Rexhep Meidani mbush 75 vjet

Shqipëria

Rexhep Meidani mbush 75 vjet

Më: 17 gusht 2019 Në ora: 08:19
Rexhep Meidani

Ish presidenti i Shqipërisë, Rexhep Qemal Meidani lindi më 17 gusht të vitit 1944 në Tiranë.

Diplomoi në Universitetin e Tiranës (1966), Fakulteti i Shkencave të Natyrës (FSHN), dega fizikë, si dhe përfundoi me sukses studimet pasuniversitare në Universitetin e Kanës (Francë) (1974). Në fushën profesionale, Meidani punoi fillimisht si pedagog, si shef katedre dhe më pas si dekan i FSHN (1966-1996). Gjatë kësaj periudhe, ai botoi një numër të madh studimesh, librash dhe artikujsh brenda e jashtë vendit. Meidani mban titullin shkencor “Profesor, Doktor”.

Karriera politike e Meidanit nisi pas viteve ’90. Ai ishte kryetar i KQZ-së në zgjedhjet e para shumëpartiake më 1991 dhe anëtar i Këshillit Presidencial (1991). Gjatë viteve 1992-96 u angazhua në shoqërinë civile duke qenë edhe kryetar i bordit të Qendrës Shqiptare për të Drejtat e Njeriut (1994-96). Më 1996 aderoi në Partinë Socialiste duke u zgjedhur Sekretar i Përgjithshëm i saj (1996-1997).

Në zgjedhjet e parakohshme parlamentare të qershorit 1997, Meidani u zgjodh deputet në Kuvendin e Shqipërisë. Pas zgjedhjeve, të cilat u fituan nga koalicioni i majtë i drejtuar nga Partia Socialiste, më 24 korrik 1997 me propozim të PS-së, Kuvendi i Shqipërisë e zgjodhi President të Republikës, detyrë të cilën e ushtroi deri më datë 24 korrik 2002 kur u zëvendësua nga pasardhësi i tij Alfred Moisiu.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat