Çipa: Paketa antishpifje nuk frenon shantazhin e portaleve, ligji s'mund të përdoret si "kamzhik" nga qeveria

Shqipëria

Çipa: Paketa antishpifje nuk frenon shantazhin e portaleve, ligji s'mund të përdoret si "kamzhik" nga qeveria

Më: 17 gusht 2019 Në ora: 21:38
Aleksandër Çipa

Analisti, Aleksandër Çipa, shprehet kundër projekligjit antishpifje të qeverisë, të cilin e ka dërguar në Kuvend. I ftuar në RTV Ora, ai tha se shoqatat e gazetarëve kanë bërë vërejtjet e veta dhe presin reflektim nga qeveria.

Çipa: Kemi një realitet problematik që buron nga dy arsye: Së pari me kulturën që trashëguam në të ashtuquajturën periudhë të pluralizmit anarkik dhe kaotik në këto 28 vite. Arsyeja e dytë, realiteti që krijohet kur krijohet një infrastrukturë e re si media online. Por probleme të tilla nuk mund ti rregullojë një pushtet që ka në mos një antagonizëm, ka një konflikt interesi përballë një pushteti tjetër siç është pushteti i medias. Qeveria i përket pushtetit politik. Pushteti politik në mënyrë të drejtëpërdrejtë apo të tërthortë synon që të krijojë një kompleks, ta intimodojë apo imponojë pushtetin e përkundërt me të.

Për këtë arsye një nismë e tillë nuk mendoj se e ezauron. Ne kemi përcjellë konstatimet tona se cilat janë pikat që nuk dakordohemi me draftin e paraqitura nga qeveria.Ligji shpërfill mundësitë, kapacitetet dhe mekanizmat vetërregulluese që ka komuniteti i gazetarëve në Shqipëri. Këto duhet të merren në konsideratë. Rishqyrtimi dhe kthimi në një recensë juridike i draftit të qeverisë do të pajtonte në interes të së mirës, kualitetit të lirisë dhe të mungesës së censurës dhe autocensurës në gjithë spektrin medial të vendit, veçanërisht mediave të reja që nga pikëpamja e kostos financiare favorizojnë dhe profesionistët.

E teksa qeveria e "shet" paketën si përpjekje për të ndaluar përdorimin e portaleve për shantazh, Çipa ka tjetër mendim.

Çipa: Nuk e ndalon ligji një gjë që lidhet me pjesën e brendshme të vullnetit njerëzor. Përkundrazi e ndalon krijimi i kontrastit midis modelit profesional të përgjegjshëm dhe me referencë morale dhe modelit abuzant që është përballë tij. Ne nuk investohemi për këtë të dytën. Ligji duhet të burojë prej ndërgjegjës profesionale dhe nuk mund të marrë formën e "kamzhikut" në duart e qeverisë përkundër pushtetit të medias.

Analisti thotë se frontet që ka hapur kryeministri politikisht janë shumë dhe të rrezikshme.

Çipa: Përdorimi i një debati për një projektligj që lidhet me mediumet më të reja në vend, është përceptim i gabuar dhe me kosto jo vetëm politike, por edhe elektorale.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat