Bllokohen 550 ton karburant jo cilësor në Ballsh, do hidhej në treg

Shqipëria

Bllokohen 550 ton karburant jo cilësor në Ballsh, do hidhej në treg

Më: 21 gusht 2019 Në ora: 14:05
Foto ilustrim

550 ton karburant në rafinerinë e naftës në Ballsh të Fierit, u bllokua dhe nuk do të hidhet në treg, pasi rezultoi të mos plotësonte standardet e cilësisë.

Përmes një laboratori të lëvizshëm, i cili i kryen analizat në mostrat e karburantit në 30 minuta deri në 1 orë, Inspektoriati Shtetëtor Teknik Industrial zbuloi se karburanti ishte jashtë të gjitha parametrave për tregtim. Rezervuari është bllokuar dhe karburanti nuk do të hidhet në treg, por do të vazhdojë për përpunim të mëtejshëm. Më tej do të bëhet sërish rikontroll, dhe vetëm me përmirësimin e cilësisë do të mund të hidhet në treg.

“Inspektorati Shtetëror Teknik Industrial  në vijim të detyrës inspektuese për kontrollin e cilësisë dhe standardeve për respektimin e kërkesave ligjore në vijim të kërkesës për certifikimin e produktit 550 ton në depozitën G46  pas analizimit ka rezultuar me shmangie të treguesve cilësorë dhe nuk respekton kërkesat SSHEN590. Në treguesit numri i cetanit 45.9 nga 51 që është minimum i standardit. Indeksi i cetanit në 45.5 nga 46 që është edhe minimumi  i standardit. Në këto kushte ISHTI ka vijuar me bllokimin e rezervuarve. Në këto kushte produkti nuk mund të hidhet në treg, por do të vazhdojë për ripërpunim të mëtejshëm. Kur të arrihen kushtet do ët hidhet në treg”, sqaroi një nga inspektorët.

Ministrja e Infrastrukturës dhe Energjetikë, Belinda Balluku, e pranishme në këtë aksion, tha se ishte vetë subjekti që kishte kërkuar kontroll, në mënyrë që të certifikohej produkti që do hidhet në treg, por, rezultatet nuk kanë qenë ato që ne prisnim, – tha ministrja.

“Lufta kundër informalitetit është frontale, informaliteti cilësor është po aq i rrezikshëm dhe i dëmshëm sa informaliteti fiskal. Ministria po kryen kontrolle të befasishme në të gjitha subjektet, në të gjithë territorin. Nuk kemi lënë asgjë për në shtator, po punojmë çdo ditë duke analizuar gjithë cilësinë në treg, duke krijuar edhe raste shembujsh, për të qenë të qartë që nga kjo luftë nuk do shpëtojë asnjë subjekt dhe nuk përbën për ne asnjë lloj problematike emri i subjektit se sa i madh apo i vogël është”, – tha Balluku.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat