Prokuroria shqiptare bëhet “gur varri”! Arta Marku urdhëron shtrëngimin total të informacionit

Shqipëria

Prokuroria shqiptare bëhet “gur varri”! Arta Marku urdhëron shtrëngimin total të informacionit

Më: 12 gusht 2019 Në ora: 21:10
Arta Marku

Pas daljes së përgjimeve për dosjet 339 të Durrësit dhe 184 të Dibrës për krimet zgjedhore, Prokurorja e Përgjithshme Arta Marku ka shtrënguar informacionet për mediat.

Report Tv ka siguruar udhëzimin e plotë me 30 nene që Arta Marku ka firmosur në datë 30 korrik, pra pak ditë më parë për të gjithë prokurorët. Neni 10 i udhëzimit kërkon ndalimin e publikimit të cdo informacioni për cdo cështje deri në përfundim të hetimeve paraprake. 

“Ndalohet publikimi, qoftë edhe i pjesshëm, i akteve sekrete që lidhen me cështjen ose dhe vetëm i përmbajtjes së tyre nëpërmjet shtypit ose informacionit masiv. Ndalohet publikimi, qoftë edhe i pjesshëm, i akteve josekrete deri në përfundimin e hetimeve paraprake” thuhet në dy pikat e para të nenit 10. Udhëzimin e ndanë një fije e hollë nga censura, pasi më këtë vendim rrezikohet që edhe një arrestim mund të mbahet sekret.

Ndërkohë që kur gjyqi bëhet me dyer të mbyllura, theksohet se informacioni, sikur ndodh në cdo vend të botës publikohet kur plotësohen afatet e caktuara me ligj për arkivat e shtetit ose kur ka kaluar afati prej dhjetë vjetësh nga data që vendimi ka marrë formën e prerë.

Por të shumëdiskutueshme janë dy pikat e para të nenit, teksa udhëzimi i Kryeprokurores Arta Marku vjen pas kritikave të herëpashershme ndaj prokurorëve. Në analizën vjetore për 2018 shefja e organit të akuzës u bëri një ‘dush të ftohtë’ prokurorëve në Prokurorinë për Krime të Rënda. Marku tha asokohe se disa prokurorë kanë nxjerrë dokumente sekrete, ndërsa u bëri thirrje atyre që të mbajnë larg gazetarët, pasi ata nuk janë pjesë e grupit hetimor.

“Këtë duhet ta bëni me çdo kusht për të rivendosur dinjitetin e cenuar si dhe të bindni opinionin publik se ky është një organ kushtetues dhe hetimi dhe jo një supermarket ku çdo gjë ka çmim” tha ajo në 27 mars të këtij viti. Ndërkohë që dalja e përgjimeve për dy dosjet që shkaktuan edhe debat të fortë politik ishte kulmi ç’ka ka sjellë edhe miratimin e udhëzimit të ri.

Neni 10 Ndalimi i publikimit të aktit
1.            Ndalohet publikimi, qoftë edhe i pjesshëm, i akteve sekrete që lidhen me cështjen ose dhe vetëm i përmbajtjes së tyre nëpërmjet shtypit ose informacionit masiv.

2.            Ndalohet publikimi, qoftë edhe i pjesshëm, i akteve josekrete deri në përfundimin e hetimeve paraprake.

3.            Ndalohet publikimi, qoftë edhe i pjesshëm, i akteve të shqyrtimit gjyqësor kur gjykimi bëhet me dyer të mbyllura. Ndalimi i publikimit hiqet kur plotësohen afatet e caktuara me ligj për arkivat e shtetit ose kur ka kaluar afati prej dhjetë vjetësh nga data që vendimi ka marrë formën e prerë, por me kusht që publikimi të jetë autorizuar nga Ministri i Drejtësisë.

4.            Ndalohet publikimi i gjeneraliteteve dhe i fotografive të të pandehurve dhe të dëshmitarëve të mitur, të akuzuar ose të dëmtuar nga vepra penale.

5.            Ndalohet publikimi i regjistrimeve të bëra në regjistrin e njoftimit të veprave penale deri në marrjen si të pandehur të personit që i atribuohet vepra penale.

6.            Prokurori i cështjes me vendim të arsyetuar vendos ndalimin e publikimit të aktit, i cili ekzekutohet nga koordinatori për median.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat