Studentja që do të kthehet/ E lindur në Belgjikë, Klea Kraja do të punojë gazetare në Shqipëri

Shqipëria

Studentja që do të kthehet/ E lindur në Belgjikë, Klea Kraja do të punojë gazetare në Shqipëri

Më: 18 gusht 2019 Në ora: 21:07
Klea, studente

Po i shijon aq shumë pushimet në Shqipëri, saqë i duket sikur ditët fluturojnë. Kjo është Klea 20 vjeç. Është shqiptare nga Belgjika dhe studion për gazetari atje. Kemi shumë pyetje për t’i bërë, por edhe ajo nuk është më pak kureshtare.

“Unë kam lindur në Belgjikë. Studioj në Liezh për media dhe komunikim, pasi mendoj se komunikimi është shumë i rëndësishëm. Edhe kafshët komunikojnë”- tha Klea.

Familja e Kleas e përbërë nga 5 anëtar sot, emigroi në 1999 në Belgjikë. Në Shqipëri vijnë çdo vit.

“Shqipërinë e dua shumë, kam parë shumë prej saj, njoh mirë njerëzit. Ata janë mikpritës e zemërgjerë. Shqipëria ka shumë pasuri, është vend shumë i bukur dhe një ditë do bëhet më mirë” u shpreh ajo.

Ka mbaruar vitin e parë për gazetari dhe është ende herët për praktikë në ndonjë televizion apo radio. Është një person qe rrezaton energji të mirë dhe merr kënaqesi nga gjërat e thjeshta të jetës.

“Tani jam shumë mirë. Gjërat e thjeshta më bëjnë të lumtur, një buzëqeshje, një kompliment, një lajm i mirë. Lumturia nuk kërkohet, por krijohet”- vazhdoi më tej Klea.

Gjuhen shqipe e shkruan dhe e lexon shumë mirë.

“Babi mami, flisnin shqip, dhe kishin marrë abetaren. Dhe mami më tregon se gjithë ditën jashtë flisja frëngjisht, por sapo hyja në shtëpi ndërroja direkt gjuhën, flisja vetëm shqip”- tha 20 vjeçarja.

Vera është sezon dasmash dhe emigrantët i japin hare festave. Klea ka këngët dhe artistët e saj të preferuar.

“Elvana Gjata dëgjohet edhe atje. Era Istrefi është në modë gjithashtu. Mua më pëlqen një këngë e Dafina Zeqirit”- vijon Klea Kraja.

20 vjeçarja dëshiron shumë të kthehet në Shqipëri, ndërkohë që shumë moshatarë të Kleas e projektojnë të ardhmen e tyre jashtë.

“Dera është e hapur. Unë do të kthehesha një ditë në vendin tim. Po ikën të gjithë, këtu do të mbetet shkretëtirë. Është shumë e lehtë të thuash unë po iki, por edhe atje ka qenë e vështirë një moment dhe aty njerëzit kanë punuar shumë që të jetë edhe më mirë”- tha Klea.

Ajo thotë se gazetarinë e shesh si një ndërlidhës mes njerëzve edhe institucioneve.

“Unë në gazetari do të ndryshoja mendimin që gazetarët janë kundër popullit. Në fakt gazetarët janë ndihmës të popullit, punojnë për progres dhe jo për regres”- u shpreh 20 vjeçarja.

Në Universitetin e Liezhit ka edhe dy shqiptarë të tjerë që gjithashtu si Klea studiojnë gazetari. Flasin vazhdimisht për të rejët e fundit nga Shqipëria.

“Kemi dëgjuar që Teatri Kombëtar do të prishet, për një qendër tregtare”- pohoi ajo.

Përgjatë intervistës spikatëm tek Klea një nga kriteret kryesore të një gazetarie të mirë, që është këmbëngulja.

Juli nuk ju përgjigje pyetjes sime “Si është të bësh gazetari në Shqipëri?”- pyet në fund Klea Kraja.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat