Sokolaj: Ka rikthim të fenomenit të kultivimit të kanabisit

Shqipëria

Sokolaj: Ka rikthim të fenomenit të kultivimit të kanabisit

Më: 11 gusht 2019 Në ora: 06:12
Trazhgim Sokolaj

Gazetari dhe redaktori i lajmeve në RTV Ora, Trazhgim Sokolaj duke komentuar dokumentarin e televizionit italian Rai 3, tha se në Shqipëri ka një rikthim të fenomenit të kanabisit.

Sipas Sokolajt kjo ka nisur që në muajin qershor, kur edhe policia ishte e angazhuar maksimalisht me protestat e opozitës.

Sokolaj: Ato konstatime që televizioni italian bëri janë informacione dhe çështje që edhe ne i kemi perceptuar këtu në Shqipëri. Personalisht kam patur sinjalet e para për një rigjallërim të fenomenit që në muajin qershor, gjatë kohës të protestave masive të opozitës. Kur policia kishte një angazhim total për ti bërë ballë këtyre protestave. 

Me informacionet jo zyrtare, më rezulton që që nga qershori ka një rikthim të fenomenit dhe ajo që është më shqetësuese është se sipas këtyre evidencave që më vijnë nga burimet në terren bëhet fjalë për parcela të vogla, të vendosura në sipërfaqe që nuk janë shfrytëzuar tradicionalisht për kultivim kanabis.

Sokolaj tha se në Krujë është shpallur në kërkim për kultivim kanabisi, vëllai i një deputeti.

Sokolaj: Në Krujë pothuajse çdo ditë gjatë muajit qershor ka pasur sekuestrim të parcelave me droge, ka pasur referime të policisë. Më rezulton që aktualisht është një nga zonat më problematike për rikthimin e këtij fenomeni. Në rastin e Krujës është një person i akuzuar për kultivim, kryetari i fshatit, kryetari i njësisë administrative që janë të shpallur në kërkim për një rast me 850 bime rrënjë kanabis. Ka dhe persona me lidhje politike, po në Krujë është shpallur në kërkim vëllai i një deputeti për kultivim të parcelave me kanabis. Të dhënat jo zyrtare që më vijnë nga terreni janë që ka sekuestrime në sasi të vogla, por që janë sekuestrime të përditshme, që nga policia nuk raportohen.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat