Meta mesazh të koduar Ramës: Deti është zgjuar nervoz sot, por… - Bota Sot
Meta mesazh të koduar Ramës: Deti është zgjuar nervoz sot, por…

Shqipëria

Meta mesazh të koduar Ramës: Deti është zgjuar nervoz sot, por…

Më: 24 gusht 2019 Në ora: 08:18
Ilir Meta

Presidenti i Republikës, Ilir Meta, ka zbritur nga Mali i Tomorrit dhe është ndalur të pushojë në Gjirin e Lalzit. Duke publikuar një fotografi nga Lalzi, Meta jep edhe një mesazh të koduar për politikën shqiptare, e cila vijon të ecë në rrugë të paditur, duke mos bërë asnjë tentativë për zgjidhjen e krizës së thellë politike.

Kreu i Shtetit, i cili ka bërë disa herë thirrje për dialog mes palëve politike, por që deri më tani nuk ka marrë përgjigje, shkruan se “ndonëse deri është zgjuar nervoz sot, shpresojmë të reflektojë dhe qetësohet më vonë”. Më shumë se për detin, ky duket të jetë një mesazh i koduar për kryeministrin Edi Rama, i cili nuk pranon të negociojë për zgjidhjen e krizës.

“Mirëmëngjes nga Lalëzi! Edhe pse deti është zgjuar nervoz sot, shpresojmë të reflektojë dhe qetësohet më vonë”, shkruan Meta.

Kujtojmë që kryeministri Rama zhvilloi zgjedhjet vendore të 30 qershorit i vetëm, pa opozitës dhe pa miratimin e Presidentit, i cili ka dekretuar 13 tetorin si datë për zgjedhjet vendore, zgjedhjet parlamentare dhe ato presidenciale.

Rama nuk pranon të zhvillojë zgjedhjet më 13 tetor, si një rrugë për zgjidhjen e krizës, ndonëse kryebashkiakët e zgjedhur nga votimet e 30 qershorit po i “bien” njëri pas tjetrit. I pari që iku ishte ai i Shkodrës, Valdrin Pjetri, pasi opozita publikoi faktet, që tregonin se ka qenë i dënuar në Itali për trafik droge.

Ndërkohë, në shënjestër tani është vënë kryebashkiaku i Vorës, Agim Kajmaku, për të cilin opozita ka kërkuar verifikim të figurës, me pretendimin se ka qenë i dënuar, dëbuar dhe arrestuar në Greqi për vepra të rënda penale. Gjithashtu, opozita ka paralajmëruar se do publikojë fakte edhe për të tjerë kryebashkiakë socialistë të lidhur me krimin.

Image
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat
Sondazh Pas votimit të projektligjeve për shndërrimin e FSK-së në ushtri, a mund të ketë inskenime nga Serbia për një luftë të re në Ballkan?
Loading...