Evazion fiskal e pastrim parash, policia shpall në kërkim administratorin e ‘Gega Oil’

Shqipëria

Evazion fiskal e pastrim parash, policia shpall në kërkim administratorin e ‘Gega Oil’

Më: 10 gusht 2019 Në ora: 09:15
Gega Oil

Policia e shtetit ka shpallur në kërkim administratorin e njërit prej kompanive të njohura të karburanteve në Shqipëri, nën akuzën e evazionit fiskal dhe të pastrimit të parave.

Fjala është për shtetasin Paulin Gega, administrator i “Gega Oil”. Sipas njoftimit të policisë, në kontrollet e kryera nga autoritetet janë gjetur pompa në shkelje të plotë të ligjit dhe si pasojë është bllokuar aktiviteti i biznesnit.

“Policia e Shtetit në bashkëpunim me organet tatimore, ka ndjekur veprimtarinë e tatimpaguesit « Gen Klaudis ShA », në vijim të zbatimit të Planit të Masave kundër Informalitetit dhe Evazionit Fiskal në sektorët e Turizmit, Ndërtimit, Hidrokarbureve, Tregtimit të mallrave me akcizë, dhe ka ushtruar kontroll në datën 07.08.2019.

Nga kontrolli tatimor janë gjetur pompa, të cilat në shkelje të ligjit, funksiononin në regjim manual dhe për këtë arsye, është kryer bllokimi i tregtimit të karburantit nga ky subjekt.

Menjëherë pas bllokimit, u kryen hetime intensive që çuan në konkluzionin se administratori i kompanisë, shtetasi Paulin Gega, përmes subjektit “Gen Klaudis Sha” që njihet me emrin tregëtar “Gega Oil”, ka kryer evazion fiskal në përmasa të konsiderueshme.

Po ky shtetas është proçeduar katër vjet më parë nga Drejtoria e Policisë Shkodër, për veprën penale fshehje e të ardhurave.

Pas veprimeve të saj hetimore, Policia e Shtetit i referoi në Prokurorinë e Rrethit Gjyqësor Tiranë, materialet në ngarkim të shtetasit Paulin Gega.

Prokuroria nxorri një urdhër ndalimi për këtë shtetas, i cili rezultoi se është larguar nga vendi në dt.09.08.2019 . Shtetasi Paulin Gega u shpall në kerkim për veprat penale “Fshehja e të ardhurave” , “Ndryshimi në aparatet matëse” dhe “Pastrimi i produkteve të veprës penale”.”-njofton policia.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat