Festa e Kurban Bajramit, Spahiu: Sot shërojmë plagët që i kemi shkaktuar njëri-tjetrit

Shqipëria

Festa e Kurban Bajramit, Spahiu: Sot shërojmë plagët që i kemi shkaktuar njëri-tjetrit

Më: 11 gusht 2019 Në ora: 09:19
Pamje nga falja e Bajramit

Besimtarët myslimanë falën mëngjesin e kësaj të diele namazin e Kurban Bajramit, e thënë ndryshe “Festa e Flijimit”. Kjo ditë shoqërohet me bërjen kurban të bagëtive, kryesisht qengjave.

Para festës së Kurban Bajramit, në Mekë zhvillohet pelegrinazhi i përvitshëm i Haxhit, ku miliona myslimanë nga e gjithë bota marrin pjesë. Haxhi është një nga pesë kushtet e Islamit.

Kreu i Komunitetit Mysliman Shqiptar,  Bujar Spahiu gjatë fjalës së mbajtur në sheshin “Skënderbej” tha se në Haxh këtë vit shkuan 400 shqiptarë.

Sipas Spahiut simbolika e kësaj dite është kurbani, si shenjë mirënjohje ndaj Zotit.

“Kurban Bajrami është dita ku ne i shërojmë plagët që i kemi shkaktuar njëri-tjetrit. T’i shohim të gjithë njerëzit me sytë e dashurisë. Allahut i intereson devotshmëria jonë.

Te Allahu nuk arrin as mishi dhe as gjaku i Kurbanit, por bindja ndaj tij. Sot në këtë ditë besimi Bajrami, dëshmia e sakrificës na bën që ti jemi Zotit mirënjohës. Kjo na nxit të jemi gjithmonë të gatshëm dhe të bëjmë sakrifica për fe dhe atdhe.

Kurbani do të thotë afrim të njeriut me krijuesin. Njerëzit nuk duhet t’i ndërpresin shpresat te Allahu”, tha kreu i KMSH-së.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat