Shembja e skelës, Vasili: Telendarët s’thanë asnjë fjalë për punëtorët që humbën jetën për bukën e gojës

Shqipëria

Shembja e skelës, Vasili: Telendarët s’thanë asnjë fjalë për punëtorët që humbën jetën për bukën e gojës

Më: 17 gusht 2019 Në ora: 15:17
Tiranë

Nënkryetari i Lëvizjes Socialiste për Integrim, Petrit Vasili reagon lidhur me shembjen e skelës në një pallat në Tiranë këtë të premte, ku humbën jetën dy punëtorë dhe mbetën të plagosur tre të tjerë.

Ai tha se që nga dje dhe gjatë gjithë ditës së sotme e gjithë qeveria e “telendarëve” më të padëgjuar që ka parë ky vend nuk ka shpenzuar një fjalë të vetme për këta burra që humbën jetën thjeshtë dhe vetëm për të nxjerrë bukën e gojës duke punuar në ato kushte rreziku të cilëve ju mor jeta.

“Pikërisht kjo qeveri e kjo bashki, sërish jua them këta telendarë të padëgjuar që kanë qarë dhe kanë larë për një kërpudhë të shtrembër përpara oborrit të Kryeministrit të çmendur, që kanë qarë edhe kanë larë për barin që me demek kishte shqetësuar shumë bashkinë, që janë marrë me muaj të tërë për një plagosje majash gishtash të një police, sot nuk hapin gojën për njerëz të thjeshtë që kanë humbur jetën në punë për të nxjerrë bukën me djersën e ballit, për të nxjerrë mbijetesën e tyre, se ju e dini fare mirë sesa paguhen. Këta njerëz të cilët i kanë kthyer spitalet tona në vend peligrinazhi dhe parade kur u është dashur për të bërë propagandë, asnjë prej tyre nuk vetë që të vizitojë ata të plagosur atje që kanë humbur jetën, sepse shteti nuk kishte mundësi dhe nuk donte dhe refuzonte që të krijonte sigurinë minimale në punë që do ju garantonte jetën atyre”, u shpreh Vasili.

Sipas tij këto fasada të cilat lyhen dhe zhgërryhen me projekte formale edhe informale janë shumë më të rëndësishme për ato që janë, që do ti përfitojnë e ata që jetojnë brenda këtyre banesave sesa këta qytetarë që humbasin jetën në punë e sipër, në punën e ndershme të tyre.

Vasili shtoi se kjo prokurori dhe ky shtet, të gjithë së bashku, kanë gjetur zgjidhjen e mrekullueshme sipas tyre që ka dy palë qytetarë, qytetarët, humbja dhe vdekja e të cilëve ka rëndësi apo dhe plagosja si dhe trembja e tyre në një ambiente publik dhe se ka shumë rëndësi dhe ulërihet, bërtitet.

Në këtë linjë tha se “Shikon gra, ministresha, burra, ministra, kryeministra, zv.kryeministra që qajnë e lajnë para familjeve të tyre, por ka edhe disa qytetarë të tjerë. Humbja e të cilëve nuk ka asnjë vlerë. Siç janë pikërisht Ergys Brahimaj dhe Orian Kodra. Nuk ka asnjë rëndësi jeta e tyre. Edhe ngushëllimin ju a kursejnë. Sepse është më e rëndësishme bujurdia para kamerave, patetizmi, fryrja sikur ç’do bëjnë. Për atë barin e shkelur të bashkisë edhe për atë kuponin e kafesë, se sa humbja e jetëve të njerëzve”.

Ai tha se Prokuroria dhe shteti, janë kujdesur siç i shikoni të rrinë në heshtje dhe të mos flasin fare.

“Pra nuk ekzistojnë këto gjëra dhe të merren e të arrestojnë administratorët e firmave, etj. po kush janë ata përgjegjësit në qeveri a bashki, që do të kryejnë inspektimin në punë? Që nuk do të lejonin të kishte kushte pasigurie? Do të garantonin çdo gjë që kjo punë të zhvillohej në rregull? Dhe mbi të gjitha, nuk do kishte kurrë mundësi që të humbisnin jetën njerëzit? Po u ka interesuar më tepër që të ndrisin e të shkëlqejnë fasadat e shtëpive të tyre pa çka se këta njerëz humbasin jetën. Ne kemi pasur dhe e kemi besoj dhe për pak ditë, një kryeministër që nuk përton të bëhet telendinë në facebook të tij dhe kudo, të përgojojë të madh e të vogël, burrë të ri apo të moshuar me të gjitha llojet e budëllallëqeve dhe gomarllëqeve që ka kjo botë. Një llafazan i sëmur i cili nuk gjen dot një fjalë të vetme për këta njerëz, e që nuk ka kurajon që të vizitojë ata të tjerët që ndodhen në spital. Pra kemi përball një shtet të pamëshirshëm”, deklaroi Vasili.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat