Braçe: Evazion i lartë në sektorin e karburanteve

Shqipëria

Braçe: Evazion i lartë në sektorin e karburanteve

Më: 10 gusht 2019 Në ora: 21:36
Foto ilustrim

Në Shqipëri zëvendëskryeministri Erion Braçe deklaroi sot se verifikimet në kompanitë e karburanteve kanë zbuluar shkelje të cilat siç u shpreh ai janë në kufijtë e një vepre penale. “Administrata Tatimore ka zbuluar shkelje të rënd atë ligjit në këto kufinjë, pra në kufijtë e krimit, veçanërisht në skemën kriminale dhe të qëndrueshme të kalimit dhe operimit me kasat me regjim manual, ndaluar rreptësisht. Administrata Tatimore – u shpreh zëvendeskryeministri - ka zbuluar diferenca të thella të pamenduara, mes litrave të regjistruara në pompa, të shitura prej tyre dhe natyrisht litrave të regjistruara në kasa fiskale, diferenca që dëshmojnë për një evazion fiskal të rëndësishëm. Diferencat arrijnë në mijëra ton në harkun kohor, nga vjeshta e 2017-ës deri tani”.

Këto diferenca sipas zotit Braçe arrijnë në mijëra ton në harkun kohor, nga vjeshta e 2017-ës deri tani. Ai njoftoi gjithashtu se administrata Doganore ka shtrirë kontrollet në magazinat e lira të kompanive të mëdha të karburanteve, ku në 48 orët e fundit, janë zbuluar diferenca të rëndësishme në inventarët e këtyre magazinave kryesisht në produktin benzinë që arrijnë po përsëri, në dhjetëra ton. Administrata Doganore po llogarit detyrimet fiskale të munguara dhe penalitetet me të njëjtën vlerë për secilën nga kompanitë e gjetura në shkelje, deklaroi zëvendëskryeministri Braçe.

Po sot policia njoftoi se Prokuroria ka nxjerrë një urdhër ndalimi për administratorin e kompanisë së karburanteve Gega Oil, një ndër më të mëdhatë në vend, pasi dyshohet të ketë kryer “evazion fiskal në përmasa të mëdha”. Administratori Paulin Gega, i larguar nga vendi një ditë më parë është shpallur në kërkim për të paktën tre vepra penale "Fshehja e të ardhurave" , "Ndryshimi në aparatet matëse" dhe "Pastrimi i produkteve të veprës penale".

Verifikimet dhe kontrollet në sektorin e karburanteve, janë pjesë e një operacioni kundër informalitetit të ndërmarrë nga qeveria. Zoti Braçe tha sot se gjatë 10 ditëve të fundit “Drejtoria e Tatim Paguesve të Mëdhenj, ka bllokuar llogaritë e 22 kompanive të mëdha që kanë akumuluar borxhe të detyrimeve fiskale. Disa prej tyre kanë reaguar, kanë shlyer detyrimet dhe llogaritë e tyre janë zhbllokuar. Disa të tjera kanë reaguar, kanë paguar një pjesë të detyrimit dhe llogaritë e tyre vijojnë të jenë të bllokuara deri në shlyerjen përfundimtare të të gjithë vlerës së detyrimeve”. Për pjesën tjetër që nuk ka nisur shlyerjen e detyrimeve, zvëndëskryeministri parlajmëroi se nuk do të mund të shpëtojnë përmes ndërhyrjeve. “Nuk do ti ndihmojë askush! Ndihmoni vetën dhe paguani detyrimet fiskale të njohura! Mos krijoni borxhe të reja dhe thelloni borxhe të vjetra! Asnjë telefon nuk ju ndihmon dot, nuk ju do ju fshij borxhin dhe nuk do ju shpëtoj nga pagesa deri në fund e këtyre detyrimeve”, saktësoi zoti Braçe..

Kontrollet kanë përfshirë dhe sektorin e Hoteleri-Turizmit, përfshirë baret dhe restorantet në të gjithë vijën bregdetare. “Gjatë 48 orëve të fundit, në zbatim të ligjit janë mbyllur disa njësi të mëdha, ashtu sic janë gjobitur të tjera që janë kontrolluar për herë të parë dhe janë gjetur në kushtet e paligjshmërisë për herë të parë. Neve – u shpreh zoti Braçe - nuk na duhet as gjoba as mbyllja e njësisë së tyre. Nuk na vlen. Ne duam që ata të punojnë ligjërisht, të fitojnë po ligjërisht dhe të paguajnë detyrimet ligjore dhe fiskale në përputhje me çfarë është parashikuar në legjislacionin fiskal në fuqi”.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat