Veliera turke përplas peshkarexhën shqiptare në ujërat e Sazanit, ja çfarë ka ndodhur

Shqipëria

Veliera turke përplas peshkarexhën shqiptare në ujërat e Sazanit, ja çfarë ka ndodhur

Më: 9 gusht 2019 Në ora: 22:58
Ujërat e Sazanit

Një aksident detar ka ndodhur mbrëmjen e 6 gushtit rreth orës 22.00 në ujrat detare të Vlorës, kur një peshkarexhë shqiptare është përplasur me një velierë turke.

Aurel Fejzo, kapiteni i peshkarexhës shqiptare ‘Gjyzel’, ka treguar për mediat se është përplasur  rreth 9.6 milje nga veriu i Sazanit në 170-180 metra thellësi.

Ai ka bërë denoncimin pasi pala turke ka refuzuar ta dëmshpërblejë.

Fejzo tregon se aksidenti ka ndodhur  ndërsa kishte dalë për peshkim dhe ishte me një shpejtësi të ulët.

Ai thotë se e ka pikasur velierën turke dhe ka matur distancën që ishte në 1.5 milje larg, apo 1800 metra larg tij.

‘Veliera turke ecte me motora dhe jo me vela, çka do të thotë se mjeti ishte me shpejtësi. I dhashë sinjalin e shkëmbimit, por nuk bëri asnjë lloj reagimi. Mendoja se tre shtetasit turq kanë qenë në gjumë në momentin e goditjes. Pas përplasjes ata dolën me duart në kokë.  Nuk i lejova të largoheshin deri sa erdhi policia kufitare dhe na shoqëruan në mol të Vlorës ku edhe bëmë procedurat e deklarimeve’ tha ai.

Sipas kapitenit Fejzo veliera turke nuk ishte në kushte lundrimi dhe prandaj nuk duan të paguajnë dëmin. Nga data 6 gusht kur edhe ka ndodhur ngjarja, dy ditë më pas, pra këtë të martë ka mbërritur në Vlorë një grup inspektimi nga Kapiteneria e Durrësit dhe kanë nisur hetimin detar.

‘Sot ka ardhur inspektimi nga Durrësi, vajtëm në kapiteneri bëmë procedurat. Pasi bënë inspektimin tek anija ime, u nisën të bënin inspektim tek anija turke, por hasën në rezistencë të shtetasve turq’ tha ai.

Aktualisht anija shqiptare e peshkimit ‘Gjyzel’ ndodhet në triport të Vlorës për evituar mbytjen e saj pas dëmtimit që ka marrë nga përplasja.

Ndërsa veliera turke ndodhet në molin e Vlorës ku sipas Fejzos nuk ka pësuar dëmtime.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat