontraktuese (duke qenë se tashmë nisma për kufizimin e propozimeve të pakërkuara dihej dhe njihej); Ka krijuar hapësirën jo vetëm për depozitimin e kërkesave të reja koncesionare/PPP, por edhe për trajtimin dhe miratimin e tyre sipas kritereve dhe procedurës së mëparshme ligjore.

NENI 17

1. Autoriteti kontraktues vazhdon procedurat për shqyrtimin dhe dhënien me koncesion vetëm për propozimet e pakërkuara, të paraqitura para datës 1 tetor 2019, për të cilat është krijuar nga autoriteti kontraktues komisioni i koncesionit/ PPP.

2. Këshilli i Ministrave, brenda 3 muajve nga hyrja në fuqi e këtij ligji, nxjerr aktet nënligjore, të përcaktuara në nenet 3, 5, 6, 7 dhe 10 të këtij ligji.

NENI 18

Ky ligj hyn në fuqi 15 ditë pas botimit në Fletoren Zyrtare, me përjashtim të nenit 2, nenit 8, pika 1, dhe nenit 10 të këtij ligji, të cilët hyjnë në fuqi më 1 tetor 2019.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat