"Janë njerëz të dëshpëruar", Bari kujton eksodin e madh të shqiptarëve

Shqipëria

"Janë njerëz të dëshpëruar", Bari kujton eksodin e madh të shqiptarëve

Më: 9 gusht 2019 Në ora: 08:03
Bari

Më 8 gusht të 1991 rreth 20 mijë shqiptarë në bordin e anijes Vlora e nisur një ditë më parë nga Shqipëria, mbërritën në brigjet e Barit.

Barezët ua hapën dyert duke iu përgjigjur thirrjes së kryetarit të atëhershëm të Bashkisë Enrico Dalfino, i cili u kërkojë të tregonin humanizëm e mikpritje ndaj shqiptarëve.

"Janë njerëz, janë njerëz të dëshpëruar e nuk mund të kthehen pas. Ne jemi e vetmja shpresë për ta", ishte thirrja që 28 vite më parë kryebashkiaku i Barit i drejtoi qytetarëve të tij.

Fjalët e tij janë kujtuar sot 28 vite më pas me një mesazh radio në alfabertin Mors, i amplifikuar nga një sistem i fuqishëm audio e i shpërndarë në tërë planetin tokë nga koordinata gjeografike të Teatrit Margerita të Barit, ku u zhvillua dhe ceremonia përkujtimore.

Ky mesazh radio merr sot vlerën simbolike për një sistem universal dialogu e mikpritjeje mes popujve.

"Mbërritja e anijes Vlora me ngarkesën e saj njerëzore në arrati, në kërkim të një të ardhme me të drejtat e mundësi, është një skenë që kush ka lindur në Bari nuk e harron kurrë", u shpreh në ceremoninë e hapjes së këtij eventi kryetari aktual i bashkisë së Barit.

Antonio Decaro në praninë e mjaft protagonistëve të atyre ditëve të rralla.

"Për ne sot, është mjaft e rëndësishme të kujtojmë fjalët e ish-kryetarit të Bashkisë së Barit i cili nuk është më mes nesh, tha ai e në një moment kur portet italiane përdoren me një retorikë shumë negative për emigracionin, duke mos marrë parasysh asnjë të drejtë njerëzore."

Në kujtim të eksodit të shqiptarëve është shprehur dhe Guvernatori i rajonit të Puglias, Michele Emiliano, i cili ka bërë një paralelizëm me politikën e porteve të mbyllura të qeverisë Conte.

"Nëse anija Vlora do të mbërrinte sot më 8 gusht 2019 e jo më 1991, e dy ditë pas aprovimit të ligjit biz mbi sigurinë e emigracionin? pyet ai, me siguri që për motive sigurie 20 mijë shqiptarët nuk do të zbrisnin në portin e Barit."

Guvernatori i Barit ka kujtuar me emocione e krenari zinxhirin e solidaritetit të atyre ditëve që shënoi më pas ligjshmërinë e fluksit të emigrantëve.

Ky event përkujtimor u realizua nga Bashkia e Barit në bashkëpunim me shoqatën e Radioamatorizmit Italian e me Urdhërin e Avokatëve të Barit dhe i bashkohet skultpurës publike "Janë njerëz 8.8.1991!" vepër e artistes Jasmine Pignatelli në kujtim të zëmërgjerësisë e shpirtit human të popullit të Barit pas mbërritjes së anijes Vlora si dhe në nderim të figurës së kryetarit të bashkisë Enrico Dafinio ( 1935-2014).

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat